Lajme

Haxhiu: Lajm i keq rikthimi i Arben Vitisë, kam kërkuar që të hetohet për konflikt interesi

Autori: Gazeta inFokus 22:00 | 18 January 2023

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka thënë se rikthimi i Arben Vitisë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë është lajm i keq.

Haxhiu këtë e vlerësim e ka lidhur me rolin që Vitia e kishte në kohën e përhapjes së madhe të pandemisë COVID-19.

“Kur je ministër i Shëndetësisë, ju ftoni qytetarët të mbajnë distancë e mos të grumbullohen dhe posa përfundoni mandatin shihni tubime elektorale, shkoni në dasma duke vallëzuar e pastaj organizoni takime me diasporën që ndikon në rritje enorme të rasteve me COVID… Nuk i ndërmerr masat parandaluese me kohë, nuk arrin me i siguru vaksinat me kohë, e refuzon një parakontratë të përgatitur nga paraardhësi yt dhe edhe mundësinë time që ia kam dhënë me siguru vaksina e refuzon dhe në fund përfundojmë me shifra dyshifrore të të vdekurve”, ka theksuar Haxhiu në Teve1.

-Advertisement-

Haxhiu tutje tha se Vitia e braktisi Ministrinë në një kohë të keqe për të garuar për kryetar të Prishtinës.

“Në kohën e kësaj krize pandemie kur kanë nevojë për mbështetje, ju e braktisni ministrinë e Shëndetësisë dhe konkurroni për kryetar të Prishtinës. Ju po e braktisni kauzën tuaj dhe po shkoni për një kauzë politike me udhëheq një komunë”, ka thënë Haxhiu.

Tutje ai tha se Arben Vitia hyri në konflikt interesi kur u punësua si menaxher me një spital privat.

“Kur nuk zgjidhesh kryetar, pastaj po përfundoni në një spital privat që drejtpërdrejt është konflikt interesi. Sipas ligjit, personi zyrtar publik nuk mund të ketë marrëdhënie menaxheriale me një kompani që ka pasë marrëdhënie kontraktuale me Ministrinë e Shëndetësisë. Unë kam kërkuar nga ish-ministri që ta iniciojë në aspektin zyrtar”, ka vazhduar Haxhiu.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation

Të tjera