Ekonomi

“Haraqi” i kompanive të sigurimeve gjatë pandemisë në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 10:19 | 16 September 2020

Një vit më parë mezi mbijetonin, por tani fitimet e kompanive të sigurimeve janë rritur për miliona euro.

Madje kjo ka ndodhur gjatë kohës pandemisë, kur thuajse të gjitha bizneset tjera dhe qytetarët në Kosovë u mbyllën dhe nuk krijonin të ardhura.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, për muajin korrik tregojnë se kompanitë e sigurimeve në vend kanë krijuar profit neto prej 5.3 milionë euro, shkruan Gazeta inFokus.

-Advertisement-

Kjo rritje e përnjëhershme e të hyrave lidhet direkt me vendimin për shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve për 26 për qind, në dhjetor të vitit të kaluar, siç pati raportuar Buletini Ekonomik duke iu referuar raporti të BQK-së.

“Sektori i sigurimeve gjatë tremujorit të parë të vitit 2020 u karakterizua me zgjerim të aktivitetit, edhe pse në nivel më të ulët. Niveli i primeve të shkruara ishte më i lartë krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak, ndikuar nga rritja e çmimeve të primeve të sigurimit të detyrueshëm të automjeteve në fund të vitit të kaluar”, thuhet në raportin “Vlerësimi Tremujor i Zhvillimeve Makroekonomike”.

Megjithatë, në Shoqatën e Sigurimeve të Kosovës nuk kanë pranuar të flasin për rritjen e fitimit në kurriz të qytetarëve, as pas dy javë kërkese nga Gazeta inFokus.

Me 1 nëntor 2019, Bordi ekzekutiv i BQK-së mori vendim për shtrenjtimin e sigurimit të veturave në nivelin 26 për qind. Në kumtesën BQK-së thuhej se deri te ky vendim erdhi për shkak të inflacionit dhe faktit se nuk ishin rishikuar tarifat fare në këtë kategori.

Me vendimin e ri të Bankës Qendrore të Kosovës për sigurimin e automjeteve qytetarët do të paguajnë 26.5 për qind më shumë se një vit më parë.

Bazuar në të dhëna të detajuara lidhur me ndryshimin e tarifave, varësisht nga grupi tarifor, qytetarët paguajnë nga 15 deri në 66 euro më tepër, shkruan Gazeta inFokus.

Krejt kjo ka ardhur pasi Banka Qendrore e Kosovës i ka ndryshuar tarifat e sigurimit për kategoritë e automjeteve për pasagjerë.

Sipas vendimit të këtij institucioni, kompanitë duhet që rritjen ta përshtatin në bazë të shkallës së inflacionit prej vitit 2002 deri në vitin 2018, të matur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, duke zbritur normën e tatimit në qarkullim prej 5 për qind.

Kjo ka bërë që qytetarët të paguajnë 26.5 për qind më shtrenjtë për sigurimin e automjeteve duke u mundësuar kompanive të sigurimit fitime milionëshe pavarësisht se institucionet ndërkombëtare financiare kishin gjetur që kompanitë e sigurimeve nuk po i zbatonin rregulloret e BQK-së dhe nuk po raportonin drejtë fitimin e humbjet, shkruan Gazeta inFokus.

Një mision i FMN-së i cili ka qenë në Kosovë gjatë vitit 2019, ka gjetur se një pjesë e madhe kompanive të sigurimit nuk i kishin zbatuar rregulloret e BQK-së për shpenzimet operative. Kjo kishte bërë që ato të raportojnë humbje enorme në BQK.

Por me shtrenjtimin e tarifave të dhënat e fundit tregojnë se të hyrat e këtyre kompanive janë rritur në mbi 40 milionë euro.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera