Ekonomi

Haradinaj i reagon Albin Kurtit edhe për pagën

Autori: Gazeta inFokus 12:11 | 12 February 2020

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të kryeministrit të tanishëm Albin Kurti për zbritjen e pagave të kabinetit të ekzekutivit.

Sipas tij, narrativa mashtruese e sjellë nga rruga, po vazhdon tani në institucione, duke u manifestuar përmes veprimeve populliste të panevojshme, që në realitet nuk sjellin asnjë ndryshim efektiv.

“I tillë është edhe vendimi për pagat, i cili i subordinohet në plotni Ligjit për Pagat e Sektorit Publik, tashmë të votuar nga Parlamenti i Kosovës, dhe i cili aktualisht gjendet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

-Advertisement-

Sipas ish kryeministrit, ulja e pagave të Kabinetit të sotëm është veprim politik tërësisht i pakuptimtë kur dihet tanimë që brenda pak ditëve pritet aktgjykimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese rreth Ligjit që rregullon jo vetëm pagat e këtij kabineti, por edhe atyre të ardhshëmëve, dhe se pagat edhe për këtë muaj do u dalin të gjithëvë ashtu siç ishin. Mashtrimi ordiner me këtë veprim të sotëm, bëhet për tituj portalesh që të fitojnë ca poena të shpejtë politik, në kurriz të parimit themelor kushtetues të vendit.

“Kështu, brenda vetëm një javë qeverisëse, u vendos një standard i ri i rrezikshëm dhe jodemokratik i mosrespektimit të Gjykatës Kushtetuese si autoritet përfundimtar i përcaktimit të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën”, ka shkruar Haradinaj.

Qeveria normale, sipas Haradinajt, do pezullonte të gjitha veprimet (përfshi edhe ato politike) rreth temës, dhe do priste me respekt deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera