Lajme

Haradinaj alarmon Uashingtonin dhe Qeverinë: Gjendja mund të dalë jashtë kontrollit

Autori: Gazeta inFokus 12:04 | 28 December 2022

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se skenari i regjimit prorus në Serbi për destabilizimin e Kosovës po hyn në fazë kritike, duke shtuar se gjendja në Veri mund të përshkallëzojë dhe të dalë jashtë kontrollit

Ai përmendi mbylljen e pikave kufitare, sulmet ndaj qytetarëve, gazetarëve, policisë, EULEX-it e KFOR-it.

“Skenari i regjimit pro-rus të Serbisë për destabilizimin e Kosovës, po hyn në një fazë kritike. Mbyllja e pikave kufitare njëra pas tjetrës, sulmet e grupeve kriminale të sponzorizuara nga Serbia, ndaj qytetarëve, gazetarëve, Policisë, Eulexit e pjesëtarëve të KFOR-it dhe kujtdo tjetër që e kundërshton këtë skenar ogurzi, kanë marrë përmasa shqetësuese. Gjendja mund të përshkallëzojë dhe të dalë krejtësisht jashtë kontrollit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

-Advertisement-

Sipas tij, në këtë situatë, Kosova duhet të mobilizojë potencialin politik, diplomatik, intelektual e të sigurisë, derisa i bëri thirrje Kurtit që të “sillet në përputhje me situatën e krijuar”.

“Prandaj në një situatë të tillë, është urgjente që Kosova të mobilizojë gjithë potencialin e vet politik, diplomatik, intelektual e të sigurisë në përballje me këtë rrezik të madh. I bëj thirrje Kryeministrit që të sillet në përputhje me situatën e krijuar!”, ka shkruar ai.

Kreu i AKK-së ka “lutur partnerët e sigurisë, posaçërisht Uashingtonin që të marrin nën kontroll situatën në Veri”.

“Serbia nuk zbrapset me retorika boshe luftënxitëse e as me “trimat e rrjeteve sociale”. Gjendja është e rëndë dhe kërkon maturi e koordinim, jo vetëm me faktorin e brendshëm por edhe me partnerët ndërkombëtarë. Njëkohësisht, lus partnerët e sigurisë, posaçërisht Ëashingtonin, që ta marrin nën kontroll situatën në veri dhe ta ndalin përshkallëzimin e mëtejmë, i cili paraqet rrezik edhe për paqen në rajon!”, ka shkruar Haradinaj.

Kujtojmë që sot është dita e 19-të e barrikadave të vendosura në rrugët në Veri nga serbët në shenjë revolte për arrestimin e ish-policëve të Policisë së Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…

Të tjera