Ekonomi

Hamza: 1600 vende të reja pune vetëm nga kreditë e garantuara bankare

Autori: Gazeta inFokus 18:20 | 16 January 2019

Ministri i Financave, Bedri Hamza, është shprehur se nga kreditimi bankar gjatë vitit 2018 rritjen më të madhe e ka shënuar sektori i prodhimtarisë dhe bujqësisë, gjë që, sipas tij, paraqet një zhvillim të favorshëm për ekonominë e Kosovës. Ai ka bërë të ditur se vetëm nga kreditë e garantuara nga Fondit Kosovar për Garanci Kreditore vlerësohet se janë krijuar rreth 1,600 vende të reja pune.

Rënia e kredive joperformuese, konkurrenca gjithnjë në rritje të sektorit bankar dhe rritja e efikasitetit të këtij sektori, lehtësimet e zbatimit të kontratave, si dhe përmirësimet tjera në ambientin e biznesit etj., konsideroj se paraqesin përmirësim të rëndësishëm të kushteve të nevojshme për të pasur rënie të mëtutjeshme të normave të interesit në kredi gjatë vitit 2019. Kështu thotë në një intervistë ministri i Financave, Bedri Hamza, i cili  vlerëson se sektori bankar vazhdon të ketë performancë pozitive, në të gjithë treguesit e tij.

Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës e ka theksuar faktin se edhe gjatë vitit 2018 kreditimi i bizneseve nga ana e sektorit bankar në vazhdimësi ka shënuar rritje, ku siç thotë ai, vërehet një rritje më e madhe për sektorët që konsiderohen me potencial më të madh për të gjeneruar rritje ekonomike siç janë: sektori i prodhimtarisë dhe sektori i bujqësisë, gjë që paraqet një zhvillim shumë të favorshëm për ekonominë e vendit.Këta sektorë në përgjithësi karakterizohen me një përfshirje më të madhe të fuqisë punëtore, prandaj rritja e kreditimit të tyre mund të ketë një ndikim më të madh në krijimin e vendeve të reja të punës dhe, rrjedhimisht, në reduktimin e papunësisë. Sipas informatave të fundit, vetëm nga kreditë e garantuara nga Fondit Kosovar për Garanci Kreditore vlerësohet se janë krijuar rreth 1,600 vende të reja pune”, bënë të ditur Hamza.

-Advertisement-

Në këtë intervistë ai ka folur edhe për investimet e bankave komerciale në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës, ku, sipas tij, vlera e përgjithshme e këtyre investimeve ka kaluar shumën prej 222 milionë euro.

Bankat po e rrisin mbështetjen për zhvillimin ekonomik të Kosovës

Hamza, si e vlerësoni performancën e sektorit bankar gjatë vitit 2018 dhe sa po kontribuon ky sektor në zhvillimin ekonomik të Kosovës?

Hamza: Bazuar në informatat e publikuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës(BQK), sektori bankar vazhdon të ketë performancë pozitive, në të gjithë treguesit e tij. Ky sektor gjatë kësaj periudhe është karakterizuar me rritje të aktivitetit kreditues, derisa indikatorët kyç të shëndetit financiar vazhdojnë të jenë në pajtim me kërkesa ligjore. Vlera e gjithsej kredive në këtë periudhë ishte rreth 2.7 miliardë euro, me një rritje vjetore mbi 11%, që nënkupton rritje të mbështetjes së këtij sektori për zhvillimin ekonomik të vendit. Pjesa më e madhe e kredive të lëshuara nga sektori bankar janë kredi të lëshuara për bizneset, gjë që tregon kontributin e rëndësishëm të sektorit bankar për zhvillimin e bizneseve, rritjen e punësimit dhe, rrjedhimisht, për zhvillimin ekonomik të vendit.

1.7 miliardë euro kredi për bizneset

Kosova vazhdon të jetë shumë e varur nga mallrat e importit. Sa po arrijnë t’i zhvillojnë kapacitetet prodhuese bizneset vendore nëpërmjet financimeve bankare?

Hamza:Kreditimi i bizneseve nga ana e sektorit bankar në vazhdimësi ka shënuar rritje. Në fund të tremujorit të tretë të vitit 2018, vlera e kredive të lëshuara për bizneset arriti në 1.7 miliardë euro apo 63% e gjithsej portofolit kreditor të sektorit bankar. Ndër sektorët me rritjen më të madhe të kredive të pranuara ishin sektori prodhues dhe ai i bujqësisë. Këto zhvillime në masë të madhe rezultojnë nga lehtësimet e aplikuara nga ana e sektorit bankar, por rëndësi të madhe ka pasur edhe krijimi i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, i cili ka për qëllim kryesor lehtësimin e qasjes në financim bankar për sektorët që aktualisht kanë qasje më të ulët në kreditë bankare. Qasja më e mirë në financim bankar sigurisht se pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e kapaciteteve prodhuese për bizneset vendore.

A shihni një fokus më të madh të bankave për t’i kredituar bizneset vendore dhe a po ndikon kjo edhe në rritjen e punësimit, përpos prodhimit vendor?

Hamza: Vlen të theksohet se portofoli kreditor i sektorit bankar pothuajse në tërësi përbëhet nga kreditë e lëshuara për bizneset që operojnë në Kosovë, prandaj çdo rritje e kreditimit nënkupton rritje të financimit për bizneset vendore. Në periudhën e fundit, vërehet një rritje më e madhe për sektorët që konsiderohen me potencial më të madh për të gjeneruar rritje ekonomike siç janë: sektori i prodhimtarisë dhe sektori i bujqësisë, gjë që paraqet një zhvillim shumë të favorshëm për ekonominë e vendit. Këta sektorë në përgjithësi karakterizohen me një përfshirje më të madhe të fuqisë punëtore, prandaj rritja e kreditimit të tyre mund të ketë një ndikim më të madh në krijimin e vendeve të reja të punës dhe, rrjedhimisht, në reduktimin e papunësisë. Sipas informatave të fundit, vetëm nga kreditë e garantuara nga Fondit Kosovar për Garanci Kreditore vlerësohet se janë krijuar rreth 1,600 vende të reja pune. Megjithatë, akoma nevojitet angazhim më i madh i të gjithë akterëve me qëllim të rritjes dhe zhvillimit të prodhimtarisë, rritjes së produktivitetit, si dhe krijimit të kushteve për qasje më të madhe të produkteve tona në tregjet e jashtme në mënyrë që të ndikohet në hapje të vendeve të reja pune dhe zhvillim më të madh ekonomik në vend.

Mbi 3.2 miliardë euro kanë arritur depozitat e qytetarëve në bankat vendore, mjete këto më shumë se buxheti vjetor i Kosovës. Sa janë të sigurta paratë e qytetarëve në banka dhe a ka rrezik të përsëritet situata e vitit 2007 kur me mbylljen e një banke komerciale ishin rrezikuar depozitat e qytetarëve?

Hamza: Sektori bankar në Kosovë vazhdon të jetë i qëndrueshëm, me nivel të kënaqshëm të likuiditetit, mjaftueshëm i kapitalizuar, profitabil dhe me cilësi shumë të mirë të portofolit kreditor. Bazuar në këta tregues kyç të shëndetit financiar, si dhe në performancën pozitive të sektorit bankar, vlerësoj se bankat janë në gjendje të përballojnë tronditjet e mundshme në mjedisin ekonomik dhe të sigurojnë që depozitat e qytetarëve të jenë të sigurta dhe në asnjë mënyrë të rrezikuara. Qëndrueshmëria e lartë e sektorit bankar të Kosovës është dëshmuar edhe gjatë krizës së fundit globale, kur bankat që operojnë në Kosovë nuk treguan asnjë shenjë të tronditjes nga kushtet e pafavorshme në ekonominë globale.

Sa është shuma e përgjithshme e investimeve të bankave komerciale në bono të thesarit dhe a janë në rritje investimet e tilla?

Hamza: Zhvillimi dhe avancimi i tregut të brendshëm të Letrave me Vlerë të Qeverisë së Kosovës, si burim i financimit të projekteve afatshkurtra dhe kapitale në vend, është realizuar me hyrjen në fuqi të Ligjit për Borxhin Publik në Kosovë në Janar të vitit 2010, me ç’ rast u krijua mundësia e qasjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës në borxhin publik. Rrjedhimisht, në janar të vitit 2012 është shpallur ankandi i parë i letrave me vlerë, kur për të herë të parë në Kosovë filloi emetimi i bonove të thesarit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përmes ankandeve publike, të cilat organizohen dhe monitorohen nga ana e BQK-së. Në tremujorin e tretë të këtij viti, gjithsej vlera e përgjithshme e investimeve nga ana e bankave komerciale në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës ishte 222.1 milionë euro. Duke pasur parasysh zhvillimin dhe rritjen e vazhdueshme të tregut të letrave me vlerë, edhe pjesëmarrja e bankave në këtë treg është rritur në vazhdimësi.

Kosova është vendi që ka përqindjen më të ulët në rajon të kredive joperformuese. Çka po ndikon që kreditë e tilla në Kosovë të qëndrojnë në nivel më të ulët se 3%?

Hamza: Sektori bankar i Kosovës në vazhdimësi është karakterizuar me një cilësi shumë të mirë të portofolit kreditor, e cila paraqet një shtyllë shumë të rëndësishme të stabilitetit të përgjithshëm të sektorit bankar të Kosovës. Në shtator 2018, norma e kredive joperformuese në këtë sektor ishte 2.8%. Faktorët që kanë kontribuar në cilësinë e mirë të portofolit kreditor mund të jenë të shumtë, por ndër më të rëndësishmit konsideroj se janë stabiliteti makroekonomik, zhvillimet legjislative gjatë viteve të fundit, siç është rasti me përmbaruesit privat që kanë lehtësuar ekzekutimin e kolateralit dhe zbatimin e kontratave, mbikëqyrja e kujdesshme nga ana e BQK-së, menaxhimi adekuat i rreziqeve bankare nga ana e bankave, si dhe sjellja e përgjegjshme e qytetarëve të Republikës së Kosovës në përmbushjen e obligimeve të tyre kontraktuale kundrejt bankave.

Viti 2018 është karakterizuar me norma më të ulëta të interesit në kredi, si dhe zvogëlim të përqindjes së kredive joperformuese. A mund të pritet rënie të kamatave të kredive edhe në vitin 2019?

Hamza: Rënia e kredive joperformuese, konkurrenca gjithnjë në rritje të sektorit bankar dhe rritja e efikasitetit të këtij sektori, lehtësimet e zbatimit të kontratave, si dhe përmirësimet tjera në ambientin e biznesit konsideroj se paraqesin përmirësim të rëndësishëm të kushteve të nevojshme për të pasur rënie të mëtutjeshme të normave të interesit në kredi. Një zhvillim i tillë do të ishte shumë i favorshëm për rritjen e mëtejme të mbështetjes së sektorit bankar ndaj zhvillimit ekonomik të vendit.

Grafika:

222.1 milionë euro është vlera e përgjithshme e investimeve të bankave komerciale në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës.

 1600 vende të reja të punës vlerësohet se janë krijuar  vetëm nga kreditë e garantuara nga Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.

 1.7 miliardë euro, apo 63% e gjithsej portofolit kreditor të sektorit bankar,  ka arritur vlera e përgjithshme e kredive të lëshuara për bizneset në tre mujorin e tretë të vitit 2018.

 2.7 miliardë euro ka arritur vlera e përgjithshme e kredive bankare.

11% kanë shënuar rritje vjetore kreditë bankare.

 2.8% ka rënë norma e kredive joperformuese të sektorit bankar të Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…

Të tjera