Lajme

Gjykimi ndaj ish-kryetarit të Malishevës e tjerëve, dëshmitari thotë se ka blerë 30 hektarë nga njëri prej të akuzuarve

Autori: Gazeta inFokus 16:11 | 14 September 2022

Dëshmitari Ruzhdi Begaj në seancën  e së mërkurës në gjykimin për korrupsion, ka thënë se në vitin 2007 kishte blerë gjithsej 30 hektarë nga i akuzuari Ahmet Rrahmanaj, në vlerë rreth 25 euro për ari.

Një deklarim të tillë, dëshmitari Begaj e ka thënë në seancën e së mërkurës, në gjykimin për korrupsion ndaj Bajram Hasanit, ish–ministër i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Faton Thaqit, ish-zëvendësministër i kësaj ministrie, Ragip Begajt, ish-kryetar i Komunës së Malishevës,  nënkryetarit të kësaj komunë, Hajdin Berisha.

Bashkë më ta po akuzohen edhe Bashkim Krasniqi, drejtor i Gjeodezisë në Komunën e Malishevës, Malë Krasniqi, shefi i Gjeodezisë në Komunën e Malishevës, Nazmi Kafexholli, inspektor i Agjencisë Pyjorë të Kosovës dhe Ahmet Rrahmanaj, i cili po akuzohet për shpëlarje të parave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

-Advertisement-

Tutje, dëshmitari Begaj duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Naim Abazi, tha se në vitin 2011 – 2012 një pjesë e asaj parcele me sipërfaqe prej 2 hektarë e 20 ari i ishte kompensuar nga shteti për ndërtimin e autostradës Ibrahim Rugova në vlerë prej 700 euro për ari.

Gjithashtu, i njëjti deklaroi se edhe në vitin 2018 kishte pranuar një vendim për shpronësim të pronës në zonën kadastrale Bellanicë me sipërfaqe prej 10 hektarë, në vlerë prej 750 euro për ari për krijim e zonës ekonomike në Komunën e Malishevës, e për të cilën tha se nuk ka pranuar.

Paraprakisht, në këtë seancë është dëgjuar edhe dëshmitari Shkelzen Morina, ish-drejtor i Departamentit për Tatime në Pronë, në kuadër të Ministrisë të Financave.

I njëjti, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Abazi, ndër të tjera deklaroi se vlerësimi i pronave të paluajtshme është bërë në harmoni me udhëzimin administrativ.

Tutje, në lidhje me shpronësimin e 87 hektarëve në vlerë prej 7 milionë euro, dëshmitari Morina tha se për bazë janë marrë çmimet e vitit 2010. E që sipas tij, në bazë të vendimeve të marra nga gjykata çmimi ka qenë dyfish më i lartë.

Ndërkaq, i pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Begaj, avokati Rrahman Kastrati se a ka njohuri në lidhje me shpronësimin e 87 hektarëve.

Dëshmitari Morina tha se sipas një vendimit të Qeverisë, i gjithë procesi është zero.

“Ka qenë një humbje shumë e madhe për Komunën e Malishevës, sepse komuna nuk i ka as 30 ari në asnjë zonë kadastrale në emër të vetë”, tha ai.

I njëjti shtoi se sipas fizibiletit që e ka bërë komuna, zona në fjalë ka qenë zona më potenciale e mundshme për zhvillimin dhe krijimin e bizneseve te reja, bartjen e të gjitha institucioneve të komunës.

Kjo sipas tij, duke përfshirë spitale, salla të brendshme, stacione policore, për interesin e përgjithshëm publik, duke pasur parasysh edhe hyrje-daljet afër me autostradën.

Krejt në fund, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismajli e pyeti dëshmiatrin Morina në lidhje me arsyet e mosrealizimit projektit për krijimin e zonës ekonomike në Maliveshë.

Dëshmitari Morina u përgjigj duke thënë se vendimi i Qeverisë lidhur me këtë çështje është aprovuar në vitin 2018 ose 2019, por që sipas tij nuk është zbatuar sepse në janar të vitit 2020 qeveria e cila kishte ardhë pas zgjedhjeve, kishte kthyer në gjendjen zero të gjithë procesin e shpronësimit.

Seancat e radhës u caktuan për 11 dhe 12 tetor të këtij viti.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 1 korrik 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Faton Thaqi, Nazmi Kafegjollii dhe Ahmet Rrahmani.

Sipas aktakuzës, Ragip Begaj, Hajdin Bersiha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaqi, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtarë”.

Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “shpëlarje parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “mashtrim”.

Sipas aktakuzës, Begaj akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me ministrin e atëhershëm të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe zëvendësministrin e kësaj ministrie, Faton Thaqi duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, duke e shpallur zonë me interes të veçantë.

Sipas aktit akuzues, Bashkim Krasniqi në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi dhe Kadastër, Malë Krasniqi në cilësinë e shefit të shërbimeve të Gjeodezisë, Hajdin Berisha në cilësinë e nënkryetarit të komunës dhe Faton Thaqi në cilësinë e zëvendësministrit, akuzohen se në bashkëkryerje nga periudha kohore 22 maj 2018 deri më 5 qershor 2018, varësisht nga pozitat, kanë shfrytëzuar autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat e tyre kanë mundësuar shpalljen e zonës me interes të veçantë ekonomik me qëllim të themelimit të Zonës Ekonomike në Komunën e Malishevës, në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në mënyrë që të vazhdohej me procedurat e shpronësimit.

Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari Malë Krsaniqi, pasi e kishte ditur për krijimin e Zonës Ekonomike, kishte blerë pronë në zonat kadastrale Banjë dhe Lladrovc me çmim prej 25 euro për ari, duke qenë në dijeni se këto prona do të shpronësohen nga Qeveria e Kosovës, e ku çmimi do të ishte shumë më i lartë.

Sipas aktakuzës i akuzuari Nazmi Kafexholli, akuzohet se në cilësinë e inspektorit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, duke qenë në dijeni për krijimin e Zonës Ekonomike, dhe me qëllim që t’i rrit vlerën tokës, kishte marrë me qera pronën e të ndjerit M.H. ku kishte ngritur pemishte për çka kishte përfituar edhe grante nga Ministria e Bujqësisë.

Tutje, sipas aktit akuzues, Ahmet Rrahmanaj nga viti 2007 deri më 2013 në vazhdimësi duke e ditur se parcelat e tokës në pronësi shoqërore janë blerë dhe krijuar me aktivitete kriminale, ka transferuar dhe njëkohësisht ka tentuar të transferojë pronat me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës dhe shmangies nga pasojat juridike.

Në aktin akuzues thuhet se Rrahmanaj, ka privatizuar pronat e “Newco Mirusha” tokë bujqësore në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në Komunën e Malishevës me çmim artificialisht të ulët 1,222,333.00 euro sipërfaqe prej 1,157 hektarë e 51 ari për 99 vite, për këtë i akuzuari më 11 korrik 2013 ka bërë bartjen e tokës në emër të personit tani të ndjerë M.H. si përfitues i tokës në sipërfaqe prej 203 hektar e 11 ari, ku për këtë transaksion, të akuzuarit i ishin transferuar 200 mijë euro në llogari bankare, mirëpo të njëjtat ia kishte kthyer të ndjerit M.H. dhe gjithë kjo ishte bërë me qëllim të kinse shitblerjes që kishte ndodhur në vitin 2007.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera