Lajme

Gjykimi i Salih Mustafës Hagë, dëshmitari i dhjetë i mbrojtjes thotë se emri “Cali” nuk ka pasur ndonjë rëndësi për të

Autori: Gazeta inFokus 14:18 | 13 April 2022

Dëshmitari i dhjetë i mbrojtjes, Shaqir Rrahimi, ka thënë se kur ishin duke transportuar të plagosurit Nuredin Ibishi dhe Kapllan Parduzi nga Koliqi për në Rimanishtë ka dëgjuar një nga personat që po i përcillnin me një traktor duke thënë “Cal, a po shkojmë në të djathtë a të majtë”Fillimisht, në sesionin e dytë të së martës në gjykimin ndaj Salih Mustafës, duke u përgjigjur në pyetje të prokurorit Filipe Deminiqes, dëshmitari Rrahimi ka thënë se në atë kohë kur po transportonin të plagosurit Kapllan Parduzi e Nuredin Ibishi, emri “Cali” nuk ka pasur ndonjë rëndësi për të.

Ndërkaq, konfirmoi se dikush që nuk e njihte përmendi emrin “Cali Cali” gjatë transportimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.“Pas 23 vitesh, jeni i sigurt që e mbani mend këtë emër”, pyeti Demininqes, e dëshmitari këtë e konfirmoi.

Po ashtu konfirmoi se po binte shi dhe po voziste traktorin, ndërkaq po ashtu konfirmoi se deri në Koliq kishte dy traktorë para tij, që e kanë përcjellë.

-Advertisement-

“Deri në Koliq më ka përcjell Rrahman Zeka dhe Sabit Rrahimi me nga një traktor, dy traktorë janë kon para meje”, bëri të ditur ai.

Ndërsa, konfirmoi se nga aty dy persona të tjerë që nuk e njihnin e kishin përcjell.

“Dy traktorat, në momentin që ka ardh traktori që po kërkon ti, me këta dy personat ka qenë me nga një traktor. Gjatë asaj kohës unë jam kon vetëm me traktor”, tha tutje Rrahmani.

Tutje, dëshmitari Rrahmani, tha se për dy minuta janë afruar këta dy persona në rimorkion ku ishin Parduzi e Ibishi.

Kurse, tha se në ato momente, ai siç tha edhe më herët, për nevoja personale të tij është ndalur dy minuta dhe gjatë kësaj pauze kanë mundur të bisedojnë në ato dy minuta e më shumë jo, pasi nuk kanë pasur kohë të ndalen e bisedojnë pasi ishte në pyetje jeta apo vdekja.

Prokurori Deminiqes, e pyeti se i ka parë kur janë afruar te rimorkio, e dëshmitari tha se një person e ka parë, për dytë nuk mund të thotë, por se njërin e ka parë si “blic”.

“Thash traktori prej Koliqi, që kanë dal civil me na përcjell, janë kon dy, me sa më duket mu thash një person ka mujt me shku te traktori, te rimorkio, ajo ka zgjat dy minuta, qajo pauzë”, tha dëshmitari Rrahmani.Sipas dëshmitarit, në momentin kur ka ardhur traktori me këta dy persona, gjatë rrugëtimit, duke ecur, pasi nuk kanë pas kohë të bisedojnë e përshëndeten sepse ishte kohë lufte, gjendje e rëndë dhe kishin dy pacientë.

“Në atë moment një person e ka vet, me sa më duket “Cal a me shku në të djathtë apo në të majtë”, thotë dëshmitari Rrahmani, dhe personi që bëri këtë pyetje tha se ishte njëri nga personat që erdhi me traktorin tjetër.

Po ashtu ky dëshmitar, tha se ky traktor ka vazhduar para tyre 200 metra në distancë dhe se fjalën “a po shkojmë në të djathtë a majtë Cal” e ka dëgjuar kur traktori i ka parakaluar në fillim.

“Qaj 200 metërshi te unë osht, qysh pe kuptoj unë, qat 200 metërshin, transit afërsi kur kena bo me traktora, qaty ka thënë Cal në të djathtë a majtë, qaty e kam ni emrin Cal, traktori i parë ka vazhdu njo 200 metra para neve”, tha dëshmitari.

Sipas tij, emrin “Cali” e ka dëgjuar nga pasditja, ndoshta rreth orës 4.

“23 vite më vonë të kujtohet se kur ky traktor ishin duke ju parakaluar të kujtohet se ke dëgjuar një person duke i thënë tjetrit Cali nga cila rrugë të shkojmë, kjo është dëshmia juaj sot”, pyeti prokurori, kurse dëshmitari e konfirmoi këtë.

Më pas, dëshmitari Rrahmani tha se me një nga këta personat, kur ishin ndal kishin biseduar “çka ndodhi, kam nevoja personale”. E këtë tha se nuk e ka përmendur në deklaratën për mbrojtjen pasi nuk e mendoi të rëndësishme dhe kanë kaluar 23 vite.

“Pala mbrojtëse të pyeti, gjatë këtij udhëtimi kur kishit arritur në Rimanishte, a keni pas kontakt me ndonjë nga këto persona, dhe thatë absolutisht jo. Por, tani po thoni që keni shkëmbyer disa fjalë kur t’i ndalove për t’i kryer nevojat personale. Ajo që po pyes a e keni kujtesën të freskët për atë ngjarje tani edhe pas 23 vite”, pyeti Deminiqes.

Tutje, dëshmitari tha se 23 vite janë në pyetje, ndërkaq tha se kur e ka ndal traktorin kanë biseduar “çka ka ndodh, kurgjo s’ka ndodh, për nevoja të mia personale” dhe se asnjë bisedë tjetër nuk kanë pasur.

“Por, avokati mbrojtës të pyeti nëse kishe patur kontakt me këto persona gjatë këtij udhëtimi dhe përgjgja e juaj ishte absolutisht jo. Nuk thatë kam folur shkurtimisht kur ndalova, por the absolutisht jo”, tha prokurori Deminiqes.

“Nuk po e ndryshoj mendjen, por se kam llogarit bisedë “çka ka ndodh, kurgjo s’ka ndodh” Se vlerësoj bisedë ato”, tha dëshmitari Rrahmani.

Ai sërish u pyet si mund të ishte i sigurt para një orë që nuk kanë pasur kontakt, e tani po i kujtohet që jo vetëm ka pasur kontakt, por ka shkëmbyer fjalë.

“Diçka s’po funksionon, kontakt një distancë 3 metra, nuk e llogariti kontakt ato dhe po ta them shumë të vërtetën. Edhe bisedë “çka ka ndodh, kurgjo s’ka ndodh” qikaq, kaq shkurt ka qenë ai takim”, tha dëshmitari.

“Por, kjo që ka ndodh, quhet kontakt zoti dëshmitar. Nuk jemi lojë fjalësh, kjo është mënyrë kontakti”, i tha gjykatësja Mappie Veldt- Foglia.“S’mu ka dok e arsyeshme me thon kontakt”, tha dëshmitari Rrahmani.

Sipas dëshmitarit, kur është bërë biseda me këtë personin kanë qenë larg 7-8 apo 10 metra.

“Ka ndonjë arsye pse tu kujtua kur fillova të të pyes unë ky takimi sepse nuk e kishe përmendur përpara”, pyeti prokurori.

“Kontakt e kam llogarit me personin që fol, bisedon 2 minuta, 3 minuta, veç përshëndetje se kom llogarit kontakt, kjo është arsyeja e vetme”, tha dëshmitari.Avokati Betim Shala, pasi përfundoi marrjen në pyetje prokuroria, e ka pyetur dëshmitarin se a ka pasur kontakt me mbrojtjen se pasi ata i parashtruan pyetje dhe shkuan në pushim, ku këtë e mohoi dëshmitari.

Ndërkaq, ai po ashtu pohoi se hera e parë që ka pasur kontakt me avokatin Shala ishte sot kur po i bënte pyetjet.Tutje, duke u përgjigjur në pyetje të anëtarit të trupit gjykues, dëshmitari tha se nuk e di sa orë i kanë mbajtur nga Koliqi deri në Rimanishtë, pasi nuk kanë pasur orë, nuk kanë pasur GPS e kanë qenë me traktora llom.

Pas përfundimit të dëshmisë së këtij dëshmitari, seanca e së martës ka përfunduar.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ

Të tjera