Lajme

Gjykatat nuk u japin prioritet rasteve të aksidenteve me fatalitet

Autori: Gazeta inFokus 21:59 | 28 September 2021

Aksidentet trafiku në Kosovë çdo herë kanë qenë në numër të madh të rasteve, ku fatkeqësisht nuk kanë munguar edhe aksidentet me fatalitet, shkruan Gazeta Infokus.

Në lidhje me këtë Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se këto raste nuk po trajtohen me prioritet dhe se fajtorët nuk po marrin dënimin e merituar.

Hulumtuesi i lartë në IKD, Mirvet Thaqi ka thënë për Gazetën Infokus se kanë hasur në raste që presin me vite për një zgjedhje finale.

-Advertisement-

“Gjatë monitorimit të punës së gjykatave, në vazhdimësi hasim raste të këtyre të këtyre veprave penale që kanë vite me radhë që presin në sirtarët e gjykatave për të marrë epilogun final”, ka thënë Thaqi për Infokus-in.

Ai tha se sipas tij është e domosdoshme që gjykatat t’i japin prioritet trajtimit dhe zgjidhjes së këtyre rasteve, marrë parasysh rëndësinë dhe pasojat e këtyre veprave penale.

“Për më tepër, zvarritja në trajtimin e këtyre rasteve e zbeh besimin e qytetarëve në punën e sistemit gjyqësor”, tha ai.

Ai gjithashtu shtoi se krahas kësaj IKD ka gjetur se kryerësit e veprave penale të aksidenteve në trafik që kanë pasoja fatale nuk po marrin dënimin e merituar.

Sipas tij  dënimet e shqiptuara nga gjykatat e vendit janë tepër të ulëta dhe nuk po janë aspak në harmoni me pasojat e këtyre veprave penale.

“Për më tepër, edhe pse legjislacioni ynë penal në fuqi ka përcaktuar se për këto vepra penale mund të shqiptohen dënime nga tre deri në 12 vjet, praktika gjyqësore ka dëshmuar se ndaj këtyre kryerësve shpeshherë shqiptohen dënime me burgim minimal, e rrallë herë shqiptohet dënimi maksimal që parashihet për këtë vepër penale”, shtoi ai për Gazetën Infokus.

Në fund Thaqi tha se rrjedhimisht kjo politikë ndëshkimore që po aplikohet nga gjykatat nuk po i kontribuon arritjes së qëllimi të dënimit e aq më pak nuk ndikon as në veprime që parandalohen në të ardhmen.

E këtë e dëshmon rritja e vazhdueshme e aksidenteve që si pasojë kanë vdekjen./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita po tërheq klientë seriozë në Panarin IMM, në Këln të Gjermanisë

Të tjera