Lajme

Gërvalla për ndalimin e kosovarëve në Serbi: U pyetën për vitin 1999 dhe për UÇK-në

Autori: Gazeta inFokus 19:40 | 17 April 2024

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka deklaruar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka filluar t’i realizojë kërcënimet e tij që i kishte bërë për javë të tëra nëse Kosova anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

Sipas ministres, ndalja e kosovarëve në pikat kufitare të Serbisë me shtete të tjera sot është si pasojë e vendimit të djeshëm të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që ishte pro anëtarësimit të Kosovës.

“Jemi ballafaquar me një situatë ku Serbia kishte ndaluar kosovarët që ishin në automjete dhe autobusë, qoftë në hyrje apo dalje të Serbisë në pikat e saj kufitare me shtetet përreth. Një veprim i tillë e ka një arsye e që bazohet në ditën e djeshme. Jemi dëshmitarë të deklaratave kërcënuese të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë ditëve dhe javëve të kaluara që ishin jo vetëm për Kosovën por edhe për mbështetësit tanë, ai ka kërcënuar se nëse Kosova merr vota pozitive do të ketë pasoja”.

-Advertisement-

“Dje atij nuk i eci propaganda dhe frika, ndërsa sot ka filluar t’i jetësojë kërcënimet e tij, në këtë kontekst ka ndaluar qytetarë dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka deklaruar se në kontaktet që patën me qytetarë dhe familjarët e tyre thuhet se një pjesë e tyre janë marrë në pyetje nga policia e Serbisë.

“Nga biseda direkte që kemi pasë me udhëtarët dhe familjarët e disa prej tyre, po ashtu edhe në takimet e përfaqësuesit të Republikës së Kosovës në Serbi i cili ka qenë në vendin e ngjarjes, është parë se janë shkelur masivisht të drejtat e qytetarëve tanë”.

“Një pjesë i janë nënshtruar edhe bisedave informative. Në shumë prej këtyre marrjeve në pyetje është folur për vitin 1999, janë pyetur për anëtarë të UÇK-së dhe se mos ka të tillë në mesin e udhëtarëve”, ka thënë Gërvalla.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm

Të tjera