Lajme

Flasin ministrat e qeverisë Hoti që u punësuan në Bordin Drejtues të FSSH-së me pagë 850 euro

Autori: H. Smajli 13:48 | 26 October 2020

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj e ai i Punës e Mirëqenies Sociale, Skender Reçica kanë vendosur të flasin për pozitat që mbajnë në Bordin Drejtues të Fondit për Sigurime Shëndetësore, ku marrin kompensime shtesë në vlerë deri 850 euro.

Pas raportimit të Gazetës inFokus se tre ministra të qeverisë Hoti krahas pagave bazë kompenzohen majmë edhe për pozitat që mbajnë në këtë bord, disa i kanë rënë pishman e disa e vlerësojnë krenari të qenit drejtues.

LEXO EDHE: SKANDALOZE: Tre ministra të qeverisë Hoti punësojnë veten në bordin e FSSH-së, paga nga 850 euro

-Advertisement-

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica ka thënë për Gazetën inFokus se kjo pagesë e cila bëhet me vendim të qeverisë është e papranueshme pasi kjo punë duhet të kryhet pa pagesë nga ministri drejtori apo kushdo qoftë në krye të kësaj detyre.

Ai ka thënë se është kundër pagesës 750 euro që merr si anëtar i Bordit Drejtues të FSHS-së. Unë kam bërë thirrje publike sepse kjo është praktikë e keqe për punën nga detyra zyrtare për punën që e kryejmë dhe kjo praktike duhet të hiqet menjëherë një herë e mirë, këtë e kemi thënë qysh në mbledhjen e parë të këtij bordi. Unë jam kundër kësaj praktike pavarësisht se kush dëmtohet, unë si ministër mund të kryej detyra çfarë më obligon ligji si ministër dhe për këtë nuk duhet të paguhem kështu e kam thënë dhe kështu duhet të jetë”, ka thënë ai për inFokus.

Po ashtu Reçica ka thënë se ka bërë kërkesë tashmë që kjo pagesë të largohet, shkruan Gazeta inFokus.

“Për mu është çoroditje kjo pagesë qofshin ministra qofshin drejtor qofshin çka do.  E ke një kontratë dhe në kuadër të saj duhet ti kryesh ato detyra që ke me ligj, për mua kjo praktikë duhet të ndalet një herë e mirë.   Ne kemi bërë kërkesë që kjo pagesë të largohet, kemi kërkuar që kjo çështje të largohet sepse për mua është e papranueshme. Ne jemi emëruar me vendim të qeverisë anëtar të Bordit Drejtues të Fondit për Sigurime Shëndetësore. Anëtarët emërohen në bazë të ligjit edhe ne qysh në mbledhjen e parë e kemi ngrit këtë dilemë për këto pagesa mirëpo na kanë thënë se është e rregulluar në atë formë nga vendimi i qeverisë”, ka thënë ministri.

Ndryshe nga ai ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj e vlerëson të domosdoshme prezencën e tij në këtë bord, shkruan Gazeta inFokus.

Zemaj në një intervistë për Arbresh .info nuk e ka komentuar fare pjesën e pagesës prej 850 euro që merr si drejtues i këtij Bordi.

“E para, përbërjen e Bordit drejtues të FSSH-së e përcakton Ligji Për Sigurimet Shëndetësore, i cili thotë se ky bord drejtohet nga Ministri i Shëndetësisë. E dyta se nga unë kërkohet përgjegjësi, e treta, transparenca ime, të jem real me përditshmëritë  e qytetarëve, qasja ime ndaj ligjit, rëndësisë së tij dhe për pacientët që meritojnë të kenë sigurim shëndetësor. Niveli i përgjegjësisë parandalon shumë të gjetura negative që  janë evidentuar në atë institucion, në raportet për trajtime jashtë vendit  por edhe ecjen dhe progresin që duhet të ketë Fondit për Sigurime Shëndetësore në të ardhmen”, ka theksuar Zemaj.

E ajo që ende nuk është deklaruar në lidhje me këtë pagesë të dytë që po marrin ministrat është Hykmete Bajrami.

Gazeta inFokus ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Financave, për të marrë një përgjigje nga ministrja Hykmete Bajrami por që të njëjtit nuk janë deklaruar deri në publikimin e këtij teksti.

Gazeta inFokus javën e kaluar raportoi ekskluzivisht për Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj që është drejtues i këtij bordi, si dhe ministrin e punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçicen e Ministren e Financave, Hykmete Bajramin që janë anëtarë të këtij bordi e që me vendim të qeverisë së Kosovës, ata kompensohen me pagë 850 euro si drejtues i Bordit dhe 750 si anëtarë i tij./Gazeta inFokus/ 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera