Sport

Është java e El Clasicos/ Pa Messin e Ronaldon, por me të njëjtin rivalitet

Autori: Gazeta inFokus 10:29 | 21 October 2021

El Clasico mbetet El Clasico, edhe pa Messin e Ronaldon, të cilët tani nuk janë më në kampionatin spanjoll, megjithatë rivaliteti mes Barcelonës dhe Realit të Madridit nuk mund të zbehet asnjëherë, qoftë për rrethanat sportive, qoftë për ato politike.

Pasditen e të dielës, dy klubet më të mëdha spanjolle do të “matin forcat” në “Camp Nou”, teksa e veçanta e kësaj përballjeje është se për herë të parë pas 16 vitesh (më 19 nëntor 2005 ka luajtur Messi El Clasicon e parë), nuk do të jetë në fushë as Lionel Messi dhe as Cristiano Ronaldo, dy prej futbollistëve që i kanë dhënë tonin futbollit botëror në më shumë se një dekadë.

Reali është ambientuar tashmë pa portugezin Ronaldo, i cili ka nisur sezonin e tij të katërt larg Madridit, ndërsa katalanët po vuajnë ende tranzicionin “post Messi”, me argjentinasin që vetëm këtë verë vendosi të vijojë karrierën në Paris.

-Advertisement-

Aktualisht të dy skuadrat kanë zhvilluar nga 8 ndeshje në kampionat dhe kanë vetëm dy pikë diferencë nga njëra-tjetra, me Realin që mban vendin e dytë me 17 pikë dhe Barçën që ka zbritur në të tetin me 15 pikë.

Te katalanët numrin 10 e ka marrë sulmuesi i talentuar Ansu Fati, i cili sapo ka rinovuar edhe kontratën me Barcelonën dhe është projektuar si pjesë qendrore e projektit të klubit “blaugrana”, ndaj të dielën pasdite duhet të dëshmojë se është në lartësinë e duhur për të marrë përgjegjësi mbi supe.

Nga ana tjetër, pavarësisht lëvizjeve të shumta në merkato, Reali ka vuajtur jo pak gjetjen e pasuesit të Cristaino Ronaldos, megjithatë misionin e dërgimit të topit në rrjetë e ka marrë tashmë veterani francez, Karim Benzema, i cili po impresionon me shifrat e tij, pasi ka shënuar 9 gola dhe ka dhënë 7 asiste në 8 ndeshje të kampionatit.

Po kush do ta vendosë “El Clasicon” e të dielës? Pak rëndësi, ka, sepse Barcelona-Real Madrid premton një 90-minutësh spektakolar.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Black Friday ne Artmotion

Të tjera