Fokus

Eksperti britanik: “Aventura” e rrezikshme e Qeverisë për tranformimin e Trepçës (Raport ekskluziv)

Autori: Agon Sinanaj 14:14 | 06 July 2018

Qeveria e Kosovës para vetes e ka një studim fizibiliteti për Trepçën përmes të cilit pritet të vendos për të ardhmen e gjigantit metalurgjik. Atij të porositur nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në vitin 2017.

Por në asnjë rresht të këtij studimi nuk përmendet vlera e aseteve të kësaj ndërmarrjeje. Shndërrimi në shoqëri aksionare dhe futja e kapitalit privat do të bëhen pa një analizë rreth vlerës së aseteve.

Gazeta Fokus ka siguruar një raport të detajizuar të ekspertit britanik Iraj Hashi, profesor i ekonomisë në Universitetin Staffordshire, i cili është angazhuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në vitin 2017, për ta komentuar studimin e vetëm që e ka kryeministri mbi tavolinë për të ardhmen e Trepçës.

-Advertisement-

Raportin e plotë mund ta lexoni duke klikuar këtu:

Në raportin e tij, Hashi thotë se përfshirja e investitorëve privatë dhe vendimi për pjesën e tyre në çdo sipërmarrje të përbashkët, varet pa dyshim nga vlera e kompanisë ose e njësive individuale të biznesit. Mirëpo ai shpreh habinë sesi kjo nuk është marrë fare në konsideratë nga kompania që e ka kryer studimin e fizibilitetit për Trepçën.

“SFT nuk ka llogaritur një vlerë, apo edhe një vlerë të përafërt, për Trepçën. Kjo është përkundër faktit që ekipi i SF-së ka pasur qasje në listën e aseteve të Trepçës (faqe. 235-254 dhe plotësisht e specifikuar në Aneksin 1 nën subjektet kryesore) me vlerat e tyre dhe llogaritë e audituara të Trepçës Veri dhe Jug”, thotë ai.

Studimi i fizibilitetit, sipas ekspertit britanik, në përgjtihësi është shumë i heshtur në pyetjen e rëndësishme për vlerën e Trepçës apo subjekteve të tjera të saj, duke i cituar dokumentet e pamjaftueshme si arsye.

“Metoda e preferuar e pjesëmarrjes së sektorit privat (IPPP) përfshin, nga njëra anë, themelimin e një ose më shumë ndërmarrjeve me pjesëmarrje të  përbashkëta nga Sh.A Trepça (ose ndonjë nga njësitë e saj afariste) dhe, nga ana tjetër, investitorë privatë, në përmasa që duhet të negociuar më vonë. Përfshirja e investitorëve privatë dhe vendimi për pjesën e tyre në çdo sipërmarrje të përbashkët, varet pa dyshim nga vlera e kompanisë ose e njësive individuale të biznesit”, thotë ai.

Sipas britanikut, ka qenë krejtësisht e mundur të përcaktohej vlera e aseteve të ndërmarrjes duke përdorur vlerat e tregut për pronën ose tokën si dhe vlerën e disa pasurive duke përdorur njohuritë e ekspertëve. Megjithatë, kjo nuk është bërë. Studimi vetëm pohon se ka ofruar “bazën për hulumtimin paraprak të plotë, pas të cilit duhet të zhvillohet një jetë e përshtatshme e Minierave, duke formuar bazën e një plani të ri tekniko-ekonomik dhe financiar dhe përcaktimin e vlerës së SHA Trepçës”.

“Kjo është një mangësi e madhe që ndikon në zhvillimin e kompanisë, veçanërisht në aspektin e pjesëmarrjes së saj të ardhshme të sektorit privat. Zbatimi i Ligjit për Trepçën nuk mund të presë për këtë proces mjaft të gjatë”, thotë Hashi.

Një çështje tjetër shumë e rëndësishme ka të bëjë me paqartësitë rreth fatit të punëtorëve. Sipas  Ligjit të ri për Trepçën, statusi i aksioneve të punonjësve duhet të hulumtohet në detaje dhe gjithashtu diskutimi i statusit të tyre ligjor.

Por sipas profesorit britanik kjo nuk është krejt e qartë në studimin e fizibilitetit.

” Vlera e aksioneve të Sh.A Trepça është e rëndësishme si nga pikëpamja e punonjësve po ashtu edhe nga investitorët privatë. Pyetjet e shtruara janë: Sa është vlera e secilit aksion? A e posedojnë punonjësit 20% e vlerës së SHA Trepçës apo 20% e vlerës së Njësisë së Biznesit në të cilën ata ishin të punësuar? Cila është qeverisja e ndërmarrjeve me pjesëmarrje të përbashkët në bazë të asaj se kush ushtron kontrollin e menaxhimit? A janë aksionet e punonjësve aksione të zakonshme ose aksione preferenciale (aksione pa të drejtë vote)? A janë aksionet e punonjësve të transferueshme dhe të tregtueshme apo a duhet që punonjësit të mbajnë ato për një periudhë të caktuar (2-3 vite, p.sh.)”, thuhet në raport./Gazeta Fokus/

Gazeta Fokus do të botoj në vazhdim mendimet e ekspertit britanik dhe dy eksperteve tjerë të angazhuar për komente nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Comodita në Las Vegas Market prezanton linjat e reja të dyshekëve për tregun amerikan
-Advertisement-

Të tjera