Lajme

Ekspertët thonë se zbutja e varfërisë mund të zbusë krizën e migracionit

Autori: Gazeta inFokus 20:37 | 24 November 2024

Ekspertët thonë se varfëria dhe uria janë faktorët kryesorë që shkaktojnë krizën globale të migracionit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Aline Barros ekspertët thonë se hartimi dhe zbatimi i programeve dhe politikave efektive të sigurisë sociale mund të ndihmojë në zbutjen e shkaqeve që detyrojnë njerëzit të largohen nga vendet e tyre.

Steve Seide ishte student i shkencave politike në Haiti. Ai u largua në vitin 2023 sepse nuk gjente punë atje. Siguria gjithashtu ishte një shqetësim. Emigranti 22 vjeçar thotë se e detyrua të largohej për një jetë më të mirë.

“Situata atje është e vështirë. Zgjodha Brazilin sepse dëgjova për mundësitë për punë dhe se sa mikpritës janë brazilianët”, thotë Steve Seide, emigrant nga Haiti.

-Advertisement-

Për të shkuar në Brazil, ai kaloi në mënyrë të paligjshme në Republikën Domenikane. Ai thotë se rruga ishte e rrezikshme dhe e shtrenjtë.

“Herën e parë, nuk arrita të kalojë kufirin, por u ktheva”.

Zoti Seide kaloi një muaj në Republikën Domenikane. Ai punonte dhe kursente para. Pas një muaji, mori një vizë për qëllime humanitare dhe tani jeton në Brazil në kërkim të stabilitetit ekonomik.

“Në jetë, nuk duhet të ndalesh. Nëse dëshiron të arrish diku, duhet të luftosh deri në fund”, thotë ai.

Sipas policisë federale braziliane, rreth 164,000 haitianë jetojnë në Brazil.

Brazili së fundmi priti udhëheqësit e 20 vendeve më të zhvilluara të botës në Rio de Zhaneiro. Ekspertët që ishin të pranishëm aty thonë se vendet e G20-ës duhet të kenë gati politikat për të integruar emigrantët në shtëpitë e tyre të reja.

“Kjo duhet të trajtohet gjithmonë nga perspektiva e të drejtave të njeriut. Udhëheqësit e G20-ës duhet të pranojnë se migrimi ndodh edhe për shkak të çështjeve si varfëria, fatkeqësitë e shkaktuara nga ndryshimet klimatike, luftërat dhe konfliktet”, thotë Paolo Illes, themeluesi i Qendrës për të Drejtat e Njeriut dhe Shtetësinë e Emigrantëve në Sao Paulo.

Në deklaratën e këtij takimi të G20-ës u ra dakord se është e rëndësishme të parandalohet migrimi i parregullt dhe të merret me shkaqet rrënjësore që shkaktojnë zhvendosjen e popullatës, si uria dhe varfëria. Wellington Dias, ministër i zhvillimit në Brazil, thotë se 2.4 miliardë njerëz në mbarë botën jetojnë në varfëri.

“Përtej çështjes së migracionit, unë gjithmonë them se uria dhe varfëria nuk janë vetëm probleme për ata që janë të uritur ose që jetojnë në varfëri. Është një problem për klasën e mesme, për të pasurit, për vendet e pasura dhe për individët e pasur”, thotë ministri Dias.

Ai thotë se njerëzit nga dëshpërimi mund të përfshihen në krime, duke krijuar probleme për të gjithë.

Për këtë arsye, një nga nismat kryesore të G20-ës është krijimi i Aleancës Globale Kundër Urisë dhe Varfërisë.

Aleanca synon të sigurojë fonde për 500 milionë njerëz dhe ushqime në shkollë për 150 milionë fëmijë. Më shumë se 80 vende, 24 organizata ndërkombëtare, nëntë institucione financiare ndërkombëtare dhe 31 organizata filantropike janë bashkuar me këtë nismë deri më tani.

“Nuk është më vetëm sigurimi i ushqimit; ne po flasim për zbatimin e një plani zhvillimor që përmirëson arsimin, i cili është një element kyç për zhdukjen e varfërisë, si dhe shëndetësinë, ekonominë, krijon vende pune dhe përmirëson infrastrukturën”, thotë Wellington Dias, ministër i zhvillimit në Brazil.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, lidhja midis pasigurisë ushqimore, migrimit dhe zhvendosjes është e ndikuar shumë nga ndryshimet klimatike, fatkeqësitë natyrore, konfliktet dhe varfëria që ishin temat kryesore gjatë takimit të G20-ës në Brazil. /VOA

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nëse doktor Mitrev do të përdorte hemofiltrimin me qëllim që të mashtruar pacientët, do t’i kishte mashtruar të gjithë 1738…
-Advertisement-

Të tjera