Fokus

Ekskluzive: Plani i Albin Kurtit për konfiskimin e pasurisë së të korruptuarve (Dokument)

Autori: Hateme Smajli 12:24 | 14 April 2021

Nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk arrin të dëshmoi se si e paguan qiranë e shtëpisë së re, me shumë gjasë do të mbetet në rrugë.

Në dokumentin, të cilin ai vetë e aprovoi këtë javë në Qeveri, i hapet rrugë miratimit të një ligji special për konfiskimin e pasurisë.

Gazeta Infokus ka siguruar të plotë dokumentin me të cilin parashihet rregullimi i infrastrukturës ligjore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, i cili do të prekë jo vetëm liderët politik dhe udhëheqësit e institucioneve.

-Advertisement-

Kjo është pasuria e Albin Kurtit e cila mund të konfiskohet

Në bazë të propozimit të Ministrisë së Drejtësisë, ligji i ri do të mundësoi konfiskimin e pasurisë së secilit qytetarë të Kosovës, i cili nuk arrin të dëshmoi se si e ka fituar atë.

Sipas këtij modeli, në rastet kur prokurori apo organet e tjera të autorizuara kanë dyshime se pasuria e personave të caktuar është fituar përmes veprimtarisë joligjore, atëherë ata mund të bëjnë kërkesë për konfiskimin e pasurisë edhe në rastet kur ndaj personave të tillë nuk ekziston një aktgjykim dënues, shkruan Gazeta Infokus.

“Pra, sipas këtij modeli lejohet konfiskimi i pasurisë me origjinë joligjore edhe pse nuk është dëshmuar paraprakisht se është kryer vepra penale përmes së cilës është përfituar pasuria në fjalë. Fushëveprimi i këtij modeli, në parim, shtrihet mbi të gjithë qytetarët, pa kufizime në kategori të caktuara”, thuhet në dokumentin e miratuar tashmë nga Qeveria e Kosovës.

Ministria e Drejtësisë beson se miratimi i opsionit nr. 3 i cili mundëson realizimin e konfiskimit në procedurë civile dhe në mungesë të aktgjykimit dënues, do të mundësojë funksionimin e drejtë të sistemit të konfiskimit të pasurisë dhe demotivim të kriminalitetit në vend, shkruan Gazeta Infokus.

Modelin që mori Kosova për konfiskimin e pasurisë

Në hulumtimin, të cilin e posedon Gazeta Infokus shihet se janë marrë model Irlanda, Mbretëria e Bashkuar, Sllovenia, Italia e Gjermania.

“Modeli i parë i konfiskimit, apo ai in rem, është përqafuar nga një numër i madh i shteteve në Evropë. Irlanda konsiderohet si njëra prej storieve më të suksesshme në këtë drejtim. Qysh prej njohjes së konfiskimit civil në verën e vitit 1996, shteti irlandez morri pozitën prijëse në kapjen e pasurisë së paligjshme në mungesë të aktgjykimit dënues. Konfiskimi civil në Irlandë rregullohet përmes Aktit mbi të Ardhurat e Krimit (Proceeds of Crime Act)”.

Procedura e paraparë përmes këtij akti ligjor operon jashtë sistemit konvencional të drejtësisë penale, shkruan Gazeta Infokus.

“Kjo nënkupton se përmes tij nuk kërkohet që një person të jetë i dënuar për kryerjen e një vepre penale në mënyrë që fillohet procedura për konfiskimin e pasurisë. Në fakt, jo vetëm që nuk kërkohet një aktgjykim dënues mirëpo nuk është i nevojshëm as edhe inicimi i procedurës penale”.

Ngjashëm me Irlandën, thuhet se edhe Mbretëria e Bashkuar njeh konfiskimin civil të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme.

Në këtë koncept dokument, të cilin e posedon Gazeta Infokus, thuhet se objekt specifik është Fuqizimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe sundimi i ligjit.

Ndërkaq, nevoja e një ligji të ri thuhet se vjen edhe si rezultat i hezitimit të ndjekjes së personave me lidhje të fuqishme politike.

“Një numër të raporteve të organizatave të shoqërisë civile në vend është gjetur se Prokurori i Shtetit ka injoruar rastet ku mundësia për sekuestrim dhe konfiskim të pasurisë së fituar me vepër penale është shumë e madhe. Këto raporte theksojnë se Prokurori i Shtetit gjatë shenjëstrimit të rasteve të rënda, anashkalon persona të cilët vijnë nga politika apo kanë lidhje të fuqishme politike përkundër natyrës së rëndë të veprave penale për të cilat akuzohen”, thuhet në dokument.

Gjithashtu, infrastruktura aktuale ligjore, sipas analizës së bërë në koncept dokument, ka qenë e mangët për të mundësuar konfiskimin e pasurisë së paligjshme, shkruan Gazeta Infokus.

Mangësitë e konfiskimit sipas Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, Mangësitë e Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë, Zvarritja e proceseve gjyqësore, Aktakuza dhe aktgjykime të mangëta lidhur me konfiskimin e pasurisë, Mungesa e specializimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në fushën e konfiskimit, janë disa nga shkaqet që sipas Ministrisë së Drejtësisë arsyetojnë krijimin e një ligji të ri.

Megjithatë, Ministria e Drejtësisë ka frikën që do të arrijë rezultate të kënaqshme edhe me ligjin e ri.

“… është jashtëzakonisht e rëndësishme të theksohet që për shkak të vështirësive në provimin e pronës nga ana e të dyshuarit në vendin tonë dhe mungesën e përvojës së organeve zbatuese të ligjit lidhur me konfiskimin civil, është e rëndësisë esenciale që dizajnimi i konfiskimit civil të bëhet me kujdesin më të madh të mundur në mënyrë që të evitohet mundësia e përdorimit arbitrar të këtij mekanizmi”, thuhet në dokument.

Në bazë të dokumentit, ekziston shqetësim që mund të ketë në cënim potencial të të drejtave të njeriut, me theks në të drejtën në pronë të qytetarëve të Kosovës.

Modeli i propozuar vlerësohet si shumë i ekspozuar ndaj problematikave që mund të vijnë me adoptimin e konfiskimit civil. Ai lë më shumë hapësirë për arbitraritet dhe shkelje eventuale të të drejtave të njeriut./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI-Universum International College rankohet me sukses në Times Higher Education Impact Rankings 2024
-Advertisement-

Të tjera