Ekonomi

Ekskluzive: Deputetët vajtojnë Telekomin, Devollët bëjnë negociata sekrete me menaxhmentin (Dokument)

Autori: Zekirja Shabani 14:45 | 14 May 2019

Derisa në Kuvendin e Kosovës po diskutohet për ta gjetur një zgjidhje për Telekomin e Kosovës, menaxhmenti i kësaj ndërmarrje po zhvillon diskutime të fshehta me kompaninë “Z-mobile”, për t’ia zgjatur jetën Blerim Devollit në Telekom.

Gazeta inFokus, ka siguruar dokumente ekskluzive që dëshmojnë se përfaqësues të dy kompanive janë takuar zyrtarisht disa herë këtë vit për të negociuar vazhdimin e marrëveshjes së Z-mobile me Telekomin.

Me datë 19 prill, një delegacion i udhëhequr nga Drejtori i zyrës Ligjore të PTK-së, Sabahedin Ramaxhiku, bashkë me katër zyrtarë tjerë janë takuar me ekipin e Dardafone.net llC (Zmobile) i udhëequr nga Ernest Jusufi, në emër të aksionarit Blerim Devolli.

-Advertisement-

Në këtë takim është diskutuar për detajet e vazhdimit të marrëveshjes për Operator Virtual Mobil  mes këtyre dy kompanive, pavarësisht se marrëveshja aktuale llogaritet se po e qon në falimentim Telekomin.

Në bazë të dokumenteve që posedon Gazeta inFokus, ky nuk është takimi i vetëm i zhvilluar mes këtyre palëve.

 

 

Në ditët në vazhdim inFokus do të raportoi në detaje të takimeve dhe bisedave që janë zhvilluar mes përfaqësuesve.

Cilat janë prapaskenat e marrëveshjes së re dhe deri ku kanë arritur bisedimet do të sqarohen në raportimet në ditët në vazhdim.

Kontrata aktuale, e cila llogaritet si më e dëmshmja për ndërmarrjen publike është lidhur më 16 janar të vitit 2009 kur “Telekomi i Kosovës” i mundëson kompanisë “Z-Mobile”, që të funksiononte si operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Kështu, Z-Mobile bëhet ortak në biznes të Telekomit me 0 euro investim.

Z-Mobile merr 72 për qind të të hyrave në bazë të marrëveshjes.

Më 25 janar të vitit 2016, Z-mobile e dërgoi Telekomin e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Kompania që udhëhiqet nga Blerim Devolli fillimisht përmes kësaj Gjykate kërkoi që Telekomi t’ia paguante 44 milionë euro dëmshpërblim.

Gjithë këto para, kompania i arsyetoi duke thënë se Telekomi e dëmtoi atë qëllimisht.

Z-mobile pretendonte që gjithë këto dëme iu shkaktuan gjatë periudhës 2011-2014.

Njëri prej dëmeve më të mëdha të cekura në padi, sipas kompanisë së Blerim Devollit ishte problemi me ofrimin e shërbimit 3G dhe 4G, si dhe ndarja e disa Sim Kartelave dhe numrave mobil, që Telekomi do të duhej të bënte ndaj Z-mobile, shkruan Gazeta inFokus

Asnjëra prej këtyre obligimeve sipas padisë nuk ishte përmbushur.

E përveç kësaj, aty theksohej se Telekomi drastikisht reduktojë kualitetin e shërbimeve vetëm për konsumatorët e Z-mobile.

Asokohe, drejtori menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa pati deklaruar se pretendimet e Z-mobile janë të pabaza.

Megjithatë, kjo shifër prej 44 milionë eurosh të kërkuara në Arbitrazh, tashmë ka zbritur në 25 milionë e 900 mijë euro.

Historia e marrëveshjes së dëmshme

Më 16 janar të vitit 2009 “Telekomi i Kosovës” i mundëson kompanisë “Z-Mobile”, që të funksiononte si operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Kështu, Z-Mobile bëhet ortak në biznes të Telekomit me 0 euro investim.

Z-Mobile merr 72 për qind të të hyrave në bazë të marrëveshjes.

Por, mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.

Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh.

Në vitin 2015, “Z-Mobile” pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes.

Më 9 dhjetor 2016 Arbitrazhi vendosi në favor të kësaj kompanie.

Sipas vendimit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G.

E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligoi Telekomin që t’i paguante rreth 26 milionë euro gjobë.

Në maj të 2017’ës, pronari i Z-Mobile, Blerim Devolli së bashku me drejtorin e atëhershëm të Telekomit, Agron Mustafën, kishin bërë një marrëveshje në këmbim të së cilës Devolli do t’i falte borxhin prej rreth 27 milionë eurove Telekomit, ndërsa do të kërkonte vetëm t’i paguheshin 4.5 milionë euro të cilat Z-Mobile i kishte shpenzuar gjatë procesin gjyqësor në Arbitrazh.

Pasi u pagua kjo shumë, gjithçka tjerër ra poshtë dhe Devolli vendosi që përmes Gjykatës në Prishtinë të kërkojë nga Telekomi t’i paguheshin 27 milionë eurot, pra të ekzekutohet vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Në vitin 2019 Blerim Devolli I ka dhënë goditjen e fundit Telekomit.

Devolli ia ka dërguar një letër kryeshefit të tanishëm të Telekomit, Bedri Istrefit, më 29 prill të këtij viti, ku i kërkon 25.9 milionë euro sa thotë se ia kanë borxh.

Nëse nuk ia paguan borxhin për 14 ditë, do të fillojë me procedura të përmbarimit.

Kjo nënkupton falimentimin e ndërmarrjes që po operon me rreth 14 milionë euro humbje në vit.

Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.

Kjo kompani ka përafërsisht 2400 punonjës, kurse paga mesatare, llogaritet të jetë mbi 730 euro.

Qeveria e Republikës së Kosovës është pronare e 100 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera