Lajme

DW: Kosova nisi zbatimin e vendimit për targat, SHBA dhe BE të zhgënjyera

Autori: Gazeta inFokus 12:43 | 01 November 2022
Qeveria e Kosovës bëri të ditur se do të fillojë zbatimin e vendimit për targat. Vendimi ka shkaktuar pakënaqësi tek partnerët.

Në Kosovë nisur të zbatohet vendimi i Qeverisë për targat ‘ilegale’ serbe të automejeteve, megjithë thirrjen e vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar që ky vendim të shtyhet edhe për 10 muaj. Në tre javët e para do të vlejë masa e “qortimit”, për të kaluar më vonë në fazën e dytë të dënimeve, ndërsa faza e tretë parashikon legalizimin e plotë të targave ilegale. Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveҫla, shkroi se “pronarët e automjeteve që qarkullojnë me targa ilegale, duhet të drejtohen në cilëndo nga Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS”.

“Ftoj të gjithë qytetarët tanë të cilët posedojnë mjete të pajisura me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri më datë 21 prill 2022, që të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS dhe kështu të përmbyllim me sukses këtë proces që kontribuon drejtpërdrejtë në sigurinë publike, sigurinë në trafik dhe kthimin e ligjshmërisë në vend”, shkruan ai në Facebook. Sveçla inkurajon qytetarët “që të mos mbesin peng të interesave politike dhe grupeve kriminale por të shfrytëzojnë të gjitha lehtësirat dhe të regjistrojnë automjetet e tyre në të gjitha Qendrat e Regjistrimit, pa marrë parasysh vendbanimin apo vendqëndrimin”.

BE dhe SHBA të zhgënjyera

-Advertisement-

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan qeverisë së Kosovës që të ketë shtyrje të  zbatimit të vendimit për 10 muaj, dhe jo implementim të vendimit në faza. Vetëm pak orë para se vendimi të fillojë së zbatuari, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se “SHBA-ja është e zhgënjyer që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën dhe këshillën e aleatëve ndërkombëtar për çështjen e zgjatjes së afatit për targat”.

“Ne kemi qenë të qartë si në publik ashtu dhe privatisht se bashkësia ndërkombëtare, përfshirë SHBA-në, kërkojmë shtyrje të plotë në aspektin e implementimit. Pra, ne nuk kërkojmë implementim të pjesshëm apo edhe në faza. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës, shtyrje të plotë”, u shpreh Ned Price.

Qeveria e Kosovës: Vendim i përgjegjshëm

“Me vendimin ndarje në faza dhe shkallëzimin e sanksioneve për zbatimin e vendimit pararendës për targat ilegale, Qeveria ka vepruar në mënyrë të përgjegjshme në raport me obligime për respektim të sundimit të ligjit dhe në të njëjtën kohë në raport me përkushtimin për paqe dhe siguri”, tha zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu. Sipas tij, me partnerët ndërkombëtarë janë diskutuar brengat që kanë qenë të përbashkëta, dhe “duke marrë ato në konsideratë kemi ardhur deri te zgjidhja që vendosë krah për krah sundimin e rendit dhe ligjit dhe paqen dhe sigurinë”.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kritikuan vendimin e qeverisë dhe paralajmëruan rezistencë ndaj gjobave që mund të shqiptohen pas datës 21 nëntor. Ndërsa partitë opozitare në Kosovë kritikuan qeverinë për siç thanë dëmtimin e interesave strategjike të vendit.

Kosova dhe Serbia më ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, pritet të hyjnë në një fazë vendimtare të dialogut bazuar në një plan të propozuar nga Franca e Gjermania, plan ky që mbështetët nga Shtetet e Bashkuara. Hollësit e planit ende nuk janë bërë publike. Autoritetet e Beogradit thonë se Plani franko-gjerman parasheh normalizim të marrëdhënieve pa njohje të ndërsjellë, ndërsa autoritetet në Prishtinë thonë se marrëveshja Kosovë-Serbi mund të funksionojë vetëm nëse në qendër të marrëveshjes është njohja e ndërsjellë. (DW)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani
-Advertisement-

Të tjera