Lajme

Detaje nga atentati në Milot/ Dyshime se ishin tre atentatorë, shoqërohen rreth 30 persona në polici

Autori: Gazeta inFokus 11:33 | 23 July 2022

Detaje të reja janë zbuluar nga atentati në Milot, ku mbeti i vrarë Klisman Preçi dhe u plagos rëndë Ylli Brahimi.

Në ngjarje dyshohet se kane qenë minimalisht tre autorë, një në drejtimin e mjetit dhe dy që kanë qëlluar.

Sipas gazetares Dorjana Bezat, viktima Klisman Preçi dhe i plagosuri Ylli Brahimi janë qëlluar sapo kanë zbritur nga makina e blinduar.

-Advertisement-

Të dy objektivat e sulmit jetonin në pallat, në sheshpushimin e të cilit ndodhi atentati.

Duke qenë se i kishin shpëtuar të atentateve më parë, ata kishin shtuar masat e sigurisë. Lëviznin me makina të blinduara dhe në pallatin ku jetonin kishin instaluar kamera sigurie në çdo cep.

Pamjet e kamerave janë sekuestruar nga policia dhe po vëzhgohen me qëllim identifikimin e autorëve.

Deri më tani janë shoqëruar rreth 30 persona kryesisht me precedentë në zonë por edhe persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Si ndodhi ngjarja?

Mbrëmjen e së premtes mbeti i vdekur Klisman Preçi 28 vjeç, ndërsa ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës Ylli Brahimi. 46-vjeçari ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa ka marrë dëmtime në gjoks dhe në këmbë.

Dy personat po qëndronin poshtë banesës në Milot, ndërsa u përballën nga breshëria e plumbave të atentatorëve.

Të dy janë persona të njohur për drejtësinë shqiptare, ku Ylli Brahimi është i përfshirë në biznesin e lojërave të fatit, i dënuar për trafik lëndësh narkotike, ndërsa Klisman Preçi ka precedent penal për grabitje me armë.

Mësohet se Ylli Brahimi lëvizte me makinë të blinduar, e cila u bë shoshë nga “plumbat” e autorëve.

Pak minuta pas atentatit, në Borizanë të Krujës është gjetur një mjet tip ”Audi”, me dy kallashnikovë brenda duke u djegur, ndërsa po verifikohet nëse është e atentatorëve.

Viktima e atentatit të kësaj mbrëmjeje në Milot, Klisman Preçi i shpëtoi mrekullisht plumbave në maj të këtij viti, ku shënjestër ishte i afërmi i tij Blerim Preçi.

Top Channel publikoi pamje pak minuta pas atentatit në autostradën Lezhë-Tiranë. Në pamje shihen kalimtarë të cilët i ofrojnë ndihmë, ndërsa dëgjohet teksa Blerim Preçi pyet nëse ka marrë plumba në kokë, i traumatizuar dhe i gjakosur.

Më 12 Janar 2021 Ylli Brahimi, ishte duke ecur në trotuar në shoqërinë e dy personave të tjerë, kur në drejtim të tij është qëlluar me armë zjarri 15 herë.

Ylli Brahimi Brahja është marrë në pyetje gjithashtu pas vrasjes së ish policit Xhelal Reçi.

Kujtojmë se vetëm gjashtë ditë më parë një atentat mafioz me tre viktima ndodhi në mbikalimin e Fushë-Krujës, ndërsa nuk dihet nëse atentati i kësaj mbrëmjeje ka lidhje me ngjarjen.

Pasditen e 17 korrikut në një atentat mafioz mbetën të vrarë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata./TCH

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vazhdon përkushtimin ndaj gjithëpërfshirjes duke dhuruar një furgon për të mbështetur fëmijët me nevoja të veçanta

Të tjera