Lajme

Deputeti i LDK’së: Hyrja e xhandarmërisë serbe në Karaçevë si në “bahçe të babës” është veprim i papranueshëm

Autori: Gazeta inFokus 09:44 | 08 August 2020

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi ka reaguar pas futjes së disa pjesëtarëve të xhandarmërisë serbe në Karaçevë të Kamenicës, duke thënë se një veprim i tillë nuk mund të cilësohet ndryshe pos tentim për agresion dhe si i tillë është i denueshëm me ligj ndërkombëtar, raporton Express.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Bislimi ka thënë se futja e pjesëtarëve të uniformuar e armatosur të një vendi fqinj në territorin tonë pa leje është cënim i drejtpërdrejtë i sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

“Gjerësa Beogradi e bën problem ndërkombëtar deri në Këshillin e Sigurimit të OKB-së çfarëdo lëvizje të Policisë së Kosovës në veri të vendit tonë, hyrja e ushtrisë apo xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës në zonën kufitare të Karaçevës si në “bahçe të babës” është veprim agresiv i Serbisë ndaj Kosovës, i papranueshëm dhe i dënueshëm ndërkombëtarisht”, ka shkruar Bislimi.

-Advertisement-

Ai u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të reagojnë ndaj këtij veprimi.

“MPJ e jonë, nëse nuk është komplet e përgjumur, është tejet e ngathët në reagim për nxitjen e qarqeve relevante ndërkombëtare për reagim të drejtë e të domosdoshëm në interes jo vetëm të sovranitetit të vendit por edhe të stabilitetit rajonal”, ka shkruar Bislimi.

Ndryshe, Policia e Kosovës tha se me të marrë këtë informatë ka dërguar njësitet policore në këtë vend për të patrulluar, por se nuk kanë gjetur ndonjë ushtar serb.

Policia ka thënë se në zonën e Karaçevës mandatin e sigurisë e ka KFOR-i.

“Pas raportimit të një informacioni nga Karaçeva e Kamenicës, njësitet policore kufitare kanë reaguar menjëherë duke shkuar dhe patrulluar tek vendi ku është raportuar rasti. Njësitet policore nuk kanë hasur në atë lokacion ndonjë njësi apo siç është informuar për ushtri të Serbisë”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ

Të tjera