Demokratët marrin kontrollin e Kongresit – Çfarë nënkupton rezultati për Trumpin?
Autori: Gazeta inFokus
08:22 | 04 November 2026
Demokratët fituan kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit amerikan në zgjedhjet e 3 nëntorit, duke shënuar fitore edhe në bastione tradicionale republikane dhe duke i dhënë një goditje të rëndë politike presidentit Donald Trump.
Rezultatet tregojnë një ndryshim të madh në raportin e forcave në Uashington, ku republikanët deri më tani kontrollonin si Senatin, ashtu edhe Dhomën e Përfaqësuesve.
Fitorja e demokratëve vjen në një kohë pakënaqësish të mëdha të amerikanëve me gjendjen ekonomike, rritjen e kostos së jetesës dhe luftën kundër Iranit, të nisur nga administrata Trump në shkurt.
Rritja e çmimeve të karburanteve pas shpërthimit të luftës e ka shtuar presionin mbi familjet amerikane, ndërsa sondazhet kanë treguar se shumë votues e konsiderojnë administratën përgjegjëse për vështirësitë ekonomike.
Demokratët kanë arritur të fitojnë vende në Senat edhe në shtete që tradicionalisht votojnë për republikanët, përfshirë Teksasin, Kansasin, Ajovën, Ohajon dhe Karolinën e Jugut.
Në Kansas, pastori Adam Hamilton u bë demokrati i parë që fiton një vend në Senat, pas më shumë se nëntë dekadash.
Në Ohajo, demokrati Sherrod Brown fitoi vendin që më parë e mbante nënpresidenti JD Vance, ndërsa në Teksas, James Talarico mposhti prokurorin e përgjithshëm republikan, Ken Paxton.
Të dyja shtetet kishin mbështetur bindshëm Trumpin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Një tjetër fitore e rëndësishme për demokratët u shënua në Karolinën e Jugut, ku pediatrja Annie Andrews mposhti senatoren republikane, Darline Graham.
Graham ishte emëruar në Senat pas vdekjes së vëllait të saj, senatorit Lindsey Graham, dhe kishte mbështetjen e drejtpërdrejtë të Trumpit.
Presidenti amerikan kishte zhvilluar një fushatë intensive për kandidatët republikanë në javët e fundit para zgjedhjeve, duke marrë pjesë në më shumë se 24 tubime.
Ai u kishte kërkuar mbështetësve të votonin sikur edhe vetë të ishte në garë, me synimin për të mobilizuar elektoratin republikan.
Por, ndërsa rezultatet tregonin humbjen e shumicës republikane në Kongres, Trump këmbënguli se rezultati do të kishte qenë ndryshe nëse emri i tij do të ishte në fletëvotim.
“Unë nuk isha në fletëvotim dhe, po të isha, do të kishim fituar me epërsi dërrmuese”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Demokratët kanë fituar edhe një numër vendesh në Dhomën e Përfaqësuesve që më parë kontrolloheshin nga republikanët, përfshirë në Kentaki, Nju Xhersi dhe Karolinën e Veriut.
Suksesi i tyre është shtrirë edhe në zgjedhjet për guvernatorë.
Në Teksas, demokratja Gina Hinojosa mposhti guvernatorin republikan, Greg Abbott, ndërsa demokratët fituan edhe në Ajova dhe Ohajo.
Çfarë nënkupton rezultati për Trumpin?
Marrja e kontrollit të Kongresit u jep demokratëve mundësi më të mëdha për të kundërshtuar politikat e administratës Trump gjatë dy vjetëve të mbetur të mandatit të tij.
Me shumicën në të dyja dhomat, ata mund të bllokojnë nisma ligjore të presidentit, të ushtrojnë kontroll më të madh mbi administratën dhe të nisin hetime parlamentare.
Megjithatë, Trump ruan kompetencat ekzekutive dhe të drejtën e vetos ndaj ligjeve të miratuara nga Kongresi.
Zgjedhjet e mesmandatit, që mbahen në gjysmën e mandatit katërvjeçar të presidentit, konsiderohen një tregues i rëndësishëm i mbështetjes publike për administratën në pushtet.
Rezultatet e 3 nëntorit tregojnë se republikanët do të përballen me një Kongres të kontrolluar nga opozita gjatë pjesës së mbetur të mandatit të dytë të Trumpit.

T� tjera
-
Ramush Haradinaj nuk e prish traditën, ditën e nis me vrap në Gërmi
Siç ndodh shpesh, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka nisur di...
-
Gjendet i pajetë një person në Suharekë
Një person i gjinisë mashkullore ka vdekur të martën në Suharekë. Rasti ës...
-
Aksident trafiku afër Parkut të Biznesit në Drenas, rrokulliset një automjet – pamje
Një aksident trafiku ka ndodhur në afërsi të Parkut të Biznesit në Drenas, ku...
-
Goditet grupi ndërkombëtar kriminal në Kosovë, sekuestrohen 37 kilogramë her*oinë me vlerë mbi gjysmë milioni euro
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se është goditur n...
-
Aksioni ndërkombëtar në gjashtë shtete, u përfshi edhe Kosova – mashtronin qytetarët me fitime të rreme nga investimet
Të martën u kryen kontrolle në Izrael, Shqipëri, Finlandë, Maqedoninë e Veriu...
-
Rama përsërit ftesën e dialogut, nxjerr sërish tryezën para kryeministrisë
Edhe këtë mëngjes kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me ftesën për dialog...
-
“Ata s’kanë mu kanë aty, a po?” – “Kanë mu kanë, kanë mu kanë”, biseda tronditëse e Arlindës me policin para vrasjes
Një bisedë tronditëse mes Arlinda Zekajt dhe një zyrtari policor zbulon momen...
-
Në sytë e BE-së, Kosova humbi një tjetër vit
Raporti vjetor i progresit për Kosovën, i cili krahas raporteve të tjera për ...
-
Parashikimi i motit për të mërkurën
Të mërkurën parashikohet mot kryesisht i vranët dhe lokalisht herë pas here m...
-
“Vjehrri e nxiste të më rrihtè”, gruaja rrëfen 20 vjet dhúnë nga ish-bashkëshorti, që ia vràü dy vëllezërit
Një grua nga Gjakova ka rrëfyer për herë të parë dhunën sistematike që thotë ...
-
Hykmete Bajrami zbulon se Kurti i ndau veç 1 milion euro për Unazën e Jashtme të Prishtinës për vitin 2027
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritiku...
-
Sindikata e pranon: Që nga viti 2021, Policia nuk është pajisur me uniforma të rregullta
Një komunikim në një grup privat mes policëve shpërfaqi gjendjen e mjerueshme...































