Lajme

Dakaj: Mos u çuditni për papërgjegjësinë institucionale, kur tolerojmë pushtete që shkërdhejnë dinjitetin e çdo individi! Arlinda Zeka është viktimë e kësaj shoqërie

Autori: Gazeta inFokus 09:21 | 27 October 2026

Gazetari Shkëlzen Dakaj ka reaguar ashpër pas tragjedisë së Arlinda Zekës, duke ngritur pikëpyetje për përgjegjësinë institucionale dhe ndikimin e trajtimit të pushtetit ndaj institucioneve të sigurisë, drejtësisë dhe kategorive të tjera të shoqërisë, shkruan Gazeta Infokus.

Në reagimin e tij, Dakaj e cilëson si qasje poshtëruese të pushtetit ndaj Policisë së Kosovës, gjyqtarëve, prokurorëve, punonjësve të arsimit, mediave dhe shoqërisë civile. Sipas tij, sulmet verbale dhe mosrespektimi i autoritetit institucional mund të kenë pasoja në funksionimin e institucioneve dhe në motivimin e njerëzve që punojnë brenda tyre.

“Pse po çuditeni tash që nuk na paska funksionuar asnjëra nga hallkat e përgjegjësisë në institucionet e sigurisë e të drejtësisë?”, shkruan Dakaj, duke vënë në pikëpyetje reagimet e shoqërisë vetëm pasi ndodhin tragjedi.

-Advertisement-

Gazetari kujton edhe përplasjet e pushtetit me punonjësit e arsimit për kërkesat për rritje pagash, si dhe kritikat e drejtuara ndaj mediave dhe shoqërisë civile.

“A po ju kujtohet çka u ka bërë punonjësve të sektorit të arsimit, duke ua përdhosur dinjitetin, vetëm pse kërkonin rritje pagash prej 100 eurosh për ta përballuar inflacionin e për të jetuar në kushte minimale mirëqenieje? Mediave, shoqërisë civile, secilit që e ka ngritur zërin për të kërkuar përgjegjësi për një Kosovë më të mirë dhe përparim në këtë shoqëri.
A po mendoni që poshtërimi i vazhdueshëm nuk lë pasoja? Që mund t’i përçmosh njerëzit, t’ua nëpërkëmbësh punën e dinjitetin dhe pastaj të presësh institucione të forta e njerëz të motivuar?”, ka shkruar Dakaj.

Duke iu referuar rastit të Arlinda Zekës, Dakaj shpreh dhimbjen dhe kritikon, sipas tij, prirjen e shoqërisë për t’u dhënë pushtet dhe mbështetje atyre që, në vlerësimin e tij, cenojnë vlerat shoqërore dhe shtetërore, në vend që t’u kërkojë llogari.

“Arlinda Zeka e ka paguar me jetën e saj çmimin e kësaj shoqërie që, në vazhdimësi, ua jep pushtetin dhe adhurimin pikërisht atyre që dëshmohen se i dhunojnë vlerat shoqërore e shtetërore. Një shoqërie që më lehtë gjen arsyetime për pushtetin sesa guxim për t’i kërkuar llogari.”

Në fund të reagimit, gazetari paralajmëron se shoqëria rrezikon të përsërisë të njëjtin cikël: të tronditet nga një tragjedi, të reagojë përkohësisht dhe më pas të vazhdojë pa kërkuar përgjegjësi.

“E DHIMBSHME DERI NË ASHT!”, përfundon shkrimin Shkëlzen Dakaj.

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy