Lajme

Bulliqi “harron” që ka grevë, uron fëmijët për vitin e ri shkollor

Autori: Gazeta inFokus 14:34 | 01 September 2022

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka uruar nxënësit, mësimdhënësit, drejtuesit e shkollave dhe prindërit për ditën e parë të vitit të ri shkollor, ndonëse kjo ditë nxënësit në shumicën e shkollave në nivel vendi i gjen në shtëpi si pasojë e grevës.

Bulliqi duket sikur këtë tekst urimi ta ketë bërë gati më herët, me shpresën se greva do të përfundonte sot e mësimi të fillonte me kohë.

“Të dashur nxënës, mësimdhënës, drejtues shkollash dhe ju prindër, ju uroj përzemërsisht ditën e parë të vitit të ri shkollor 2022/23. Me urimet më të mira për fillim vitin e ri shkollor, ju uroj një vit të mbarë e me shumë suksese në nxënien e diturive të reja, krijimin e miqësive dhe sukseseve në procesin edukativo-arsimor. Urim të veçantë kam sot për ata që po ulen për herë të parë në bankat shkollore, le të jetë kjo ditë dhe ky moment, kujtimi më i bukur i jetës së tyre”, tha Bulliqi përmes një postimi në Facebook.

-Advertisement-

Ndër të tjera, ai tregoi se Komuna e Podujevës ka ndërtuar tri objekte të reja arsimore, me shkolla të reja në fshatrat Batllavë dhe Balloc, si dhe me çerdhen e re në qytet.

Gjithashtu ai tha se brenda pak ditësh bëhet kompletimi me kabinete të shkencave natyrore në të gjitha shkollat e Podujevës.

Në fund, ai përmendi edhe grevën, duke thënë se shpreson që të gjendet një zgjidhje e shpejtë.

“Meqenëse disa nga institucionet arsimore kanë hyrë në grevë në nivel vendi, uroj të gjendet një zgjidhje e shpejtë duke e pas prioritet secili interesin e fëmijëve dhe të kthehet procesi normal mësimor në shkolla”, përfundoi Bulliqi.

Greva e përgjithshme ka filluar nga 25 gushti dhe ishte paralajmëruar më herët nga BSPK-ja, e cila ka thënë se kjo grevë do të vazhdojë derisa Qeveria të pranojë që të ulet dhe të dialogojë për kërkesat e tyre, që kanë të bëjnë me rritjen e pagave për 100 euro për mësimdhënësit e të gjitha niveleve deri në miratimin e Ligjit të ri të pagave.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!

Të tjera