Ekonomi

Bllokimi i investimeve qindra milionëshe, MINT përmes reagimit konfirmon shkrimin e Infokus-it

Autori: Islam Morina 20:15 | 08 September 2021

Gazeta Infokus, sot ka publikuar dokumente që dëshmojnë se dy projekte qindra milionëshe në fushën e energjisë dhe minierave, që kishin marrë statusin e ‘Investitorit Strategjik’ nga qeveria e kaluar dhe po prisnin të nisnin investimet në Kosovë, ka vendosur t’i kthejë në rivlerësim.

LEXO EDHE: Qeveria Kurti i bllokon investimet qindra milionëshe, rrezikon të përfundoj në arbitrazh

Edhe përkundër faktit që gazeta ka dërguar pyetje në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kjo e fundit nuk ka denjuar të kthejë përgjigje, por pas publikimit të artikullit ka reaguar me anë të një reagimi dërguar mediave.

-Advertisement-

Me anë të këtij reagimi MINT nuk ka arritur që të kundërshtojë asnjë nga argumentet e artikullit, por ka tentuar të viktimizohet e arsyetohet se gjoja artikulli është i pasaktë dhe se ajo po punon për të zbatuar ligjin dhe për të nxitur zhvillimin e vendit, duke mos shpjeguar se cila është arsyeja dhe cilat janë kriteret që projektet nuk i kanë përmbushur që të kthehen në rivlerësim, raporton Gazeta Infokus.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është e shqetësuar nga botimi i lajmeve të pasakta për gjoja bllokimin e investimeve strategjike, ndërkohë që po punon me përpikëri për të zbatuar ligjin dhe për të nxitur zhvillimin e vendit”, nis reagimi i gjatë i ministrisë.

Tutje në këtë reagim përshkruhen detyrat dhe kriteret që një projekt duhet të plotësoi për të fituar statusin strategjik dhe se ministrja Rozeta Hajdari, ka njoftuar Komisionin Ndërministror për disa projekte që gjoja ka dyshime të bazuara për mos përmbushje të kritereve ligjore, por pa treguar se cilat janë ato kritere që dyshon ajo se nuk janë përmbushur. Me këtë, MINT vetëm sa e ka konfirmuar shkrimin e Infokusit, për bllokimin e këtyre projekteve investive.

“Ligji për Investimet Strategjike në Republikën e Kosovës, i miratuar më 2017, përcakton kriteret që një projekt investiv duhet të plotësojë për të fituar statusin investim strategjik. Kriteret përfshijnë aftësinë financiare për të realizuar investimin, pajtueshmërinë me standardet mjedisore sipas legjislacionin vendor dhe evropian, si dhe përputhshmërinë me kushtetutën dhe me detyrimet nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.

Si kryesuese e Komisionit Ndërministror për Investimet Strategjike, ministrja Rozeta Hajdari bart detyrën kryesore për të siguruar se projektet e miratuara janë në përputhje me kriteret e lartpërmendura. Me qëllim të zbatimit të ligjit, dhe pas konsultimeve të hollësishme me shërbimin ligjor qeveritar, ministrja Hajdari ka njoftuar Komisionin Ndërministror rreth disa projekteve për të cilat ka dyshime të bazuara se nuk përmbushin kriteret ligjore”, shkruan tutje në reagimin e MINT.

MINT ka treguar se projektet nuk kanë filluar së implementuari ende, gjë që nënkuptohet sepse ato janë në fazën fillestare dhe se Hajdari nuk ka paragjykuar epilogun e projekteve edhe përkundër faktit se ka pasur reagime pro dhe kundër nga kryetarë të komunave që janë edhe anëtar të Komisionit Ndërministror.

“Asnjë nga projektet e diskutuara nuk kanë filluar të implementohen. Ministrja Hajdari nuk ka paragjykuar epilogun e projekteve, ndonëse deri tani ka pasur reagime nga kryetarë të komunave të ndryshme, që si anëtarë të Komisionit Ndërministror kanë kundërshtuar ose kanë përkrahur projekte të veçanta, që propozohet të realizohen në komunat e tyre. Asnje nga projektet e diksutuatr”, shkruan pos tjerash në këtë reagim të MINT.

MINT po ashtu thotë se lajmet e pasakta dhe diskutimet e brendshme nuk i ndihmojnë zbatimit të duhur të ligjit, duke shtuar se këto dokumente e të dhëna janë kofidenciale, por duke harruar se është përgjegjësi e tyre ruajtja e kofidencialitetit, e jo e mediave.

“Botimi i lajmeve të pasakta dhe i fragmenteve nga diskutimet e brendshme në mes anëtarëve të Komisionit Ndërministror tani nuk i ndihmon zbatimit të ligjit dhe trajtimit të duhur të projekteve investive. Dokumentet dhe të dhënat për punën e Komisionit janë madje konfidenciale.

MINT rikujton se, sipas ligjit, Qeveria duhet të marrë vendime sipas parimeve dhe kritereve ligjore dhe t’i arsyetojë vendimet e veta lidhur me investimet strategjike. Institucionet në veçanti duhet të respektojnë “parimet [e] konkurrencës së lirë dhe trajtimit të barabartë, parimit të mosdiskriminimit, të transparencës, proporcionalitetit dhe respektit reciprok”, vazhdon reagimi i MINT.

Në fund të reagimit MINT zotohet se ajo si ministri dhe Komisioni Ndërministror, por edhe qeveria, do të veprojnë në përputhje me legjislacionin për investimet strategjike.

“MINT, Komisioni Ndërministror, si dhe vetë Qeveria do të veprojnë në përputhje të plotë me këto parime dhe me legjislacionin në fuqi në çështjet e investimeve strategjike”, përfundon reagimi i MINT.

Gazeta Infokus ka shkruar sot se “Cicavica Wind Farm 1 L.L.C.”, projekt i kompanisë franceze “Akou Energy” do të investonte mbi 100 milionë euro për prodhimin e energjisë së ripërtërishme nga era dhe “Moxico – Luma Kosovo Mining L.L.C”, do të investonte mbi 45 milionë euro për nxjerrjen e pasurive nëntokësore nuk po shihen me interes nga Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti.

Të dyja këto projekte ishin paraparë të zhvilloheshin në komunën e Vushtrrisë./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin

Të tjera