Lajme

Beqa: Me shpërndarjen e Kuvendit puna e madhe kthehet në pikën zero

Autori: Gazeta inFokus 12:36 | 10 August 2019

Nga gjithsej 144 projektligje sa kanë qenë në agjendë të Kuvendit gjatë këtij viti, vetëm 28 kanë arritur të miratohen, derisa të gjitha projektligjet tjera të cilat kanë mbetur në procedurë do të kthehen në pikën zero me shpërbërjen e kësaj legjislature, më 22 gusht 2019, shkruan gazeta “Zëri”.

Mosmiratimi i këtyre projektligjeve pritet t’i dëmtojë proceset zhvillimore të vendit. Kështu së paku ka konsideruar deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa.

Ai ka thënë për “Zërin” se e gjithë puna e madhe që është bërë do të kthehet në pikën zero, pasi të gjitha ligjet që nuk kanë kaluar në legjislaturën e re do të kthehen nga fillimi.

-Advertisement-

“Normalisht që në Parlament kanë mbetur shumë ligje pa u miratuar, edhe pse kanë kaluar në leximin e parë dhe në grupe punuese, por kanë ardhur në seancë dhe kanë mbetur pa u votuar. Sipas Rregullores së Kuvendit, të gjitha ligjet që nuk kanë kaluar në lexim të dytë ku vijnë institucionet e reja dhe legjislatura e re, kthehen mbrapa dhe çdo gjë kthehet në fillim. Konsideroj se kjo i dëmton pak proceset zhvillimore të Kosovës”, ka thënë ai.

Derisa ka thënë se të gjitha ligjet kanë qenë të rëndësishme, Beqa ka veçuar atë të Kodit Penal, që është më i avancuar se kodi aktual. “Ka shumë projektligje, ka edhe marrëveshje ndërkombëtare që është një dakordancë për të kaluar në ditën e shpërndarjes së Kuvendit. Konsideroj se i rëndësishëm është Kodi Penal, që është shumë më i avancuar se kodi aktual që ka mbetur në legjislaturë. Por secili ligj e ka rëndësinë e vet në fushën që e mbulon”, ka theksuar ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!
-Advertisement-

Të tjera