Lajme

Dënohet me 1 vit burgim dhe 15 mijë euro gjobë ish-kryetari i LDK-së në Drenas për pastrim parash

Autori: Gazeta inFokus 11:42 | 26 November 2024

Edhe në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 1 vit burgim dhe 15 mijë euro gjobë ish-kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Drenas, Bedri Nika, kurse nipin e tij, Albian Nika, u dënua me gjashtë muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë, lidhur me akuzën për pastrim parash.

Aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve të cilët u shpallën fajtorë për pastrim parash, u shpall të martën nga gjykatësja Violeta Namani, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas këtij aktgjkimi, i akuzuari Bedri Nika u dënua me 1 vit burgim, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, si dhe me 15 mijë euro gjobë.

-Advertisement-

Ndërsa, të akuzuarit Albian Nika, gjykata i shqiptoi dënim me burg në kohëzgjatje prej 6 muajsh dhe 3 mijë euro gjobë.

Po ashtu, Gjykata me këtë aktgjykim ka konfiskuar edhe 121 banknota të dëmtuara në vlerë totale prej 650 euro, të cilat mjete janë përdorur për kryerjen e veprës penale.

Gjithashtu, detyrohen të akuzuarit që në mënyrë solidare. në emër të dëmit për kërkesen pasurore-juridike t’ia kompensojnë të dëmtuarës- bankës NLB në Prishtinë shumën prej 5 mijë e 900 euro, në afat prej një muaji pasi që aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Ndaj të akuzuarit Bedri Nika për veprën penale “Blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale”, Gjykata refuzoi akuzën me arsyetimin se prokurori i Prokurorisë Speciale është terhequr nga akuza, në fjalën përfundimtare të këtij shqyrtimi gjyqësor.

Në fund, Gjykata njoftoi se palët e pakënaqura, kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese sipas afatit ligjor.

Ndryshe, në seancën e datës 28 tetor 2024, dy të akuzuarit janë shpallur fajtorë për veprën penale në bashkëkryerje “Shpëlarje e parave”.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 14 prill 2023, kishte shpallur aktgjykim duke e dënuar të akuzuarin Bedri Nika me 1 vit burgim dhe 15 mijë euro gjobë për veprën penale “pastrimi i parasë”, ndërsa e kishte liruar për veprën penale “blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale”. Kurse të akuzuarin Albian Nika për veprën penale “pastrim i parasë” e kishte dënuar me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Ndryshe, Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Por, Gjykata Supreme e kishte konstatuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është përpiluar duke u bazuar në dispozita ligjore, pasi që si dispozitivi, ashtu edhe arsyetimi nuk përmbajnë sqarime të duhura në lidhje me “aktivitetin kriminal”, që konsiderohet element esencial i figurës së veprës penale për të cilën të dënuarit Nika shpallur fajtor.

Sipas të njëjtit aktgjykim thuhet se shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale me të cilat janë përfshirë aktgjykimet e shkallës së parë dhe së dytë janë të asaj natyre që nuk kanë mundur që të evitohen nga Gjykata Supreme e Kosovës, kështu që të njëjtat kanë qenë arsye që kanë imponuar që detyrimisht kjo çështje penale të kthehet në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë që duhet të marrë një vendim të drejtë, të ligjshëm dhe të arsyetuar mjaftueshëm për çdo pikë të aktgjykimit,

Sipas aktakuzës së ngritur më 20 dhjetor 2021, Bedri Nika ngarkohej me veprat penale “Blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale” dhe veprën penale “Pastrimi i parasë”, me të cilën vepër ngarkohej edhe i akuzuari Albian Nika. /BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Blerando i Big Brother Vip Kosova – fytyra e re e Prince Espresso
-Advertisement-

Të tjera