Lajme

Bejtullah Deliu shpalos programin për Rahovecin: Do të krijoj model të qeverisjes së mirë bashkë me qytetarët, puna e çdo vreshtari do të shpaguhet

Autori: Gazeta inFokus 18:08 | 06 October 2021

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Rahovecit, Bejtullah Deliu përmes një video-adresimi ka shpalosur programin e tij për katër vitet e ardhshme për Rahovecin, komunë të zhvilluar dhe me perspektivë për të gjithë qytetarët, pa dallim.

Deliu duke iu drejtuar virtualisht qytetarëve të Rahovecit tha se prioritetet e qeverisjes së tij do të jenë shëndetësia, arsimi, bujqësia dhe agroturizmi, inovacioni, zhvillimi ekonomik, dhe kultura, rinia e sporti.

“Ne duam që të gjithë bashkëqytetarët tanë, të gëzojnë dhuratën më të madhe – shëndetin. Andaj, do të shtojmë numrin e punëtorëve shëndetësorë, do i funksionalizojmë objektet e QMF nëpër fshatra të ndryshme që janë lënë në harresë dhe do të ndërtojmë QMF të reja në fshatra të komunës sonë. Çdo qytetar do të marrë falas shërbimet shëndetësore. Një popull i shëndoshë, patjetër duhet të arsimohet. Do të kemi laboratorë në çdo shkollë që nxënësit të përgatiten në mënyrë praktike. Do të ndërtojmë çerdhe të reja. Për nxënësit prej klasës 1-5 do të ketë shujta ditore të shëndetshme në çdo shkollë të Rahovecit. Do të themelojmë Qendrën e Inovacionit dhe do të rrisim numrin e bursave për studentë.”, tha ai.

-Advertisement-

Duke i ftuar qytetarët e Rahovecit që më 17 tetor ta votojnë numrin 177 dhe PDK-në, Deliu u zotua se në qeverisjen e tij do të shpaguhet djersa e çdo vreshtari dhe do të siguroj treg të duhur për shitjen e rrushit dhe prodhimeve tjera.

“Rahovecin tonë, qytetin e rrushit, të vreshtave dhe të verës kemi paraparë ta zhvillojmë e ta modernizojmë. Andaj, do të hapim katër pika të reja grumbulluese të pajisura me komora ftohëse për produktet e perimkulturës dhe rrushit të tryezës. Subvencionimi do të bëhet me modalitet duke vendosur bujku dhe në asnjë formë kryetari. Në bashkëpunim me shoqatat si Hardh Fest, Shoqata e vreshtarëve dhe vertarëve do të zhvillojmë planin për rajonin e agroturizmit. Do të ndërtojmë shtigje nëpër vende kodrinore dhe fushore duke futur edhe sporte te ndryshme si kalërimi, gjuetia, motoçiklizëm malor. Me projekte konkrete nga donatorë të ndryshëm do kemi buxhet shtesë prej 15 milion euro që do të investohen në sektorin e agroturizmit dhe zhvillimit ekonomik.”, tha Deliu.

Ai theksoi se si kryetar nuk do të qeverisë i vetëm, por do të marrë vendime duke u bazuar në kërkesat dhe vullnetin e qytetarëve.

“Bashkë me ju, qytetarë të nderuar, do të krijoj një model të qeverisjes së mirë, që do t’i rezistojë kohës. Partnerë e bashkëpunëtorë në qeverisje do t’i kem të gjitha shtresat e qytetarëve. Partnerë për zhvillimin ekonomik do t’i kem bizneset, prodhuesit, bujqit dhe vreshtarët.  Për arsimin, profesionistët e arsimit, prindërit dhe nxënësit. Për shëndetësinë,  profesionistët shëndetësorë. Bashkë më të rinjtë do ta projektojmë të ardhmen e komunës tonë. Programi im garanton një model të ri të qeverisjes bashkë me qytetarët, sepse unë nuk di as nuk mund të qeveris ndryshe.”, përfundoi Deliu.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit

Të tjera