Ekonomi

Bëhuni pronar i tokave në Gjilan, Viti, Ferizaj, Kamenicë e Novobërdë

Autori: Gazeta inFokus 14:00 | 21 March 2019

Agjencia Kosovare e Privatizimit ju fton të konkurroni për t’u bërë pronar i parcelave të shumta në lokacione atraktive në rajonin e Gjilanit që ofrojnë mundësi të shkëlqyeshme për blerje dhe zhvillim të biznesit tuaj. Në valën e fundit të shitjeve të aseteve, janë tenderuar asete që gjenden në Komunën e Gjilanit, në Komunën e Ferizajt, pastaj në Viti, në Kamenicë dhe në Komunë të Novobërdës, të gjitha këto prona shoqërorë të ndërmarrjeve shoqërore që i administron AKP.

Sipërfaqe të tokës rreth 3 hektar e 30 ari mund të bleni në fshatin Sllatinë të Epërme të Komunës së Vitisë, në fshatin Pozharan ka të tenderuar tokë me afër 3 hektarë, kurse në fshatin Kabash të po këtij qyteti mund të bëheni pronar i tokës me sipërfaqe afër 1 hektarë. Të gjitha këto toka bujqësore janë shumë të përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve bujqësore dhe gjenden në pozita mjaftë atraktive.

Në Komunën e Ferizajt mund të privatizoni 3 hektarë e 25 ari në fshatin Sojevë, në Pojatë është tenderuar toka bujqësore në pronësi shoqërore me sipërfaqe mbi 1 hektarë e 70 ari, afër 90 ari janë në Prelez të Jerlive, kurse ka toka në shitje edhe në Bablak e Papaz.

-Advertisement-

Në Komunën e Gjilanit, mund të bëheni pronar i 2 hektarë e gjysmë tokë të ndërmarrjes Morava e Binçës në Gllamë që gjendet në fshatin Stanishor, afër qytetit, që është një vend me perspektivë, kurse toka gjendet në pozitë atraktive. Po kaq tokë, rreth 2.5 hektarë janë në tender dhe mund të konkurroni për t’u bërë pronar i saj në fshatin Malishevë të Gjilanit, fshat ky jo larg qytetit. Toka është e përshtatshme për veprimtari bujqësore. Kurse në fshatin Velekincë ka tokë në shitje me sipërfaqe rreth 65 ari që është e përshtatshme për zhvillimin e bujqësisë e aktivitete të tjera biznesore.

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka tenderuar në këtë valë të shitjeve të aseteve edhe dy objekte, një në qytetin e Kamenicës, një lokal me sipërfaqe 260 metra katrorë që gjendet në katin përdhesë të një ndërtese kolektive në qendër të qytetit, kurse objekti tjetër për privatizim është në fshatin Prekoc të Komunës së Novobërdës me sipërfaqe 560 metra katrorë që është e përshtatshme për zhvillimin e biznesit.

Të gjithë të interesuarit për t’u bërë pronar të këtyre pronave shoqërore mund të aplikojnë me ofertat e tyre në valën e shitjeve nr. 45 që është i shpallur nga Agjencia e Privatizimit. Ofertat duhet të dorëzohen në zarfa të mbyllura në sallën e Hotelit Grand në Prishtinë me datën 3 prill të këtij viti. Gjithë ceremonia e shitjes është e siguruar me transparencë të lartë dhe dorëzimi i ofertave si dhe publikimi i çmimeve transmetohen drejtpërdrejt përmes kamerave në internet dhe në media.

Për më shumë informata mund ta vizitoni web faqen: www.pak-ks.org.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera