Lajme

Asociacioni i Komunave shpreh shqetësimin për planifikimin e buxhetit 2027 nga qeveria për komunat

Autori: Gazeta inFokus 09:26 | 08 November 2026

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka shprehur shqetësimin për ndarjen (projeksionin) e buxhetit prej 908 milionë eurosh për komunat për vitin 2027, duke thënë se, pavarësisht rritjes së shumës monetare, pjesëmarrja e nivelit lokal në buxhetin e përgjithshëm të shtetit ka shënuar rënie.

Ibrahimi deklaron për KosovaPress se nga 21.7 për qind sa ishte pjesëmarrja e komunave në buxhetin e vitit 2026, sipas planifikimit për vitin e ardhshëm ajo do të ulet në 21.3 për qind.

Ai ka theksuar se rritja e buxhetit nuk duhet të vlerësohet vetëm përmes shifrave, por edhe me mundësitë reale për realizimin e projekteve kapitale.

-Advertisement-

“Buxheti si shumë monetare ka rritje, mirëpo përqindja e cila ndahet për komuna nga buxheti total i Kosovës ka zbritje. Këtë vit nga buxheti total, komunave u ka dhënë nga 21.7 përqind. Vitin e ardhshëm në bazë të këtij planifikimi buxhetor shihet se ka rënie në përqindje 21.3 përqind. Loja me fjalë se ka buxhet rekord, duhet shikuar realizimin e tyre në praktikë dhe fuqinë monetare të projekteve që zbatohen me këtë buxhet. Duhet marrë parasysh se qeveria ka paraparë ngritjen e koeficientit për paga mujore, gjithashtu ajo do të ketë ndikim në buxhetin e komunave. Problemi është se niveli qendror nuk po e merr parasysh normën e inflacionit ndër vite, këtë vit në bazë të statistikave norma e inflacionit në disa muaj ka qenë rreth 7 përqind”, ka thënë ai.

Sipas Ibrahimit, ulja prej 0.4 pikësh përqindjeje në pjesëmarrjen e komunave në buxhetin e përgjithshëm përkthehet në dhjetëra miliona euro. Ai ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që gjatë shqyrtimit të projektbuxhetit të merren parasysh nevojat financiare të pushtetit lokal, duke vlerësuar se ndarja aktuale nuk është e mjaftueshme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Ibrahimi është ekzekutimi i vendimeve gjyqësore që lidhen kryesisht me kontratat kolektive. Ai ka bërë të ditur se vetëm gjatë këtij viti komunave u janë marrë rreth 100 milionë euro përmes këtyre vendimeve, duke kërkuar që barra financiare të kompensohet nga niveli qendror.

Ibrahmi flet edhe për kontratën kolektive

“Përqindja e kontributit të nivelit qendror te niveli lokal ka rënë prej 0.4 përqind, nëse e përkthen në mjete financiare aty janë me dhjetëra miliona euro… 21.3 përqind nuk është e mjaftueshme nëse mendojmë se do të kemi një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në nivelin lokal. Parlamenti i Republikës, duhet të marrë parasysh këto karakteristikë për komunat, sepse ne synojmë që në përqindje të ngritët. Vetëm këtë vit komunave i janë marrë rreth 100 milion euro nga vendimet gjyqësore, ku shumica ka të bëjë me kontrata kolektive. Ne gjithmonë kemi kërkuar që këto mjete financiare të kompensohen, e jo barrën financiare ta bartin tek komunat”, ka thënë Ibrahimi.

Ibrahimi ka bërë të ditur se Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka adresuar kërkesë kryeministrit Albin Kurti për një takim me bordin e asociacionit, me qëllim diskutimin e këtyre problemeve. Sipas tij, takimi i fundit me kryeministrin është mbajtur në tetor të vitit 2024, ndërsa ende nuk kanë marrë përgjigje për kërkesën e fundit.

Përveç çështjeve buxhetore, ai ka ngritur shqetësime edhe për moskompensimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në disa komuna që nga viti 2022, si dhe për humbjen e fondeve nga Bashkimi Evropian.

Qeveria e Kosovës më 2 nëntor ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2027 në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh, prej të cilave 908 milionë euro janë paraparë për komunat. Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar këtë si “buxhet rekord” për pushtetin lokal.

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy