Lajme

Arrestohet një serb për krime lufte ndaj civilëve në Kamenicë

Autori: Gazeta inFokus 20:54 | 07 March 2023

Prokuroria Speciale e Kosovës ka arrestuar sot një serb për krime lufte kundër popullatës civile, shkruan Gazeta Infokus.

Sipas prokurorisë, i pandehuri me incialet Z.A dyshohet se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në muajin mars 1999, në stacionin policor në Kamenicë në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe, kishte rrahur të dëmtuarin me inicialet b.M.

“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri Z.A., dyshohet se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në muajin mars 1999, në stacionin policor në Kamenicë në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe, i uniformuar dhe armatosur, fillimisht kishte rrahur të dëmtuarin me inicialet B.M, me shufra gome dhe shqelma, duke e torturuar në mënyrë çnjerëzore, maltretuar dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda, trauma dhe pasoja në shëndet dhe duke e kanosur seriozisht për jetë për një orë e gjysme, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare  të Gjenevës dhe protokolleve shtesë”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

-Advertisement-

Gjithashtu i arrestuari dyshohet se në periudhën shkurt-mars 1999 ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës.

“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri Z.A., gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në periudhën shkurt-mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj ka filluara të bëjë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të  pronës së shqiptarëve,  i’a ka vënë zjarrin, si dhe ka marr pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë. Me këto veprime i pandehuri Z.A., kishte për të kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës  civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së”, njofton Prokuroria Speciale./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera