Lajme

Ankohen kandidatët që kaluan provimin e noterisë: Albulena Haxhiu po e bllokon qëllimisht procesin edhe pas vendimit të Gjykatës

Autori: Gazeta inFokus 18:26 | 14 April 2022

Një grup i kandidatëve që e kanë kaluar provimin noterisë në konkursin e shpallur nga Ministria e Drejtësisë kanë shprehur shqetësim për bllokimin e këtij procesit nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Në deklaratën e tyre thuhet se Haxhiu ka anuluar kundërligjshëm këtë proces më 24 shkurt 2020, që sipas tyre kanë shtyrë kandidatët që kishin kaluar provimin që të ngrisin padi ndaj vendimit të saj në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative.

“Më 01 mars 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative ka shpallur aktgjykimin dhe ka aprovuar padinë e kandidatëve, duke anuluar vendimin e ministres dhe vërtetuar se procesi i provimit të noterisë ishte i ligjshëm dhe i drejtë. Megjithatë ky vendim i Gjykatës nuk është zbatuar as sot e kësaj dite pikërisht nga ministrja Haxhiu që e drejton Ministrinë e Drejtësisë. Ajo ka injoruar të gjitha vendimet e instancave që e kanë vlerësuar të drejtë procesin e përzgjedhjes së noterëve. Në këtë kontekst, përveç Gjykatës Themelore që ka shpallur aktgjykimin edhe institucionet tjera, si Agjencia Kundër korrupsionit dhe Departamenti për krime Ekonomike kanë konstatuar se ne këtë proces nuk ka pasur asnjë shkelje. Megjithatë situata ka mbetur e bllokuar, duke shqetësuar tejmase kandidatët që kanë kaluar procesin. Kjo situatë është tepër serioze dhe shqetësuese për funksionimin e shtetit ligjor, meqë ai po sfidohet seriozisht nga bartësit e institucioneve shtetërore. Si pasojë është përkeqësuar funksionimi i noterisë në Kosovë dhe në të njëjtën kohë janë krijuar monopole nga noterë aktualë, duke dëmtuar së tepërmi me shërbime qytetarët tanë. Të gjitha këto, nuk i kanë bërë përshtypje ministres Haxhiu, e cila madje paralajmëron hapjen e konkursit të ri për noterë. Kjo sjellje në kundërshtim me ligjin nga ministrja e Drejtësisë, nuk është vetëm një paradoks i llojit të vet, por edhe një përmbysje e jetës institucionale”, thuhet në deklaratë.

-Advertisement-

Më tej thuhet se ata që po dëmtohen nga kjo sjellje e ministres që do të duhej të zbatonte e para ligjin dhe jo të abuzonte me të, nuk ka mbetet asnjë mundësi tjetër vetëm të vazhdojnë betejën në kuadër të procedurave dhe rregullave të shtetit ligjor.

“Do të përballemi ligjërisht me vendimet antiligjore të ministres Haxhiu. Të shqetësuar tejmase me këtë situatë, ne ftojmë shoqërinë civile, mediet dhe drejtuesit e ambasadave të akredituara në Kosovë, që të reagojnë për këtë rast që paraqet shkelje të të drejtave të njeriut dhe përmbysje të shtetit ligjor. Nëse një ministër ka fuqi të kundërshtoj vendimin e gjykatës, atëherë mund të themi se ka rënë shteti ligjor. Kjo është një situatë e frikshme për qytetarët që respektojnë ligjin. Ky është një mesazh që motivon ata që janë kundër ligjit. Megjithatë ne nuk do të heqim dorë nga rruga që ofron ligji për realizimin e të drejtave tona dhe do ta mbajmë përgjegjës para ligjit ministren për shkeljet ligjore që po i bënë në vazhdimësi lidhur me këtë proces”, thuhet në deklaratë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut

Të tjera