Lajme

Albin Kurti i çon letër përfaqësuesit Special të BE-së, i tregon listën që do ta përfaqësoj Kosovën në dialog me Serbinë

Autori: Gazeta inFokus 14:57 | 08 April 2020

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka dërguar letër, Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajçak.

Në këtë letër, Kurti e ka uruar për emërimin e tij si përfaqësues special për dialogun Kosovë – Serbi, dhe si i dërguar special për Ballkanin perëndimor, shkruan gazeta inFokus.

Lajçakun, Kurti fillimisht e informoi për situatën që po përballet Kosova me koronavirusin e ri.

-Advertisement-

“Fillimisht, dua t’ju informoj për situatën me sëmundjen COVID-19 në Republikën e Kosovës. Qeveria deri tani e ka menaxhuar mirë situatën. Institucionet tona e kanë frenuar me sukses përhapjen e saj, duke ndërmarrë masat e duhura dhe të nevojshme, edhe para se të regjistroheshin rastet e para. Në mënyrë që ta mbajmë nën kontroll virusin në mënyrë sa më efektive, ne kemi shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik. Deri më sot, i kemi 125 raste me Coronavirus, prej të cilëve 10 janë shëruar plotësisht, ndërsa një prej tyre ka ndërruar jetë”, i ka shkruar në letrën e dërguar ditë më parë Albin Kurti.

Ndërsa, më pas i ka thënë që Kosova është e përkushtuar për dialogun me Serbinë, shkruan gazeta inFokus.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për dialogun me Serbinë, dhe të arrijë një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese midis dy vendeve tona. Në frymën e kësaj, unë dua të shfrytëzoj këtë mundësi për të rikonfirmuar edhe njëherë përkushtimin tonë për fillimin e dialogut, si dhe t’ju informoj për parimet tona udhëzuese.

Si qeveri në detyrë e Republikës së Kosovës, jemi të përkushtuar për zhvillimin e një procesi të vazhdueshëm dhe të pandërprerë të dialogut. Ne konsiderojmë që të dyja palët duhet të punojnë intensivisht për të arritur një marrëveshje përfundimtare për të gjitha mosmarrëveshjet midis Kosovës dhe Serbisë. Në mënyrë që ky proces të jetë gjithëpërfshirës po ashtu edhe shterrues, të dy vendet duhet të pajtohen që të sjellin në tavolinën e bisedimeve të gjitha çështjet e pazgjidhura të marrëdhënieve të tyre bilaterale. Ky është parakusht që dialogu të ketë rezultat të suksesshëm”.

Lajçakut, Kurti i ka thënë që nuk duhet të diskutohet territori.

“Palët duhet të sigurojnë që në asnjë rrethanë ose situatë të mos diskutohet çështja e sovranitetit të ndërsjellë, integritetit territorial dhe punët e brendshme. Ne nuk kemi nevojë as për një dialog i cili përfshin hartat në tryezë, e as për një proces që na çon në ridefinimin e kufijve. Kjo është e një rëndësie thelbësore.

Dialogu duhet të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas kësaj, marrëveshja përfundimtare duhet të shoqërohet me një garanci nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara që obligon zbatimin e ndërsjellë dhe të plotë të marrëveshjes.

Marrëveshja duhet të shoqërohet me një paketë masash politike, ekonomike dhe financiare që do të përshpejtonin konvergjencën e standardit të jetesës në të dyja vendet, si dhe integrimin e tyre në Bashkimin Evropian”, i ka shkruar Kurti.

Ndërsa, i ka çuar edhe listën e delegacionit për dialogun me Serbinë.

“Si Kryeministër, jam i obliguar sipas Kushtetutës që të themeloj dhe udhëheq ekipin negociator. Prandaj, plani im është që të krijoj një ekip gjithëpërfshirës dhe të balancuar në baza gjinore. Përbërja e ekipit do të jetë si në vijim:

  1. Albin Kurti – Kryeministër dhe Udhëheqës i ekipit negociator
  2. Hashim Thaçi – President, anëtar
  3. Vjosa Osmani – Kryetare e Kuvendit, anëtare
  4. Përfaqësuesi i LVV, anëtar
  5. Përfaqësuesi i LDK, anëtar
  6. Përfaqësuesi i PDK, anëtar
  7. Përfaqësuesi i AAK-PSD, anëtar
  8. Përfaqësuesi i NISMA-AKR, anëtar
  9. Përfaqësuesi i Listës Serbe, anëtar
  10. Përfaqësuesi i Grupit 6+, anëtar

Ekipet teknike do të emërohen posa të përpilohet lista e çështjeve që duhet të trajtohen, dhe posa të dakordohet ajo bashkërisht në nivel politik. Unë aktualisht jam në proces të planifikimit, për krijimin e një ekipi të profesionistëve dhe ekspertëve tanë më të mirë nga akademia dhe shoqëria civile, të cilët do të përgatitnin dhe zhvillonin dialogun për fusha dhe çështje të caktuara.

Në veçanti, duhet të kujtojmë që njerëzit e të dy vendeve tona duhet të jenë përfituesit përfundimtar nga ky dialog, ndryshe nga e kaluara, ku si qëllim i procesit negociator ishte ‘ruajtja e fytyrës’ ose ruajtja e reputacionit të politikanëve dhe udhëheqësve të shtetit. Gjatë dialogut, ne synojmë të maksimizojmë përfitimet që do të sjellë kjo për njerëzit. Prandaj, duhet të bazohet në parimin e vendosjes së drejtësisë dhe barazisë për të gjithë. Shmangia e kësaj, si rezultat natyror i dialogut, do të rrezikonte vetë procesin.

Bashkimi Evropian, si një projekt i paqes dhe mirëqenies sociale, nuk e ka humbur aktualitetin dhe rëndësinë e tij historike. Duke marrë parasysh parashikimin aktual politik dhe historik, Bashkimi Evropian bëhet një domosdoshmëri. Dy shtyllat e tij fundamentale mbeten idealet tona: paqja që përfshin luftën antifashiste dhe progresi i ndërtuar përmes mirëqenies së shtetit. Bashkimi Evropian, si një projekt politik dhe shoqëror i paqes dhe progresit, duhet të mbrohet dhe të ruhet.

Qeveria ime dhe Unë, jemi të vendosur në besimin tonë se e ardhmja e vetme për vendin tonë është integrimi i saj i plotë në Bashkimin Evropian. Ndërsa integrimi i Ballkanit Perëndimor si rajon i tërë në Bashkimin Evropian, përnjëherë për të gjitha vendet, do të ishte me përfitim të madh jo vetëm për ne, por edhe për vetë Bashkimin Evropian”./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera