Fokus

Alarmon kryetarja e strehimores në Pejë: Kemi raste kur gratë kanë lindur këtu e edhe gra me 5 fëmijë përfundojnë tek ne për shkak të dhunës

Autori: Gazeta inFokus 14:17 | 19 January 2025

Xhenet Syka Kelmendi, kryetare e bordit të Shtëpisë së Sigurt në Pejë, aty ku strehohen gratë të cilat kanë qenë viktimë e dhunës me bazë gjinore, ka treguar raste tejet të rënda të cilat kërkojnë shërbimet e kësaj qendre.

Syka – Kelmendi në emisionin Gratë n’Fokus me Meme Smajlin ka thënë se gratë mësohen qysh në fillim se roli i tyre është tradicional dhe e kanë të vështirë të largohen nga kjo stigmë, shkruan Gazeta Infokus.

“Është përgatitja e të menduarit të grave se ato kanë vetëm një rol tradicional në shtëpi dhe ato nuk dalin fare prej rolit tradicional. Të gjitha këto bëjnë që një grua të jetë e varur ekonomikisht. Kur gratë janë të varura ekonomikisht dhe kanë fëmije dhe nuk janë të sigurta as ato dhe as fëmijët e tyre pastaj ato për ti mbrojtur fëmijët e tyre kanë stigmë raportimin e dhunës dhe jo rrallë herë shumë gra tek shtëpia e sigurt përfundojnë edhe me fëmijët e tyre”, ka thënë ajo.

-Advertisement-

E para e strehimores ka thënë se ka raste kur gra me 4 e 5 fëmijë përfundojnë në qendër si pasoje e dhunës nga bashkëshortët mirëpo edhe raste ekstreme kur grave iu duhet të lindin foshnjat aty për shkak se nuk ndihen të sigurta në shtëpitë e tyre.

“Ka raste të shpeshta që gratë përfundojnë me 5 fëmijë tek shtëpia e sigurt, me 4 fëmijë, ka raste kur gratë edhe kanë lindur fëmijën në shtëpinë e sigurt sepse nuk e kanë pasur asnjë mbështetje. Për këtë gratë duhet të shkollohen mirë ose të shkollohen jo formalisht. P.sh. së fundmi Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport ka lidhur një memorandum bashkëpunimi me një organizatë gjigande gjermane që ka të bëjë me edukimin gjatë gjithë jetës dhe jo çdo grua dhe vajzë duhet të mbarojë edukimin akademik. Ato mund të vijnë tek qendra dhe të aftësohen për ndonjë edukim jo formal pa dallim statusit financiar, social dhe pa dallim të moshës dhe të aftësohen për ndonjë punë që pastaj do ti bënte që të jetojnë me fisnikëri”, deklaron ajo në Gratë n’Fokus.

Kujtojmë se në vitin që lamë pas pati rritje të rasteve të dhunës në familje për 4% derisa mbi 2 mijë gra raportuan në policinë e Kosovës se kanë qenë viktimë e dhunës në familje./Gazeta Infokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit
-Advertisement-

Të tjera