Fokus

ALARMANTE: Për më pak se dy vite 143 dhunime e 3 mijë e 679 raste të dhunës në familje në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 17:28 | 30 August 2022

Dhuna në familje, ngacmimet seksuale e dhunimet ndaj grave po vazhdojnë të jenë një problem serioz në shoqërinë kosovare.

E këtë po e dëshmojnë jo vetëm rastet e fundit por edhe shifrat e raportimeve për raste të tilla në Policinë e Kosovës. Gazeta Infokus ka siguruar të dhënat për dy vitet e fundit, të rasteve të dhunimeve dhe dhunës në familje ku në shumicën e rasteve viktime janë gratë.

Për më pak se dy vite në polici janë raportuar 143 raste të dhunimit, ndaj grave fëmijëve por edhe të gjinisë mashkullore, ani pse nga policia nuk kanë dhënë detaje në këtë aspekt.

-Advertisement-

Sipas këtyre të dhënave që nga janari i vitit 2021 e deri në korrik të vitit 2022, Policia e Kosovës ka raportuar për 143 raste të dhunimit në vend.

Nga policia për Infokus kanë thënë se në vitin 2021 janë raportuar 102 raste të dhunimit, ku 59 prej tyre ishin vetëm në periudhën janar-korrik të atij viti. Ndërsa që nga janari e deri në korrik të vitit 2022 janë raportuar 41 raste të dhunimit në vend.

E një shifër edhe më shqetësuese e tronditëse është ajo e rasteve të dhunës në familje ku në shumicën prej rasteve viktime janë gratë. Për më pak se dy vite në policinë e Kosovës janë raportuar 3 mijë e 697 raste të dhunës në familje. Sipas policisë këto shifra përfshijnë periudhën kohore nga muaji janar i vitit 2021 e deri në qershor të vitit 2022.

Sipas të dhënave të policisë, dërguar Gazetës Infokus, vetëm në vitin 2021 kanë qenë 2 mijë e 456 raste të dhunës në familje. Ndërsa bazuar në këto të dhëna që nga janari i vitit 2022 e deri në qershor të po këtij viti Policia e Kosovës ka raportuar për 1 mijë e 241 raste të dhunës në familje.

Një rast që tronditi Kosovën është ngjarja e të shtunës mbrëma në Prishtinë ku një vajzë 11 vjeç, dyshohet se u dhunua për 7 orë, nga pesë persona.

Policia e Kosovës të hënën ka arrestuar katër të dyshuarit, derisa të martën është arrestuar edhe i dyshuari i pestë.

Fillimisht, policia arrestoi 26-vjeçarin, Ekrem Rexhepi dhe vëllain e tij të mitur. Kurse pas disa orëve u arrestuan edhe dy të dyshuarit e tjerë të cilat po ashtu janë të moshës së mitur.

Të hënën pas arrestimit të dy të dyshuarve të parë për këtë rast, Prokuroria ka dhënë edhe detaje se si ka ndodhur rasti.

Sipas prokurorisë, i pandehuri E.R, 26-vjeç, ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e të dëmtuarës, “në atë mënyrë që të pandehurin fillimisht e kishte thirrur në telefon vëllai i tij, i mitur., pastaj i pandehuri ka shkuar me “Pickup” tek parku në lagjen “Arbëria” në Prishtinë dhe e ka marrë me veturë vëllain e tij dhe të dyshuarit Xh.S., dhe G.J., të cilët ndodhen në arrati dhe të dëmtuarën. Pastaj rrugës tek varrezat kanë zbritur i mituri dhe, dhe Zh.S., ndërsa i pandehuri së bashku me G.J,.dhe të dëmtuarën janë larguar me veturë, ashtu që pas pak E.R., ka ndaluar veturën në një vend të panjohur dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën. Edhe pse e ka ditë që e dëmtuara është nën 14-vjeç”, përshkruhet në kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj tij.

Aty shkruan se nga deklarata e të miturës dhënë në polici me datën 28.08.2022 rezulton se “përderisa e mitura ka qenë në park, i janë afruar tre persona, ku kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë, ku e dëmtuara ka vazhduar të ecë por më pas njëri ka filluar edhe ta prekte”.

Derisa vajza e mitur është duke qëndruar në Qendrën për Punë Sociale, shkruan Gazeta Infokus.

Ndaj katër të dyshuarve të cilët u arrestuan të hënën Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar masën e para burgimit prej 30 ditësh.

Por, sa mund të dënohen të dyshuarit për dhunimin e 11-vjeçares?

Të dyshuarit për dhunimin e vajzës 11 vjeçare në Prishtinë, mund të dënohen me më së paku 10 vite burgim. Kështu ka deklaruar për Gazetën Infokus, avokati Arbër Jashari, i cili është bazuar në Kodin e Drejtësisë për të mitur.

“Kryesit madhorë mund të përballen me së paku 10 vjet burgim, neni 227 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 4, pika 4.6 dhe lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë Jashari.
Ai gjithashtu ka shtuar se ky rast duhet të zbardhet sa më shpejt nga njësitë përkatëse dhe të dyshuarit të marrin dënimin e merituar.

Lidhur me dhunimin e të miturës reaguan edhe liderët e vendit të cilët kërkuan që drejtësia të vihet në vend dhe fajtorët të marrin dënimin e merituar.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se është tronditëse akti çnjerëzor i dhunimit seksual të 11 vjeçare, ku kërkon nga institucionet përkatëse hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës.

“Tronditës akti çnjerëzor i dhunimit seksual të të miturës 11 vjeçe. Kërkoj një hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës. Me ashpërsinë dhe vendosmërinë më të madhe duhet ta përsërisim njëzëri se askush s’është mbi ligjin. Ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky kur cak i dhunimit janë fëmijët”, ka shkruar Osmani.

E për rastin e dhunimit të 11-vjeçares nga pesë persona ka reaguar edhe i pari i ekzekutivit, Albin Kurti, i cili ka kërkuar dënim meritor për kryesit e veprës.

“Akte të këtilla brutale të dhunës ndaj fëmijëve, duhet të trajtohen me seriozitet të lartë, në nivel institucional por dhe në atë shoqëror e kulturor.

Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, por çështje e sigurisë dhe mirëqenies, publike e sociale”, ka shkruar Kurti./Gazeta Infokus/

LEXO EDHE: Sulm seksual, trafikim me gra e 5 raste të dhunës në familje për vetëm një ditë në Kosovë

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita Home dhe Prince Caffe: Sponsor të përgjithshëm të Sunny Hill Festival
-Advertisement-

Të tjera