Fokus

Afro një vit nga zhdukja e pajisjes mijëra euroshe në QKUK, asgjë e re nga hetimet

Autori: Samire Jaha 11:12 | 18 January 2023

Kanë kaluar mbi 9 muaj që nga zhdukja e një pajisje mijëra euroshe nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, konkretisht pajisje që i përkiste Klinikës së Radiologjisë, derisa ende nuk ka informacione të sakta se si erdhi deri tek zhdukja e çfarë ndodhi me këtë pajisje që nuk u gjet më asnjëherë.

Të paktën kështu kanë konfirmuar për Gazetën Infokus nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas disa tentimeve për të marrë përgjigje në lidhje me këtë çështje.

Zëdhënësja e kësaj prokurorie Laureta Ulaj, ka thënë shkurt për Gazetën Infokus se ky rast është ende në hetime, duke konfirmuar se nuk ka asgjë të re nga hetimet e deritashme.

-Advertisement-

“Rastit të cilit i referoheni, në këtë fazë mund t’iu njoftojmë se kjo prokurori e ka pranuar nga Policia e Kosovës dhe është në trajtim të njëjtës çështje”, është përgjigjur shkurt Ulaj duke mos dhënë asnjë detaj të ri në lidhje me këtë pajisje.

Kujtojmë se bëhet fjalë për pajisjen e Klinikës së Radiologjisë, e që në momentin kur u zhduk gjendej në Klinikën e Nenonatologjisë, gjë për të cilën ende nuk është sqaruar se pse një pajisje e radiologjisë përfundoi në neonatologji, kur edhe u zhduk me 9 prill të vitit 2022.

Kjo ishte një pajisje e cila mundësonte dixhitalizimin e rëntgenit analog, e cila bën të mundur leximin e radiografisë në CD.

SHSKUK-ja në “terr informativ”, nuk kanë asnjë detaj për hetimet

Ndërsa Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës nuk kanë asnjë informacion për hetimet në lidhje me zhdukjen e kësaj pajisje mijëra euro.

Gazeta Infokus ka kontaktuar me zyrtarët e SHSKUK-së për të kuptuar nëse ky institucion është njoftuar ndonjëherë nga Policia e Kosovës apo edhe nga prokuroria në lidhje me ndonjë të re sa i përket hetimeve apo procesit hetimor mirëpo ata kanë deklaruar se nuk kanë marrë asnjë informatë nga organet e drejtësisë.

“Nuk jemi të informuar nga Policia e Kosovës deri ku ka arritur procedura e hetimeve. Lënda është nën hetime dhe nuk kemi ndonjë informacion a është gjetur apo jo pajisja!”, ishte kjo përgjigja nga drejtoria e SHKUK-së me 12 dhjetor të vitit 2022.

E një deklaratë e tillë u përsërit edhe pas një muaji.

“Ashtu siç ju kemi informuar edhe në komunikimet e kaluara, ish- menaxhmenti i ShSKUK,  ka informuar organet e hetuesisë lidhur me rastin dhe ende nuk kemi  ndonjë informatë zyrtare!”, janë përgjigjur përsëri nga SHSKUK-ja për Infokus.

Nën hetime e pa asnjë detaj të ri ky rast ende po sillet në duart e institucioneve të drejtësisë.

Zhdukja e pajisjes e njoftimi me vonesë i policisë?

Gazeta Infokus kishte raportuar edhe në tetor të vitit 2022, pas një hulumtimi ku erdhi në përfundim se Qendra Klinike Universitare e Kosovës e kishte lajmëruar zhdukjen e kësaj pajisje me 13 ditë vonesë.

Mirëpo pse ndodhi një gjë e tillë?

Edhe pse në media ishte raportuar qysh me 9 prill e nuk diheshin arsyet se kur realisht ishte zhdukur kjo pajisje, ajo çfarë e bënte edhe më të çuditshme ishte fakti se QKUK-ja kishte pritur afro 13 ditë deri në raportimin zyrtar në Policinë e Kosovës.

Këtë për Gazetën Infokus e kishin konfirmuar nga vetë zyra e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së duke thënë se rasti zyrtarisht në polici ishte raportuar me 22 prill.

“Ju informojmë që njoftimi zyrtar për Policinë e Kosovës, në kohën ish- Drejtorit të ShSKUK, është bërë me 22.04.2022 me shkresë përcjellëse”, kanë deklaruar për Infokus nga drejtoria me datën 12 tetor e SHSKUK-së, duke mos treguar se pse u raportua ky rast me kaq vonesë.

Në lidhje me zhdukjen e kësaj pajisjeje kishte folur në atë kohë, tash ish drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi. Ai kishte thënë se menjëherë pasi ishte informuar ka filluar sqarimin e kësaj informate dhe se nëse kjo pajisje nuk gjendet atëherë rastin do ta procedonte në organet kompetente.

LEXO EDHE: Policia u njoftua disa ditë me vonesë – Çfarë ndodhi me pajisjen mijëra euro të radiologjisë që u zhduk nga QKUK-ja?

Kjo mund të jetë edhe arsyeja pse policia u njoftua e nisi të merrej me këtë rast përafërsisht 13 ditë me vonesë.

“Me të pranuar këtë informatë kam kërkuar nga shërbimet përkatëse dhe menaxherët e klinikave të sqarojnë këtë informatë. Shumë shpejt brenda javës së ardhshme unë pres raportin zyrtar lidhur me atë pajisje dhe nëse eventualisht konstatohet se ajo pajisje është shmangë apo nuk gjendet diku atëherë unë konform ligjeve unë konform ligjeve do të procedoj në organet përkatëse kompetente për të hetuar çka ka ndodhë”, kishte deklaruar Krasniqi.

Kujtojmë që kjo nuk është hera e parë që në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, zhduken pajisje.

Kjo është pajisja e dytë brenda pak muajve që është zhdukur në klinikat e QKUK-së.

Në korrik të vitit të kaluar ishte zhdukur një USB e cila po ashtu ishte pjesë integrale e një rëntgeni me kosto prej rreth 6 mijë euro. Rasti ishte raportuar edhe në Policinë e Kosovës, por ende nuk dihet se si ka ndodhur apo se ku ka mbetur ajo pajisje. Të paktën publikisht nuk është dhënë asnjë sqarim në lidhje me zhdukjen e USB-së të pajisjes./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera