Lajme

Abdixhiku: Njohja e ndërsjellë ishte politikë qendrore e administratës Biden – Kurti i dha dhuratë kundërshtarit tonë historik

Autori: Gazeta inFokus 11:47 | 05 January 2023

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas deklaratës së ambasadorit të ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, se tani nuk është koha për njohje të Kosovës nga Serbia.

I pari i kësaj partie partie, ka thënë se në vitin 2021, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia ishte politikë qendrore e administratës Biden, por siç thotë ai tani dy vite më vonë, pozicioni ndërkombëtar është rënduar.

“Më 7 shkurt të vitit 2021, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, nëpërmjet një letre urimi, i kishte kërkuar Presidentit të Serbisë Vuçiq, arrtijen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovën të përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Pra njohja e ndërsjellë, respektivisht njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia ishte politikë qendrore e administratës Biden. Si njëri nga Presidentët më të involvuar me çështjen e Kosovës, që nga vitet e 90-ta e këndej, Joe Biden dhe qëndrimi këmbëngulës për Kosovën, shpërfaqnin një mundësi të jashtëzakonshme për popullin e vendin tonë”, ka shkruar Abdixhiku.

-Advertisement-

Në postimin e tij të bërë në Facebook, kreu i LDK-së thotë se tani aleati kryesor i Kosovës e thekson se nuk është koha për njohje, si pasojë e papërgjegjësisë populliste, Kurti degradoi relacionet në qëndrime që tani edhe normalizojnë mosnjohjen.

Sipas Abdixhikut, në momentin më të mirë për vendin tonë, e më të keqin për Serbinë, Qeveria i bëri një dhuratë të papritshme kundërshtarit tonë historik, ndërsa në fund shton se liderët, Kurti e Osmani i detyrohen popullit për një shpjegim se si arritën në këtë pikë në këto dy vite.

“Saktësisht dy vite me Qeverinë Kurti, dhe pozicioni ndërkombëtar i Kosovës duket qartazi i rënduar. Tani aleati ynë kryesor thekson se koha nuk është për njohje. Ky qëndrim vjen si pasojë e papërgjegjësisë populliste që për politikë turmash jo që s’arriti të përfitojë nga kjo administratë, por pariparueshëm degradojë relacionet në qëndrime që tani dhe normalizojnë mosnjohjen. Dhe kështu, si në asgjë, në momentin më të mirë në dekada për Kosovën, e në momentin më të rëndë për Serbinë e aleatin e saj Rusinë – Qeveria e Kosovës bëri të pabëshmën, regresoj në fundament me partnerë strategjik duke i dhënë një dhuratë të papritshme kundërshtarit tonë historik.

Liderët shtetërorë i detyrohen popullit të Kosovës një shpjegim se si arritën – në dy vite të tyre – deri tek ky përfundim. Sepse politika e tyre e theqafjes nuk përbën asnjë shpjegim patriotik”, ka shkruar Abdixhiku.

Lidhur me deklaratën e Hovenier, dje gjatë ditës pati një reagim edhe nga nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net, Çitaku fajësoi Kryeministrin dhe Presidenten e vendit.

Sipas saj, politika e papërgjegjshme dhe amatoreske e tyre ka sjellur këtë pasojë.

“Qeveria dhe Presidentja duhet të sqarojnë se si kemi arritur në këtë situatë. Politika e papërgjegjeshme dhe amatoreske ka pasoja. Kjo duket të jetë një nga to”, tha Çitaku për Gazetën Online Reporteri.net.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se Qeveria duhet t’i tregoj popullit se katandisur punën që e kanë bërë ShBA-në të deklarojnë se nuk është është koha për njohje nga Serbia.

“Qeveritarët duhet t’i tregojnë popullit ku e kanë katandisur punën që e ka shtyrë SHBA-në — aleatin kryesor Kosovës — të deklarojë se nuk është koha për njohje nga Serbia. Çfarë ka ndodhur në marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në që njohja reciproke nuk është më në qendër?!”, tha Hoti.

Se niveli i mosbesimit mes palës kosovare dhe asaj serbe nuk ka qenë kurrë më i lartë, e kishte thënë edhe ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak.

“Tensionet nuk kanë qenë kurrë më të larta në 20 vjet; Mosbesimi nuk ka qenë kurrë më i thellë”, citohet të ketë thënë Lajçak në një bisedë me njohësin e çështjeve të Ballkanit, Tim Judah.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti ka thënë se Serbia vazhdon të jetë e painteresuar për një kompromis.

Madje ai ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e dëshiron ndarjen dhe se dëshiron kthimin në kohë e flet sikur është “në kërkim të makinës së kohës… herë dëshiron të kthehet më 1999 e herë më 2007 (para shpalljes së pavarësisë së Kosovës), por ju e dini… treni është larguar nga stacioni. Nuk mund të kthehemi më atje”, citohet të ketë thënë Kurti.

Kryeministri Kurti ka thënë se Serbia nuk është e interesuar për arritjen e marrëveshjes finale, megjithëse konfirmoi se në muajin janar të vitit 2023 do të ketë nisma të reja për të përgatitur takimin e radhës në Bruksel. Kurti, thekson se Serbia më shumë është e interesuar për shkaktimin e krizave në të cilat mandej shfaqet vet si faktor për t’i zgjidhur ato.

Por, Bashkimi Evropian ende nuk ka datë për rifillimin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve.

Zëdhënësja e BE-së, Zoi Muletier në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net ka thënë se “nëse do të ketë një takim do ta bëjnë publik kur të është e përshtatshme”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit

Të tjera