Lajme

A refuzoi Osmani ta takojë Lajçakun në Pragë? BE: Këto pyetje t’i drejtohen zyrës së Presidentes

Autori: Gazeta inFokus 12:54 | 03 September 2024

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fund të javës së kaluar ishte në Pragë të Çekisë për të marrë pjesë në Forimin e sigurisë, Globsec. Për të njëjtën arsye atje ishte edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ndërmjet tyre mungoi një takim. Një zëdhënës i BE-së i tha sot Gazetës Express se për arsyet që s’pati një takim ndërmjet tyre pyetjet duhet t’i drejtohen Presidencës së Kosovës.

“Ne besojmë se këto pyetje duhet t’i drejtohen zyrës së Presidentes Osmani”, tha zëdhënësi.

-Advertisement-

Lajçak e cilësoi të rëndësishëm një takim që e pati atje me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Gazeta Express mësoi të dielën se ai kishte kërkuar ta takonte edhe Vjosa Osmanin atje, por presidentja e Kosovës kishte refuzuar.

Presidenca tha zyrtarisht më pas gjatë asaj dite se Osmani kishte agjendë të ngjeshur dhe se kjo e ka pamundësuar një takim të saj me Lajçakun.

“Për shkak të agjendës së ngjeshur të Presidentes gjatë vizitës njëditore në Pragë, ka qenë e pamundur të realizohet takimi këtë herë”, thanë nga Presidenca në një përgjigje për Expressin.

Lajçak shkroi të dielën në Facebook për angazhimet e tij në Pragë, duke treguar se është takuar me të angazhuarin e ri të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof dhe Vuçiqin. Takimin me të parin e konsideroi si “moment kryesor” dhe “konfirmim të partneritetit”, ndërsa me presidentin serb tha se foli “për hapat e ardhshëm në Dialog dhe pritshmëritë nga periudha e ardhshme”.

Ndërmjetësi europian paralajmëroi se do ta vizitojë Kosovën pasi të ndalet shkurtimisht në Bruksel dhe pasi të marrë pjesë nē Forumin Strategjik të Bledit, i cili është duke u zhvilluar në Slloveni.

Në Prishtinë, Lajçak tha se do të vijë “për ta përgatitur takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve në Bruksel”.

Osmani të shtunën në një diskutim në konferencën e sigurisë Globsec u ankua për pabarazi mes palëve në dialogun Kosovë-Serbi, duke u u shprehur e sigurt se me ardhjen e Kaja Kallas në detyrën e shefes së diplomacisë së Bashkimit Europian “barazia do të kthehet në tryezë”. “Do të duhet të presim disa muaj”, tha ajo.

Vetëm edhe disa muaj i kanë mbetur edhe Lajçakut në detyrën e të dërguarit të BE-së për dialogun. Në qershor atij iu zgjat ky mandat deri në janar të vitit të ardhshëm.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’
-Advertisement-

Të tjera