Ekonomi

A duhet KEDS-i t’i marrë 2.5 milionë euro përmes RTK-së? Flasin deputetët

Autori: Sylejman Sylejmani 11:41 | 11 April 2019

Projektligji për RTK-në që pritet të votohet të enjten në Kuvend, parasheh që t’ia shtojë në konto KEDS-it rreth 2.5 milionë euro.

Këto para pritet që KEDS-i t’i fitojë për një vit nga faturat e rrymës, në të cilat do të futet edhe një pagesë shtesë për Radio Televizionin e Kosovës, shkruan Gazeta inFokus.

Kjo formë e financimit, po kundërshtohet nga deputetët e Opozitës, pasi ajo mund të bëhet edhe përmes Postës së Kosovës.

-Advertisement-

Ndërmarrja publike që po kalon nëpër një gjendje të rëndë financiare mund ta kryej këtë shërbim, madje me një kosto më të lirë se KEDS-i.

Këtë propozim, deputeti i LDK-së, Imet Rrahmani thotë se e ka bërë edhe në komisionin për Administratë Publike, ku është anëtar.

“Edhe gjatë punës në Komision ne si LDK kemi shprehur dilema tek mbledhja e këtyre parapagimeve. E kemi shprehur mundësinë që të bëhet edhe përmes rrugëve të tjera e jo vetëm përmes KEDS-it, sepse ajo e ka një kosto më të lartë. Në kosto ma të lehtë e më të lirë kishte me qenë Posta e Kosovës”, ka thënë Rrahmani për Gazetën inFokus.

“Kur kam qenë ministër i Shëndetësisë e kemi pasur një marrëveshje me Postën për mbledhjen e Premiumeve kemi bërë marrëveshje pikërisht me Postën për shkak të kostos më të ulët në raport me bankat komerciale”, ka theksuar Rrahmani.

Për këtë çështje, kryetari i komisionit parlamentar për Administratë Publike, Nait Hasani nuk ka dashur të flas.

Përmes telefonit ai ka deklaruar se do të flas pasi të kalojë projektligji.

E deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka ka treguar se përgjatë punës në komision të gjitha mundësitë kanë mbetur të hapura.

“Të gjitha variantet janë të hapura. Unë e di që gjatë debatit e kemi lënë edhe përmes Postës edhe çdo variant. Kështu që kaq mund të them. Unë personalisht të gjitha variantet i përkrah, cilido që është në të mirë të qytetarëve. Pse mos me shku tek Posta, për mua është krejt e logjikshme. Për gjendjen financiare nuk ka gajle sepse këta vet e kanë vjedh postën, për ata nuk ka lidhje. Unë mendoj tek interesi i qytetarit, e jo tek interesi i Postës. Por qytetarit ku t’i vjen ma mirë e ma lirë, që mos me prit në sportele. Edhe përmes KEDS-it edhe përmes Postës, dyjat”, ka theksuar Zeka.

Për këtë çështje Gazeta inFokus është në pritje të një qëndrimi edhe nga Posta e Kosovës. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera