Lajme

A do të rritet çmimi i ujit? Tregojnë nga Autoriteti Rregullator i Ujit

Autori: Gazeta inFokus 08:36 | 11 November 2021

Të martën në Komisionin Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti është diskutuar për rritjen e mundshme të tarifave të ujit të pijes.

Nga zyrtarët e Autoritetit Rregullator të ujit në Kosovë, gjatë raportimit është thënë se ata janë duke bërë presion të vazhdueshëm tek kompanitë rajonale të ujësjellësve që të mos rriten faturat e ujit, duke i zvogëluar humbjet e panevojshme të ujit.

Front Online ka pyetur në Autoritetin Rregullator të Ujit në Kosovë se a do të ketë shtrenjtim të tarifave të ujit për këtë vit.

-Advertisement-

Nga ky autoritet kanë thënë se deri më 31 dhjetor të këtij viti nuk do të ketë ngritje të çmimeve.

“Tarifat për shërbimet e ujit dhe ujerave të ndotura nuk do të pësojnë ndryshime deri më 31 dhjetor të vitit 2021”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Por nuk përjashtohet mundësia që nga viti i ardhshëm të mos ndodhë kjo, pavarësisht që ARRU-ja nuk planifikon ta bëjë një gjë të tillë.

Aktualisht është duke u punuar në procesin tarifor për vitet 2022 deri 2024.

“Aktualisht ARRU është duke përgatitur procesin tarifor për vitet 2022-2024 dhe është e përkushtuar që çmimet e shërbimeve për ujë dhe ujëra të ndotura, të mos rriten as ne tre vitet e ardhshme”, kanë thënë nga ARRU për Front Online.

Disa nga kompanitë rajonale të ujit kanë kërkuar që të shtrenjtohet çmimi i ujit por që Autoriteti Rregullativ i Ujit nuk ka përkrahur këto kërkesa duke respektuar Ligjin që e rregullon këtë cështje.

“Në bazë të Ligjit 05/L-042 për Rregullimin e Shërbimeve të Ujit, Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) është i vetmi institucion përgjegjës për caktimin e tarifave (çmimeve) të shërbimeve të ujësjellësit dhe ujërave të ndotura në tërë Kosovën”, kanë thënë nga ARRU-ja.

Aktualisht në vend ka pasur ngritje të çmimeve të shumë produkteve por edhe shërbimeve publike bazuar edhe në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Kjo situatë ka bërë që qytetarët të përballen me vështirësi duke prekur edhe shtresat më të varfëra të shoqërisë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera