Lajme

KFOR: Pa lejen tonë FSK-ja nuk shkon në veri

Autori: Gazeta inFokus 16:18 | 26 February 2020

KFOR-i i ka bërë të ditur institucioneve të Kosovës se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të shkojë në veri pa lejen e tyre.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme ka njoftuar përmes një shkrese zyrtare se e ka informuar kryeparlamentaren Vjosa Osmani, lidhur me një marrëveshje “sekrete” në mes të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, dhe sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, në lidhje me praninë e FSK-së në veri.

arbresh.info ka kontaktuar me zëdhënësin e KFOR-it, Daniele Riggio, i cili tha se çdo lëvizje që FSK-ja bënë në pjesën veriore nevojitet njoftim paraprak sipas marrëveshjes, tek Komandanti i KFOR-it.

-Advertisement-

“Jemi duke ndjekur vendimin për kalimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, ne tani jemi duke e rishikuar nivelin e angazhimit të NATO-s me FSK-në. Ky diskutim është duke vazhduar. Çdo lëvizje nga FSK-ja në pjesën veriore të Kosovës kërkon njoftim paraprak sipas marrëveshjes tek Komandanti i KFOR-it. Për 20 vite, paqja dhe stabiliteti në Kosovë ka qenë një prioritet për NATO-në. Mandati ynë nuk ka ndryshuar, ne do të vazhdojmë misionin paqeruajtës. NATO gjithashtu mbështet rinisjen e dialogut të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian mes Beogradit dhe Prishtinës si të vetëm zgjidhje politike për rajonin”, deklaroi Riggio për arbresh.info.

Po ashtu ai shtoi se misioni i NATO-së për Kosovën mbetet i pandryshueshëm.

“Misioni ynë i KFOR-it ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor për 20 vitet e fundit. Këtë vit, ne shënojmë 20 vjetorin e nisjes së KFOR-it. Misioni ynë mbetet i pandryshuar, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Kombeve të Bashkuara. Ne jemi këtu për të mbajtur një ambient të sigurte për të gjithë njerëzit në Kosovë, dhe kjo është ajo që po bëjmë”, është shprehur ai.

Kryeministri Kurti në një konferencë të thirrur në lidhje me këtë çështje paralajmëroi se nesër do të takojë Komandantin e KFOR-it.

Vetë presidenti, Hashim Thaçi, nuk është deklaruar në lidhje me këto zhvillime, pavarësisht bujës që bëri “marrëveshja sekrete” që e prezantoi Albin Kurti. Thaçi aktualisht gjendet në Uashington.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit

Të tjera