Lajme

VV-LDK, përpjekje të orëve të fundit për arritjen e koalicionit

Autori: Gazeta inFokus 07:17 | 23 December 2019

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike do ta bëjnë përpjekjen e orëve të fundit për arritjen e marrëveshjes së koalicionit, tri ditë para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Deri tash asnjëra palë nuk ka dhënë shenja se do të zmbrapset nga qëndrimet e betonuara rreth postit të presidentit, për të cilin LDK-ja insiston ta propozojë kandidatin dhe VV-ja t’ia zotojë 29 votat e deputetëve, shkruan sot Koha Ditore.

Në Vetëvendosje kanë thënë se prej tri javësh LDK-ja nuk ka bërë asnjë lëvizje prej pozicionit fillestar, teksa kanë përmendur edhe qëndrimin e deputetëve gjermanë, të cilët thanë se prioritet është formimi i Qeverisë.

-Advertisement-

“Presim prej disa javësh që marrëveshja të realizohet. Kjo është dëshirë e jona, dhe i kemi bërë disa lëshime e oferta konkrete, të cilat kryetari i ka përmendur publikisht, për hir të transparencës. Po presim që edhe pala tjetër të tregohet konkretisht e gatshme për marrëveshje”, ka thënë të dielën për gazetën Arlind Manxhuka nga zyra për informim e VV-së.

Mospajtimet nuk u tejkaluan as pas takimit të fundit ndërmjet Albin Kurtit e Isa Mustafës, i cili u mbajt një ditë pas kërkesës në kor të diplomatëve ndërkombëtarë që të nënshkruhet marrëveshja për koalicion.

Edhe pse LVV-ja prej fillimit ka insistuar që marrëveshja të arrihet vetëm për Qeverinë dhe Kuvendin, në takimin e fundit pika që i referohet presidentit është propozuar të ketë formulim “neutral”. Ky qëndrim do të nënkuptonte përkushtimin e të dyja palëve në gjetjen e një personalitetit konsensual si kandidat për president.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera