Policia godet grupin e organizuar të trafikimit me kokainë në Prishtinë, arrestohen gjashtë persona
Autori: Gazeta inFokus
12:45 | 15 November 2026
Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të koduar “Heshtja”, në kuadër të të cilit ka goditur një grup të organizuar të dyshuar për trafikim dhe shpërndarje të kokainës në rajonin e Prishtinës.
Gjatë operacionit, të zhvilluar më 14 nëntor, janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt. Në mesin e provave materiale të sekuestruara janë rreth 1.6 kilogramë kokainë, gjashtë vetura luksoze, para të gatshme, ora dhe stoli të çmuara, armë e pajisje të ndryshme.
Sipas Policisë, vlera e përgjithshme e substancave narkotike dhe aseteve të sekuestruara arrin në rreth 301 mijë euro.
Policia ka bërë të ditur se operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) – Sektori Qendror, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Policia ka njoftuar se operacioni është rezultat i një hetimi të gjatë, të zhvilluar përmes masave të veçanta hetimore, gjatë të cilit janë zbardhur dyshimet për funksionimin e një grupi me strukturë të organizuar dhe hierarki të qartë.
“Hetimi […] ka zbardhur dyshimet për funksionimin e një grupi me strukturë të organizuar dhe nivele të qarta hierarkike, nga personat e dyshuar në nivel drejtues deri te shpërndarësit e narkotikëve në rrugë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në realizimin e operacionit antidrogë kanë asistuar Njësia e Reagimit të Shpejtë, patrullat policore të stacioneve të kryeqytetit, Njësia e Forenzikës dhe Njësia K9. Gjatë aksionit janë bastisur disa lokacione.
Policia ka bërë të ditur se gjatë operacionit fillestar dhe vazhdimit të tij janë sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, si dhe sasi të tjera të substancave të dyshuara narkotike.
“Përfshirë marihuanë dhe substancë të panjohur, si dhe tableta të dyshuara të ekstazisë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 16 mijë euro para të gatshme në valuta të ndryshme, përkatësisht euro, franga zvicerane, funta britanike, dollarë kanadezë dhe lekë shqiptarë.
Në mesin e aseteve të sekuestruara janë edhe gjashtë vetura të markave të ndryshme luksoze, përfshirë Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe VW Tiguan.
Gjatë operacionit janë konfiskuar gjithashtu telefona mobilë, pajisje elektronike dhe të komunikimit, pajisje për vëzhgim, ora luksoze të markave Rolex dhe Franck Muller, si dhe stoli të çmuara.
Si prova materiale janë sekuestruar edhe një armë zjarri, municion, thika, peshore digjitale, pajisje për paketimin e substancave narkotike, si dhe dokumente e shënime të ndryshme.
Sipas vlerësimeve të Policisë, bazuar në çmimin e shitjes së kokainës në tregun e rrugës, sasia e sekuestruar e kësaj droge ka një vlerë të mundshme prej rreth 111 mijë eurosh.
“Vlera e përgjithshme e vlerësuar e substancave narkotike dhe aseteve të sekuestruara, përfshirë veturat luksoze, orët, stolitë dhe paratë e gatshme, sipas raportit të rastit, arrin në rreth 301 mijë euro”, thuhet në njoftim.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të gjashtë të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë.
Policia ka bërë të ditur se të gjitha veprimet janë ndërmarrë nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ndërsa hetimet dhe veprimet operative janë duke vazhduar.
Në fund të njoftimit, Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për luftimin e trafikimit të narkotikëve, duke vënë në pah synimin për goditjen e grupeve kriminale në të gjitha nivelet e funksionimit të tyre.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar dhe aktive në luftimin e trafikimit të narkotikëve, me fokus të veçantë në identifikimin dhe goditjen e grupeve të organizuara kriminale në të gjitha nivelet e funksionimit të tyre, nga organizatorët dhe furnizuesit deri te shpërndarësit në rrugë”, thuhet në njoftim.
Policia ka theksuar se do të vazhdojë të ndërmarrë veprime për parandalimin dhe luftimin e këtij aktiviteti kriminal.
“Përmes hetimeve profesionale, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe operacioneve të vazhdueshme, Policia e Kosovës do të vazhdojë të ndërmarrë veprime konkrete për parandalimin dhe luftimin e këtij aktiviteti kriminal, mbrojtjen e sigurisë publike dhe ruajtjen e rendit dhe ligjit”.

T� tjera
-
Osmani i reagon Haxhiut për Rugovën: Përpjekje për ta denigruar, gjatë 5 vjetëve liderë botërorë veç atë ma përmendën
Deputetia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani i ka quajtur “përpje...
-
Janina Ymeri: Qytetarët në komunat me shumicë shqiptare paguajnë deri në 22% më shtrenjtë rrymën sesa ata në veri
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka ngritur shqetësi...
-
Parashikimi i frikshëm i ‘babait të inteligjencës artificiale: IA mund të dalë jashtë kontrollit të krijuesve në tre vitet e ardhshme
Fituesi i Çmimit Nobel, Geoffrey Hinton, i njohur si “babai i inteligjencës a...
-
Të përjashtuara nga talibanët, vajzat dhe gratë afgane po mbeten pa shkollim edhe në Iran e Pakistan
Zahra ishte vetëm disa muaj larg përfundimit të studimeve për mjekësi në Kabu...
-
U raportua i zhdukur në Ferizaj, 31-vjeçari gjendet shëndosh e mirë në Prishtinë
Policia e Kosovës ka njoftuar se pas katër ditësh kërkimi është arritur që të...
-
Kurti bisedon me Rutten në Dublin: Anëtarësimi i Kosovës në NATO i shërben sigurisë në Evropë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë me Sekretarin e P...
-
KFOR organizon ushtrimin “Golden Sabre” në Kampin Vrella, marrin pjesë edhe Policia, EULEX-i dhe FSK-ja
Forca e Kosovës (KFOR) do të zhvillojë ushtrimin “Golden Sabre” në Kampin Vre...
-
Nëna nga Gjakova e raporton djalin e saj në polici, ai dërgohet në mbajtje
Një rast i dhunës në familje është raportuar të ketë ndodhur në Gjakovë. S...
-
Burri la tre fëmijët në rrugë në Prishtinë, ish-gruaja e raporton në polici për sulm
Një rast i dhunës në familje është raportuar në Prishtinë, ku një grua dyshoh...
-
Dhunë në familje në Podujevë, Prishtinë, Gjakovë dhe Malishevë, në njërin rast gjenden armë dhe municion
Policia e Kosovës ka raportuar disa raste të dhunës në familje në raportin 24...
-
Një person gjendet pa shenja jete në shtëpinë e tij në Prizren
Një person është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në Prizren. Rasti...
-
Të martën shpallet aktgjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve për administrim të drejtësisë
Pasnesër pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ...
































