Ekonomi

Dy zyrtarë të BQK-së japin dorëheqje nga likuidimi i Insig-ut

Autori: Gazeta inFokus 10:19 | 05 June 2019

Pal Lekaj dhe Ramis Ahmetaj, njëri pas tjetrit, brenda një intervali të shkurtër kohor,  dhanë dorëheqje nga pozita e likuidatorit të kompanisë së sigurimeve “Insig”, të cilës iu revokua së fundi licenca nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

Të dy këta zyrtarë të BQK-së, ishin emëruar në pozitën e likuidatorit të kompanisë, pas vendimit të Bordit ekzekutiv të BQK-së me 29 prill, me të cilin ia revokoj licencën kompanisë “Insig”.

Në BQK e kanë konfirmuar dorëheqjen e këtyre dy zyrtarëve, por pa i komentuar arsyet që çuan deri tek ky vendim, shkruan Buletini Ekonomik.

-Advertisement-

“Arsyet e dorëheqjes të dy likuidatorëve të siguruesit në likuidim “INSIG” Sh.A dega Kosovë, z. Pal Lekaj dhe z. Ramis Ahmetaj, sipas arsyetimit të tyre janë personale”, ka thënë zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti.

Por Buletini Ekonomik përmes burimeve të sigurta në BQK mëson se arsyeja e vërtetë e dorëheqjeve erdhi pasi të dy likuidatorët u ndjen të kërcënuar në punën e tyre.

“Gjendja e kompanisë është shumë e rëndë. Ka pasur shumë parregullsi, punësime të dyshimta, dhe prezentim jo real të pasqyrave financiare nga ana e kompanisë. Prandaj likuidimi i saj nuk do të jetë një proces i lehtë. Të dy zyrtarët janë ndjerë edhe të kërcënuar”, ka thënë ky burim.

Likuidimi si proces parashihet me Ligjin nr. 05/L-045 për Sigurimet dhe është veprimi i fundit që e ndërmerr BQK për mbylljen e një subjekti në treg. Para likuidimit, BQK e merr nën administrim kompaninë që ka probleme, por nëse gjendja nuk arrin të sanohet, atëherë kompania shkon në likuidim dhe mbyllje totale. Kjo ka ndodhur edhe me kompaninë e sigurimeve INSIG.

Në vendimin e Bordit të BQK-së për revokim të licencës thuhet se “Kompania e Sigurimit “Insig” SH.A., Dega Kosovë, ka pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së për sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit dhe aftësisë paguese – Solvencës. Gjithashtu në njoftimin e BQK theksohet se pavarësisht gatishmërisë dhe përpjekjeve të BQK-së, Bordi dhe Menaxhmenti i kompanisë nuk ka arritur t’i përmbushë kërkesat ligjore dhe përmirësimin e gjendjes financiare të kompanisë.

“Në të njëjtën kohë, Aksionari i Kompanisë së Sigurimit “Insig” Dega Kosovë nuk iu është përgjigjur kërkesave të BQK-së për rritjen e kapitalit dhe arritjes në pajtueshmëri me kërkesat ligjore në fuqi”, thuhet në këtë vendim.

Zëdhënësi Ahmeti ka thënë për Buletinin Ekonomik, se përkundër dorëheqjeve të ofruara nga dy zyrtarët e BQK-së, procesi i likuidimit është duke vazhduar.

Tashmë është përzgjedhur edhe likuidatori i tretë.

“BQK-ja ka vazhduar me procesin e likuidimit,  duke emëruar Z. Nezir Lokaj Likuidator të siguruesit “INSIG” Sh.A dega Kosovë”, ka thënë Ahmetaj.

Ai ka shtuar se likuidatori, bazuar në kompetencat ligjore, do të njoftoj policëmbajtësit dhe kreditoret tjerë mbi procesimin e kërkesave në raport me siguruesin “INSIG” Sh.A dega Kosovë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Black Friday ne Artmotion
-Advertisement-

Të tjera