Lajme

PDK-ja mbështet kërkesat legjitime të Luginës së Preshevës

Autori: Gazeta inFokus 14:10 | 14 September 2018

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar sot në Kuvendin e Kosovës përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës. Në takime të ndara ai ka pritur kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, si dhe kryetarin e Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, të shoqëruar nga nënkryetarja e Partisë për Veprim Demokratik, Ardita Sinani dhe deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Fatmir Hasani.

Në këto takime, siç bëhet e ditur përmes një komunikate për media, përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës kanë shprehur kërkesat e tyre për zgjidhjen e shumë problemeve me të cilat ata përballen në vazhdimësi. Ata theksuan se situata në Luginë është e rëndë dhe se qytetarët përballen me vështirësi të shumta. Përfaqësuesit e Luginës vlerësuan lartë faktin që Kosova po e diskuton me prioritet gjendjen e tyre dhe gatishmërinë që çështja e shqiptarëve në Luginë të jetë një prej temave qendrore në Bruksel në dialogun Kosovë – Serbi.

Nga ana e tij, kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, vlerësoi përpjekjet e faktorit politik në Luginë për realizimin e kërkesave të qytetarëve shqiptarë në atë trevë. Krasniqi konfirmoi mbështetjen e PDK-së për kërkesat legjitime të tyre dhe theksoi se Kuvendi i Kosovës e ka obligim që ta marrë vendime për fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi dhe në këtë diskutim ta përfshijë edhe çështjen e Luginës së Preshevës. Kjo, tha ai, mund të bëhet edhe përmes një rezolute që merr parasysh vullnetin e qytetarëve të Luginës e që do të duhej të përkrahet nga të gjitha subjektet politike parlamentare në Kosovë.

-Advertisement-

Krasniqi dhe përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës u pajtuan që të jenë në komunikim të vazhdueshëm për adresimin e kërkesave dhe nevojave të qytetarëve shqiptarë në Luginë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Coffee shkon edhe në Ferizaj – ambient i ngrohtë e risi në menu (VIDEO)
-Advertisement-

Të tjera