Lajme

Analistët ngrenë pikëpyetje rreth idesë për referendum për ‘korrigjimin e kufijve’

Autori: Gazeta inFokus 13:55 | 10 August 2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ngritur idenë e mbajtjes së një referendumi për propozimin e tij të fundit për ‘korrigjimin e kufijve’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por ekspertë ligjorë në Prishtinë vënë pikëpyetje mbi ligjshmërinë e kësaj ideje.

Të martën, Presidenti Thaçi, përmes një komenti në Facebook, tha se e ka hedhur poshtë opsionin e ndarjes së Kosovës apo shkëmbimit të territoreve me Serbinë, ndërsa propozoi që marrëveshja e pritur me Beogradin të vihet në votë popullore.

“Në një situatë të tillë, vërtetë që nuk mbetet rrugë tjetër përveç fuqizimit të vendimmarrjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke iu mundësuar atyre për të vendosur vetë se kush ka të drejtë dhe se cili opsion është në interes të Kosovës. Prandaj, është e domosdoshme që t’iu mundësojmë qytetarëve tanë të drejtën e referendumit, gjë që për të cilën jam duke punuar që të bëhet realitet”, tha Thaçi.

-Advertisement-

Por korniza aktuale ligjore në Kosovë nuk mundëson mbajtje të referendumit sepse Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar një ligj për këtë gjë.

“Për 10 vjet, liderët politikë nuk kanë dashur të kenë një ligj për referendumin përmes të cilit qytetarët do të mund të inicionin çështje për t’u votuar… është domosdoshmëri që Kosova ta ketë një ligj të tillë dhe kjo duhet të jetë prioritet për Kuvendin”, tha për BIRN, eksperti ligjor Mazllum Baraliu.

“Por ky ligj nuk mund të bëhet brenda ditëve”, shtoi ai.

Aktualisht deputetët e Kuvendit të Kosovës janë në pushim vjetor, për t’u kthyer në ulëset e tyre gjatë shtatorit ndërsa deri më tani askush nuk ka marrë iniciativë për hartimin e një ligji të tillë.

Por Baraliu thotë se ka parë edhe pengesa tjera në iniciativën e Thaçit.

“Çështjet që janë në kundërshtim me Kushtetutën nuk mund të vihen në referendum”, tha ai.

Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, në bazë të të cilit Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008 thotë se “Kosova nuk duhet të ketë pretendime territoriale ndaj një shteti tjetër dhe nuk duhet të kërkojë bashkime një shtet apo pjesë të një shteti tjetër”.

Ky dokument gjithashtu ndalon referendumet në çështje që janë në kundërshtim me Propozimin, i cili shërbeu si bazë edhe për hartimin e Kushtetutës së Kosovës.

Por studiuesi i çështjeve politike, Krenar Gashi, tha për BIRN se aktualisht gjëja më e rëndësishme është që të sigurohet një marrëveshje me Serbinë.

“Çështja nuk është nëse Kosova mund ta organizojë një referendum apo jo, por më shumë nëse do të jemi në gjendje ta arrijmë një traktat me Serbinë dhe ta kemi edhe SHBA-në edhe Rusinë si garantues mbi Bashkimin Europian. Nëse arrihet një traktat i tillë, kjo do ta përshpejtonte konsolidimin e shtetësisë së Kosovës ndërsa organizimi i referendumit për ta mbështetur atë do të ishte gjë fare e lehtë”, tha Gashi.

“Janë dy çështje të rëndësishme që duhet pasur parasysh. Së pari, jetojmë në një kohë të paparashikueshme kur bëhet fjalë për politikën ndërkombëtare. Së dyti, ne kemi një kufi të gjatë me Serbinë të cilin duhet ta shënjojmë dhe të merremi vesh. Kjo nënkupton se ne duhet të flasim me Serbinë rreth territorit, herët apo vonë. Mirëpo nuk do të ketë shkëmbime të mëdha”, tha Krenar Gashi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine
-Advertisement-

Të tjera