Lajme

Gjashtë kandidatë për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese

Autori: Gazeta inFokus 08:28 | 04 July 2018

Në seancën e së enjtes Kuvendi i Kosovës e ka në rend dite zgjedhjen e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Kjo në fakt do të jetë përpjekja e dytë për ta kompletuar këtë institucion me anëtarë të rinj, pas skadimit të mandatit të anëtarëve të saj. Anëtarët e këtij komisioni presin që të përmbyllet ky proces, ndërsa njohësit e çështjeve kushtetuese janë kritikë për qasjen e partive ndaj Gjykatës Kushtetuese

Komisioni për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka përzgjedhur gjashtë kandidatë dhe ia ka rekomanduar Kuvendit për votim. Nexhmi Rexhepi, Safet Hoxha, Remzije Istrefi Peci, Shkëmb Manaj, Vigan Qorrolli dhe Emrush Kastrati, janë kandidatët e përzgjedhur. Vetëm ky i fundit është emër i ri për deputetët, të tjerët ishin në garë edhe më herët, por në seancën e majit, asnjëri nuk i mori votat e mjaftueshme për të qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese, kështu që procesi u kthye në pikën zero. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ishte anëtar i komisionit përzgjedhës, ndërsa është optimist se kësaj here do të përmbyllet kjo çështje. Ai thotë se duhet patjetër të kalojnë anëtarët e rinj, ngase ka vakuum në Gjykatën Kushtetuese.

-Advertisement-

“Tash besoj që ka edhe ndonjë kandidat tjetër, edhe ka më pak kandidatë dhe kjo jep mundësi për përzgjedhjen e kandidatëve të cilët janë më të mirë”, tha Isufi për Radio Kosovën.

Ndërsa Shqipe Pantina nga Partia Socialdemokrate tha shkurt se nuk mund të parashikojë nëse do të përmbyllet ky proces apo jo, ngase varet nga ajo se si do të votojnë deputetët. Megjithatë, sipas saj, mundësia është më e madhe tani, ngase dy kandidatë herën e parë nuk kanë kaluar vetëm për një apo dy vota.

Vonesa e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Kushtetueses, ka bërë që Gjykata të mbetet pa kuorum. Profesori i të drejtës kushtetuese, Riza Smaka është kritik për këtë vonesë, e cila sipas tij, ndodhë pasi partitë synojnë t’i akomodojnë njerëzit e vetë brenda këtij institucioni. Prandaj, ai tha se shpesh edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë në konformitet me interesat e pushtetit aktual, duke e nëpërkëmbur Kushtetutën, në favorin e politikave ditore.

“Sepse, në Gjykatën Kushtetuese që nga fillimi janë zgjedh persona pa kualifikime meritore, pastaj me preferenca partiake dhe pastaj ata duhet të jenë koherentë me ata që i kanë emëruar, sepse kanë privilegje tmerrësisht të mëdha dhe të pajustifikueshme. I kanë pagat marramendësisht të mëdha, krahasuar me punën që bëjnë”, tha Smaka për Radio Kosovën.

Nga viti 2016, Gjykata Kushtetuese ka funksionuar me 8 anëtarë, pasi një pozitë mbeti vakante pas largimit të një gjyqtari ndërkombëtar. Edhe dy gjyqtarëve të tjerë ndërkombëtarë mandati iu ka përfunduar më 16 qershor. Për më shumë se dy javë kjo gjykatë ka mbetur pa kuorum për vendimmarrje.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Ku mos mu HUTU me BLACK FRIDAY Artmotion
-Advertisement-

Të tjera