Lajme

KMDLNj: Kushtëzimi i qytetarëve me shlyerje të borxheve, shkelje e të drejtave të njeriut

Autori: Gazeta inFokus 12:56 | 22 June 2018

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut përmes një deklarate për media ka reaguar lidhur me kushtëzimet e ndryshme që po iu bëhen qytetarëve me shlyerjen e borxheve, ndërsa thekson se duhet kërkuar rrugë të tjera për inkasim të borxheve.

KMDLNj thekson se kushtëzimi me shlyerje të borxheve është shkelje e të drejtave të njeriut.

Lexoni të plotë reagimin e KMDLNj-së:

-Advertisement-

“Sipas ligjeve në fuqi në Kosovë, çdo kushtëzim konsiderohet si vepër penale apo kundërvajtje dhe në përputhje me këtë ndërmerren edhe masat ligjore.

Më parë Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka rrëzuar disa raste kur komunat i kanë kushtëzuar qytetarët sidomos gjatë rregullimit të dokumentacionit, me shlyerjen e borxheve për mbeturina, ujë dhe shërbimeve tjera , përjashtuar këtu tatimin në pronë.

Për shkak te grumbullimit të borxheve të pashlyera dhe për shkak të mbingarkimit të gjykatave dhe shkaku se nuk ishte stabilizuar institucioni i përmbarimit, një pjesë e konsiderueshme e borxheve mbeten të papaguara, qoftë për shkak të papërgjegjësisë së qytetarëve, që nuk i paguajnë borxhet për shërbimet e ofruara, qoftë për shkaqe politike siç e bëjnë serbët.

KMDLNj vazhdimisht ka reaguar kundër kushtëzimit duke konsideruar se kushtëzimi nuk mund të përdoret si mjet ligjor (është vepër penale) për inkasim të borxheve në ndërkohë që ka kërkuar edhe tani kërkon që qytetarët t’i shlyejnë borxhet për shërbimet e ofruara.

Kohëve të fundit kushtëzimi është theksuar sidomos te gjobat për shkelje te rregullave të trafikut me ç’rast kontestohet bartja e pronësisë për një automjet të blerë në rast se shitësi nuk i ka paguar gjobat e që nuk është në rregull sepse blerësi nuk mund t’i bartë pasojat për borxhet e dikujt tjetër, në rast konkret të shitësit.

As vetura nuk mund të regjistrohet nëse keni gjoba të papaguara për shkak të kundërvajtjeve në trafik sikur që ka raste të paraqitura në KMDLNj ku qytetarët ndalohen në aeroporte për shkak të borxhit dhe nuk u lejohet fluturimi.

KMDLNj absolutisht është që gjobat e shqiptuara për kundërvajtje në trafik të shlyhen në afatin e paraparë aq më parë që është mundësia që, nëse në afatin e paraparë e paguani gjobën , shuma e gjobës përgjysmohet. Në ç’do vend të botës sanksionohet personi që e shkel ligjin andaj KMDLNj e dënon ashpër sjelljen e papërgjegjshme të disa qytetarëve të cilët me fajin e tyre kur gjobiten për shkelje, sidomos në trafik, i fyejnë rënd dhe i sulmojnë policët që janë në zbatim të ligjit e që këto raste për fat të keq kohën e fundit janë shpeshtuar.

KMDLNj konsideron se qytetarët e Kosovës nuk janë informuar mjaftueshëm për situatën e krijuar dhe se Policia e Kosovës ka përgjegjësi për këtë mosinformim. Kur pala e gjobitur kërkon sqarime nga policia për ndalesë sidomos në aeroport apo kufi, policia thotë se nuk kemi vendime me shkrim të bazuara në ligj përveç se e kemi një urdhëresë gojore nga eprorët e që nëse është e vërtetë, është krejtësisht e papranueshme dhe kundërligjore.

KMDLNj e kundërshton kushtëzimin, në çfarëdo forme të jetë dhe kërkon rrugë të tjera për inkasim të borxheve duke e forcuar përmbarimin sikur edhe duke e detyruar sistemin noterial që gjatë çdo transaksioni të ofrohen dëshmi se shitësi nuk ka gjoba të papaguara e nëse e bën deklarimin e pavërtetë, rastin ta paraqesin në prokurori.

Kurse, për ata që udhëtojnë jashtë Kosovës, në aeroport apo në pikat kufitare, duhet të krijohet mundësia që të shlyejnë gjobën e papaguar. Nuk ka logjikë që dikush udhëton me aeroplan apo me ndonjë mjet tjetër ndërsa nuk është në gjendje ta paguaj gjobën 20,30 apo 50 euro.

KMDLNj nuk i përkrahë ata që refuzojnë ta paguajnë dënimin për kundërvajtje që e bëjnë vet duke e rrezikuar sigurinë e qytetarit dhe sigurinë publike. Mosrespektimi i ligjit nga qytetarët nuk e krijon as mundësinë minimale që ata të mbrohen duke u thirrur në shkelje të drejtave të njeriut.

KMDLNj , gjithashtu e konsideron se kushtëzimi për të paguar 2, 5 euro për RTK , si parapagim është kundërkushtetues dhe shkelje e të drejtave të njeriut për çka është duke e bërë gati një reagim të veçantë”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
MYZHDE për krejt!
-Advertisement-

Të tjera