Opinione

KUJDES! (Alert!): SAJESA VIRALE TË KIBERLUFTËS SPECIALE!

Autori: Gazeta inFokus 10:35 | 06 March 2018

Shkruan: Hydajet Hyseni

Dy fjalë për dy – tri shpifje të radhës

KUJDES! (Alert!): SAJESA VIRALE TË KIBERLUFTËS SPECIALE! 

-Advertisement-

Kam qenë i vendosur të mos merrem fare me përgojimet, me shpifjet dhe trillimet e portalistëve thashethemaxhinj e dashakëqinj. Ka thënë, me të drejtë, i urti se shpifja e dëmton më shumë atë që shpif se sa atë që shpifet.

Pa e ndryshuar qëndrimin tim të deritashëm, e ndjej obligim t’ i njoftoj lexuesit dashamirë dhe vullnetmirë për disa viruse përçarëse kiberpolitike, që botohen e ribotohen, shpërndahen e rishpërndahen dhe përveç emrit tim, atakojnë edhe emrin e Bacë Adem Demaçit (në gjendje jo të lehtë shëndetësore dhe pikërisht në përvjetorin e 82-të të lindjes…?!) dhe emra të tjerë të respektuar, duke keqpërdorë, në mënyrë të ligë, madje edhe emrin e madh dhe veçanërisht të respektuar, të Heroit Metush Krasniqi dhe familjes Krasniqi.

Ja çka i vënë në gojë, portalistët, Heroit Metush Krasniqi:

“Rrëfimi tronditës i Heroit Metush Krasniqi

“RRËFIMI” (I RREJSHËM) 1

Për Adem Demaçin

“Me Adem Demaçin biseduam më 1963. Ai më foli per nji Organizatë Marksiste Leniniste, ndërsa unë isha i interesuar për vazhdimsi të NDSH-së (Nacional Demokratikja Shqiptare). Ademi më tha se ajo asht nji organizatë fashiste! Unë e ndjeva veten keq dhe i thash se nuk doja të punoja për komunizëm. Ato ditë më moren në hetuesi e më keqtrajtuen sa s’bëhet, duke më kerkuer t’i informoja për organizatën e NDSH-së! Na thuej me kë e ke formuar organizatën? – Ju thash, pse më torturoni, pse nuk jua paska thënë i njejti se më ke e kam formuar organizatën, derisa ditka për formimin e saj?”

Burimi i informacionit – Familjarët e Metush Krasniqit (?!!!)dhe libri i të burgosurit politik Ramadan Haziri – “Imazhi i vëllait në sytë e motrës” Fq. 144 (?!!!)”

Ja disa fakte që flasin vetë:

Adem Demaçi

burgoset më 19 nëntor 1958,

Dënohet më 17 mars 1959.

Lirohet më 19 nëntor 1961

Riburgoset më 1 shtator 1964…

Metush Krasniqi

riburgoset (për herë të dytë) më 3 nëntor 1958

Dënohet më 7 mars 1959

Lirohet më 1966…

Pra, në vitin 1963 Metush Krasniqi ndodhej në burgun e Nishit, kurse Adem Demaçi dy vite më parë ishte liruar nga burgu dhe po riorganizonte radhët e Lëvizjes.

Si mund të takoheshin Metush Krasniqi e Adem Demaçi, më 1963, në kulmin e zullumit rankoviçist, njëri në burg, tjetri jashtë burgut, njëri në Serbi tjetri në Kosovë dhe të bisedonin për mospajtimet ideologjike?!

Adem Demaçi me shokë e kishin pagëzuar organizatë e tyre:

“LËVIZJA REVOLUCIONARE PËR PËR BASHKIMIN E SHQIPTARËVE” ,

Metush Krasniqi me shokë:

“PARTIA REVOLUCIONARE PËR BASHKIMIN E TOKAVE SHQIPTARE ME SHTETIN AMË”,

Kadri Halimi, me shokë:

“KOMITETI REVOLUCIONAR PËR BASHKIMIN E TROJEVE SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI ME SHQIPËRINË”.

Në thelb e në përmbajtje ata kishin një ideal, një program dhe një synim. Pse kërkohet dhe kujt po i duhet ende përçarja dhe konfrontimi i tyre?

Edhe sikur, në ndonjë mrekulli, të gjenin mundësinë, gjatë vitit 1963, të takoheshin, a do të mund të ishte e tillë biseda midis tyre?

Siç është e njohur, Metush Krasniqi dhe Adem Demaqi kanë pasur, bashkë me atdhetarë të tjerë, një bisedë të gjatë, disaditëshe, krejtësisht në frymë uniteti, marrëveshjeje e respekti shembullor reciprok, në shtëpinë e Metush Krasniqit, në fshatin Dajkoc. Pse injorohet ky kuvendim unifikues dhe mobilizues dhe sajohet e imagjinohet një bisedë e ideologjizuar përçarëse?

Fundja, kushdo që e ka njohur sadopak bacën Metush, natyrën dhe shpirtin e tij bashkues nuk mund të besojë me shpifje e trillime të tilla të denja vetëm për argatët e UDB-së.

A mund të fliste kështu Metush Krasniqi për Adem Demaçin dhe bashkëveprimtarët dhe pasuesit e tij?!

Kush e shfytyron dhe e keqpërdor kështu Metush Krasniqin dhe çka do t’u thoshte Metush Krasniqi tipave të tillë?!

A e rrespekton Metush Krasniqin dhe korifenjt si ai, ai që derdh për gojë si gjarpri helmin e ndarjes dhe përçarjes kombëtare?!

A e respekton familjen atdhetare Krasniqi, ai që në kundërshtim edhe me kujtimet, konstatimet dhe vlerësimet e familjarëve tenton ta shndërrojë edhe familjen e heroit atdhetar në burim shpifjesh, trillimesh, fabrikimesh, ndarjesh, përçarjesh, konfrontimesh e armiqësimesh…?!

“RRËFIMI” (I RREJSHËM) 2

Për Hydajet Hysenin

“Pasi më rrihnin e më dërrmonin me tortura, udbashët më kthenin dikur në qeli. Hydajeti, në vend se të tregonte pak ndjesë, ju thonte shokëve tjerë: ja, e paskan palue këtë nacionalistin dajak, dhe qeshej! Në këto momente e ndjeja vehten ma të dërrmuem se kurrë. Asgja nuk më ka ba në shpirt tortura e udbashëve, sa ma kanë ba thumbat e Hydajetit pas maltretimeve dhe torturave që i përjetoja. Mua si nacionalist më torturonin pa masë, ndërsa marksistët nuk i preknin me dorë.” (?!!!)

Burimi i informacionit – Familjarët e Metush Krasniqit” (?!!!)

Ja ndonjë fakt që besoj, flet vetë:

Me Heroin e heronjve të shumtë, bacën Metush, në saje edhe të Dajës tim, Sejdi Kryeziut, kam pasur edhe lidhje familjare edhe lidhje veprimtarie atdhetare, por në të njëjtin burg nuk kemi qenë kurrë. Gjatë burgjeve të tyre të hershme, kamë qenë fëmijë, gjatë kohës së izolimit, kam qenë ilegal…

Pas lirimit nga izolimi, gjatë vjeshtës së vitit 1981, me Bacën Metush dhe Dajën tim, Dajën Sejdi, kemi qenë në lidhje të rregullt komunikimi e koordinimi, bashkëpunimi e bashkëveprimi, në përpjekje për të bashkuar prurjet e ndryshme të Lëvizjes sonë çlirimtare…

Nga fundi i viti 1981 deri në vitin 1991, unë kam qenë në burgje të ndryshme të Serbisë, hiq ndonjë muaj të verës se 1982, kur isha sjellë për gjykim në Burgun e Prishtinës.

Gjatë viteve 1985-1986, kur baca Metush mbahej në burg e në spital në Prishtinë, unë, ashtu si edhe shumë bashkëvuajtës e shokë të idealit, po kalonim vitin e pestë në burgizolim, në “CZ” (Burgun Qendror) të Beogradit prej aty dhe Deligrad të Nishit…

A mund ta merr me mend njeriu normal një rrëfim si ai që i shpifet simbolit të bashkimit shqiptar Metush Krasniqi!? I torturuari kthehet në qeli, kurse në qeli të burgosur shqiptarë, që jo vetëm nuk ndjejnë e nuk tregojnë bashkëdhembje e solidaritet, por edhe iu gëzokan dhe u tallkan me të torturuarin?! A ka ndodhur kjo ndonjëherë dhe a ka mundur të ndodhte ndonjë herë të vetme, diç e tillë në burgjet politike shqiptare, edhe sikur i burgosuri të ishte nga Shumadia?!

Thjesht është e pamundur dhe e paimagjinueshme, është diçka që nuk e përthekon mendja e shëndoshë e njeriut normal. Përkundrazi, e kanë pohuar edhe disidentë të njohur joshqiptar, si Mihajlov, Seleniç, Gjilas etj., se të burgosurit politikë shqiptarë shquheshin për frymë uniteti dhe shpirt solidariteti dhe “ishin të vetmit që mund të konsideroheshin si të burgosur vërtetë politikë”.

A mund t’i vihen në gojë qëndrestarit të pashoq, Metush Krasniqit, tribunit që bashkonte Lëvizjen, brezat atdhetarë dhe krahët e ndryshëm politikë e ideologjikë, fetarë a krahinorë, konstatime ankimore të tipit: “mua si nacionalist më torturonin pa masë, ndërsa marksistët nuk i preknin me dorë”?!

Atyre, që e kanë njohur Bacen Metush dhe bashkëvuajtësit e tij të idealit, a u ka ndodhur të dëgjojmë ndonjëherë rrëfime të tilla ankimuese për torturat mbi ta dhe hatërmbetëse pse ata tjerët paskan kaluar më lehtë?!

A mund të ishte i tillë dhe a mund të fliste kështu, Metush Krasniqi?!

“RRËFIMI” (I RREJSHËM) 3

Për “bashkëmoshatarët” e Demaçit dhe “shërbimin në APJ” (?!!!)

Ja edhe një “rrëfim” e së njejtës natyrë, që duket të jetë nga i njëjti kazan kuzhine dhe që është publikuar e ripublikuar nga “Botapress”, 11 tetor, edhe me titull:

“Dëshmitarët e gjallë e ftojnë Adem Demaçin në debat televiziv: “Me cilin serb u shoqërove në kohën e shërbimit në APJ më vitin 1965?”(?!!!)

Botapress,

“(…)Një grup i bashkëmoshatarëve të Adem Demaçit: (Sinan Jashari së bashku me dëshmitarët tjerë ,J.S. I. K, Sh. K., Z. H., H. T., E. P., S A.) të cilët e kanë kryer shërbimin ushtarak së bashku (?!!!) në vitin 1965 (?!!!) në kazermën ushtarake të Armatës jugosllave në Dellnice(?!!!) të Kroacisë (?!!!)I kanë nisur një letër Adem Demaçit prej të cilin kërkojnë një ballafaqim të hapur për këtë periudhë të shërbimit të përbashkët (?!!!) në armatën jugosllave.

Këta dëshmitarë të gjallë, siç shkruajnë në letrën e tyre, “…po presin me padurim të ulen dhe ballafaqohen me ju! ”(?!!!)

Sipas një letre, e cila ka ardhë edhe në adresën e redaksisë së gazetës “Bota Press”, këta bashkëmoshatarë të cilët e kanë kryer shërbimin ushtarak në Delnice të Kroacisë duan që të ballafaqohen me veprimtarinë e Adem Demaçit gjatë kësaj kohe. Madje bashkë me letrën e tyre të postuar edhe në Facebook, por të cilin ia kanë dërguar edhe Adem Demaçit ata kanë pyetur kolegun ushtar të asaj kohe se a keni qenë anëtar I PKJ-së (?!!!) dhe mik i madh i Nikolla Shoshkiqit(?!!!)?

Më poshtë po e botojmë të plotë (?!!!) letrën e një grupi dëshmitarësh të gjallë të cilët kanë kryer shërbimin ushtarak së bashku me Adem Demaçin në Delnice të Kroacisë më vitin 1965.

“Fol, o baca Adem Demaçi, se nuk t’u ka marrë goja!(?!!!)

Baca Adem, në adresën tande kemi botue nji lajm, që ne e besojmë (?!!!) për të vërtetë, (?!!!) sepse dëshmitarët e gjallë po dëshmojnë dhe po presin me padurim të ulen dhe ballafaqohen me ju. Ne ju kemi lutur përmes kolegëve Tuaj t’a zgjidhni formatin, se si dhe ku e doni ballafaqimin. Deri më sot, përpos sharjeve, kërcënimeve dhe etiketimeve nga disa eksponentë të mirëkamufluar të idelologjisë sllavokomuniste, në adresën tonë, nuk kemi marrë përgjigje zyrtare nga ana e Juaj. Prandaj, duke e ditur randësinë e ballafaqimit të fakteve, ju lusim edhe njëherë përzemërsisht, që mundësisht ballafaqimin ta bëjmë në një studio televizive, aty ku ju ta dëshironi. Jemi të gatshëm që edhe të burgosurve politik dhe shoqatës së tyre t’ju japim rastin e organizimit të këtij ballafaqimi shumë domethënës”(?!!!).

Vini re! A është një “grup” ” bashkëmoshatarësh (dtth. tetëdhjetëvjeçarësh!)”, apo është redaksia që i drejtohet Demaçit?!

Portali e njofton Bacën se “ne kemi botue nji lajm, që ne e besojmë për të vërtetë”, se ky “grupi i bashkëmoshatarëve (dtth. tetëdhjetëvjeçarëve) “ka pyetur kolegun ushtar të asaj kohe, (pra Adem Demaçin) se a keni qenë anëtar i PKJ-së dhe mik i madh i Nikolla Shoshkiqit?” dhe e thërret në përgjegjësi: “Fol, o baca Adem Demaçi, se nuk t’u ka marrë goja! (?!!!)

“Grupi i dëshmitarëve të gjallë të cilët kanë kryer shërbimin ushtarak së bashku me Adem Demaçin në Delnice (dikund shkruhet: Delnie!) të Kroacisë më vitin 1965”, ka vetëm një “nënshkrues” me emër e mbiemër, madje me mbiemrin Jashari (?!!!)

edhe pse redaksia thotë se i ka emrat e letërshkruesve?!

Këta “bashkëmoshatarë”(dtth. tetëdhjetëvjeçarët me një mbiemër dhe të tjerët me iniciale) i drejtohen Adem Demaçit (tetëdhjetëvjeçar): “Fol, o baca Adem Demaçi, se nuk t’u ka marrë goja!”(?!!!)

Po të kishim prokurori të vërtetë e Komision të vërtetë të pavarur për media, do të kishin folur e lëvizur ata.

Kur nuk ke çka duhet, duhet të përdorësh atë që ke:

Ja disa fakte që flasin vetë:

“Me vendimin e Gjykatës se Qarkut në Prishtinë, K. nr. 271/64, Adem Demaçi dënohet me 15 vjet burg të rëndë dhe mbahet në burg deri më 8 qershor 1974.

A mund të ishte Demaçi ushtar në Delnice dhe me Shoshkiqin e “bashkëmoshatarët” e tij?!

Në Aktgjykimin P.nr.239/75 të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, shkurt, 1976, si dhe në aktgjykimin e mëparshëm, K.nr.271/64, theksohet fakti se Adem Demaçin “nuk e ka kryer shërbimin ushtarak”.

Në dosjen e Demaçit gjenden edhe dëshmi e konstatime të bashkangjitura, u muar vesh, si rrethanë ngarkese edhe fakti se Demaçi i ri ka refuzuar qysh atëherë sugjerimet e komitetlinjve të atëhershëm për t’u bërë anëtar partie e LKJ- së…

Kurse “Grupi” dhe portali me “renome nacionaliste e atdhetare” i hakërrohen Adem Demaçit, tetëdhjetë e sa vjeçar:

“Përgjigju dhe dil e ballafaqohu me shqetësimet e Grupit të bashkushtarakëve me një mbiemri të madh dhe me iniciale të Delnices…”

Dhe vjen pastaj, edhe befasia tjetër, kur sheh njerëz me alamet emrash e pedigreshë atdhetare e intelektuale se si bien, “pëllummm”, në batakun e një shpifje bizare ose nisin e hamenden e kalamenden dhe nuk i shtrojnë pyetjen vetes dhe postierëve të marifeteve të njohura qysh nga koha e parabrioneve:

Kush po e shfytyron dhe keqpërdor, kaq poshtërsisht, emrin e atdhetarit Metush Krasniqi, dhe çka do t’u thoshte tipave të tillë, po të ishte, Metush Krasniqi,?!

A e respekton Metush Krasniqin me shokë, ai që derdh për gojë helmin e ndarjes dhe përçarjes kombëtare, në udhëkryqin e rëndësishëm sa edhe të rrezikshëm historik në të cilin ndodhemi?!

A e respekton familjen atdhetare Krasniqi, ai që në kundërshtim edhe me kujtimet, konstatimet dhe vlerësimet e familjarëve tenton ta shndërrojë edhe familjen e heroit atdhetar në burim shpërrallimesh, shpifjesh, trillimesh, fabrikimesh, ndarjesh, përçarjesh, konfrontimesh e armiqësimesh…?!

Thonë: para se të pish ujë në një krua, shihe ku e ka burimin. Ai që e sheh burimin e ujit të kontaminuar dhe megjithatë ua shpërndanë dhe ua servirë atë, me dashje apo pa të ai bëhet pjesë e sportit të pështirë: cili po pështyn më larg, cili shan me fëlliqët dhe cili shpif më shumë.

Unë nuk dua të jem dhe nuk do të jem lojtar e hisedar i këtij sporti të pistë, prandaj nuk përdor emra personal dhe as adresa personale. Do të dëshiroja që as unë dhe askush tjetër të mos detyrohet që për çështje, motive e arsye të tilla t’i drejtohet drejtësisë.

Flas parimisht, me zemër e nga zemra dhe ftoj njerëzit me sadopak njerzillëk, dashamirësi e korrektësi që të këndellen, të kenë mendjen, të shikojnë burimin dhe të mos pijnë ujë e të viranohen në currilin viral kiberpolitik të shpifjeve, trillimeve e fabrikimeve përçarës e çaprashitëse antishqiptare, por të shikojmë atë që bashkon, që forcon e shumëfishin energjitë e potencialet, para sfidave që na presin, siç do të porosiste atdhetari përbashkues Metush Krasniqi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation
-Advertisement-

Të tjera