Kapitullimi i Kosovës me TC “Kosova e Re”
Autori: Gazeta inFokus 10:05 | 23 January 2018
Shkruan: Hekuran Murati
Në vijim është një analizë e marrëveshjes së arritur për ndërtimin e TC “Kosova e Re”, e cilat u bë publike javën e kaluar. Megjithëse duhet përshëndetur akti i MZHE-së për publikimin e kësaj marrëveshjeje, e njëjta gjë nuk mund të thuhet sa i përket përmbajtjes së marrëveshjes në fjalë.
Para se të filloj me analizën, më duhet të theksoj se kontratat komerciale, pjesë të marrëveshjes, nuk janë publikuar të plota. Mjafton të bësh një kërkim me fjalën “reserved” në secilën prej kontratave, dhe e kupton se ka një numër të madh të rasteve ku informatat janë hequr nga publikimi. Sidoqoftë, nga ajo çka është publikuar në këto kontrata dhe nga ajo që është thënë në publik nga përfaqësues të Qeverisë, është e mjaftueshme që të arrihet në përfundimin se a është e favorshme kjo marrëveshje apo jo. Për këtë shkrim, analizën do ta përqëndroj tek Marrëveshja për Blerje të Energjisë (Power purchase Agreement), meqenëse konsideroj që aty është thelbi i përmbajtjes.
Se sa e pa-favorshme për Kosovën është kjo marrëveshje, mjafton të krahasohen ndëshkimet në rast të shkëputjes para fillimit të zbatimit të saj – Kosova ndëshkohet me 19.7 milionë euro, ndërsa investitori ndëshkohet me maksimumi 8 milionë euro. Ata që besojnë në thënien se dita e mirë shihet në mëngjes, besoj që janë të përgatitur për atë që do të vie në rreshtat në vijim.
Sipas marrëveshjes, investitorit Contour Global i sigurohet shitja e tërë energjisë së prodhuar me Çmimin e Synuar prej 80 euro/MWh (Recital F). Ky çmim në fakt paraqet rritje krahasuar me çmimin e dakorduar në Marrëveshjen e Mirëkuptimit të nënshkruar në dhjetor të vitit 2015, i cili ishte 78.6 euro/MWh. Pra vetëlavdërimi i Ministrit Lluka se ka arritur në negociojë marrëveshje më të favorshme se ajo që ka qenë më herët nuk qëndron aspak. Kjo për arsye se, megjithëse është ulur norma e kthimit të brendshëm në ekuitet nga 21.5% në 18.5%, rritja e kostos së ndërtimit nga 1 miliardë euro në 1.3 miliardë euro ka efekt negativ më të madh në përcaktimin e çmimit. (Se si është arritur te ky nivel i çmimit të synuar do t’a kuptoni më poshtë).
Edhepse në një intervistë z. Lluka iu referua çmimit prej 80 euro/MWh si çmim tavan, kjo gjë fatkeqësisht nuk është e saktë. Në fakt, nëse Contour Global arrin të prodhojë energji elektrike më shumë sesa sasia e pritur, atëherë për çdo MWh shtesë të prodhuar, kompania merr bonus prej 20% mbi çmimin e synuar (Schedule 1, paragrafi 2.3.1.) – dhe kësisoj çmimi shumë lehtë arrin në 96 euro/MWh.
Bazuar në shifrat më lartë, kostoja vjetore për konsumatorët e energjisë elektrike vetëm nga ky termocentral do të jetë së paku 240 milionë euro nëse ai operon me 75% kapacitet (rreth 3 GWh), e mund të arrijë deri në 340 milionë euro nëse operon me kapacitet të plotë (rreth 4 GWh, nga të cilat 1 GWh llogaritet me bonus prej 20%). Me fjalë tjera, për periudhën prej 20 vitesh populli kosovar do të paguajë 5-7 miliardë euro për këtë marrëveshje.
Nëse këto shifra përkthehen në tarifat e konsumatorëve, pra shuma prej 240-30 milionë euro i shtohet faturimit ekzistues (me përjashtim të “TC Kosova A”), atëherë mund të flasim për një rritje prej 46%-81% nga niveli aktual i tarifave, varësisht prej komponimit të burimeve nga “TC Kosova B” dhe “TC Kosova e Re”.
Mirëpo një rritje kaq enorme e tarifave nuk do të mirëpritej nga konsumatorët, dhe do të ishte vështirë të arsyetohej edhe nga ZRRE, e cila nivelin e tarifave e përcakton në bazë të Të Hyrave Maksimale të Lejuara (anglisht, “Maximum Allowed Revenues”). Andaj për të tejkaluar edhe këtë problem, është paraparë një zgjidhje e cila për mendimin tim paraqet pjesën më skandaloze të marrëveshjes – zgjidhja quhet “New Kosovo Electricity Company” (NKEC).
“New Kosovo Electricity Company” dhe “Revenue Requirement”
Sipas marrëveshjes, Qeveria e Republikës së Kosovës detyrohet që të themelojë një kompani publike, e cila do të shërbejë si ndërmjetësues ndërmjet Contour Global dhe pjesës tjetër të tregut energjetik në Kosovë. Me fjalë tjera, NKEC do të ketë për detyrë të blejë tërë kapacitetin prodhues të termocentralit të ri, pati apo s’pati nevojë tregu i Kosovës. Atë energji pastaj NKEC do të kthehet e t’ia shesë KEDS-it apo dikujt tjetër me çmim më të lirë se kostoja, dhe kështu shteti e merr përsipër humbjen, ndërsa Contour Global-i e katë siguruar fitimin.
Kapaciteti prodhues duhet të blihet me atë çmim, ashtu që të sigurohet se përmbushen Të Hyrat e Nevojshme (Revenue Requirement) për Contour Global. Sipas marrëveshjes, Të hyrat e Nevojshme përbëhen nga pagesat e nevojshme për të paguar huanë e marrë dhe kamatën e saj, pagesën për kthim në ekuitet, shpenzimet tjera operative, e madje edhe tatimin në fitim.
Përkthyer shqip, NKEC apo Republika e Kosovës, do t’ia paguajë Contour Global-it: të gjitha shpenzimet, plus këstet e kredisë, plus kamatën, plus fitimin, si dhe në fund edhe tatimin në fitim. Të gjitha këto, janë llogaritur që do të mbuloheshim me një Çmim të Synuar prej 80 euro/MWh, por i cili mund të rritet nëse ta zëmë kamata e kredisë del të jetë më e lartë sesa ajo e parashikuar.
Bazuar në këtë, është evidente se kostoja vjetore e termocentralit nuk do të reflektohet menjëherë por gradualisht në tarifat e konsumatorëve, ngase ajo do të paguhet nga NKEC, e cila do të financohet/subvencionohet nga Qeveria. Por të thuash se kjo është më mirë, është si të thuash që më lirë kushton të paguash nga xhepi i majtë sesa nga xhepi i djathtë – në fund të fundit, populli do t’a paguajë. Se a paguhet permes faturave të energjisë elektrike apo përmes taksave, pak rol ka kjo.
E bukura e tërë kësaj është se kur të vie koha për të paguar këto para nga buxheti, kësaj Qeverie që ka nënshkruar marrëveshjen do t’i ketë kaluar mandati qëmoti.
Kontratat me Kompanitë Publike
Për t’i siguruar investitorit mbarëvajtje në punë, Qeveria e Kosovës ka detyruar kompanitë publike siç është KEK-u të nënshkruajnë kontrata të cilat mund të mos jenë në interesin më të mirë të tyre.
Sipas Kontratës për Mënjanimin e Hirit dhe Gipsit (Ash and Gypsum Disposal Agreement) ta zëmë, KEK-u është i obliguar që t’i sigurojë Contour Global-it hapësirat për deponim të hirit dhe gipsit, pa asnjë cent, totalisht falas.
Ndërsa tek Kontrata për Furnizim me Linjit, nuk arrita të gjej çmimin e furnizimit, mbase kjo informatë ka qenë viktimë e redaktimit me “reserved” nga kompania.
Por më e çuditshmja është kontrata për Bartjen e Tokës (Site Transfer Agreement) me anë të së cilës lidhet marrëveshja që KEK-u t’ia shesë tokën (pronë e KEK-ut) Contour Global-it, në të cilën do të ndërtohet termocentrali i ri. Çmimi i shitjes është 10 (dhjetë, po po dhjetë) euro, për afro 15 hektarë tokë – një çmim ky në shpërputhje ekstreme me çmimin e tokës që u pagua për shpronësim në Shipitullë.
Ka edhe shumë margaritarë si këto më lartë por besoj që ato do të trajtohen edhe nga të tjerët gjatë ditëve në vijim.
Për fund, konsideroj që kjo marrëveshje nuk është dashur të nënshkruhet me këto kushte. Marrëveshja është aq e dëmshme, sa që asnjë ministër i PDK-së nuk ka pasur guximin ta nënshkruajë, edhepse e kishin në sirtar për dy mandate radhazi. Ky fakt tregon shumë, kur nga e kaluara dihet që PDK-ja nuk heziton edhe aq në raste të tilla.
Kosova ka mundur të ndërtojë një termocentral të tillë edhe me vetë-financim, pa ndihmën e asnjë investitori të huaj, e madje me kushte shumë më të mira. 300 milionë euro në vit janë shumë të mëdhaja për një popull ku gjysma jeton në varfëri. Por ja që pushimet luksoze edhe mund të ndikojnë në shtrembërim të perceptimit.
Të tjera
-
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, dekla...
-
Takohen gruaja më e shkurtër dhe ajo më e gjatë në botë, fjalët që thanë për njëra-tjetrën pas takimit
Jyoti Amge dhe Rumeysa Gelgi, janë pjesë e librit të rekordeve “Guiness”. E p...
-
Moti i keq, Policia thirrje vozitësve: Kujdes, ka aksidente nëpër rrugë të vendit dhe autostrada
Orëve të fundit mbi vendin tonë kanë vazhduar të reshura të shiut të shoqërua...
-
“Përgaditu se unë jom karatist”- Momenti kur moderatori shpërthen në të qeshura, pasi Jahja Koka ia thotë këtë gjë
“Përgaditu se unë jom karatist”, ishte një nga fjalitë dhe momentet që bëri m...
-
LAJMI I FUNDIT/ Vetura godet për vdẹkje një këmbësor në Krushë të Madhe
Një këmbësor është goditur nga një automjet në fshatin Krushë e Madhe, më sak...
-
Peci ngriti kallëzim penal ndaj tij, reagon Kryetari i Forumit të Rinisë së LDK’së: I ka kapë panika
Kryetari i Forumit të Rinisë së LDK’së, Paris Guri, ka dalë me një reagim pas...
-
Moti i keq në vend, KESCO del me njoftim për ndërprerjet e rrymës
KESCO përmes një njoftimi në Facebook ka thënë se për shkak të kushteve atmos...
-
Shi i madh e erëra të forta në Prishtinë, lagjen Lakishte e “merr” uji
Shi i madh e erëra të forta e ka kapluar mbrëmjen e sotme në Prishtinë, shkru...
-
Sërish tërmet në Shqipëri, epiqendra shumë pranë Gjirokastrës
Një tërmet me magnitudë 3.6 i shkallës Rihter është shënuar pak minuta më par...
-
Aksident i rëndë në Prishtinë (PAMJE)
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur para pak minutave në Prishtinë, shkru...
-
Ministri Peci, bën kallëzim penal ndaj zyrtarëve të LDK’së vetëm pse folën për grantet e të afërmve të Fitore Pacollit
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka bërë kallxim penal ndaj kryetarit të ...
-
Bislimi takohet me Szłapka, flasin për progresin e Kosovës në rrugën e saj drejt BE-së
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Repu...