Opinione

Qeveria Haradinaj do ta zbulojë ‘ujin e nxehtë’!

Autori: Gazeta inFokus 14:07 | 11 September 2017

Shruan: Lavdim Hamidi

Ramush Haradinaj edhe zyrtarisht sot pritet ta marrë drejtimin e Qeverisë së Kosovës, për të dytën herë me radhë pas gati trembëdhjetë vjetësh qëkur u detyrua ta ndërpresë mandatin e tij si kryeministër për shkak të ftesës nga Gjykata e Hagës, në vitin 2005.

Herën e parë e shijoi vetëm 100 ditë pozitën më të lartë qeveritare, përderisa mandati i dytë si kryeministër nuk dihet se sa do t’i zgjasë. Me gjasë më shumë se 100 ditë, por jo edhe katër vjet sa është mandati i plotë ligjor i Qeverisë.

-Advertisement-

Kjo për faktin se ai do ta drejtojë ekzekutivin e vendit në bazë të një koalicioni të madh të partive parlamentare, të cilat në Kuvend i kanë vetëm 61 vota, minimumin e votave të nevojshme për t’i formuar institucionet qendrore. Numrat flasin se sa jostabile është Qeveria e tij në një Kuvend, ku opozita ka pothuajse vota sa pozita.

***

Qeveria, që do ta drejtojë ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, u dëshmua se është e varur maksimalisht nga votat e Listës Serbe, e cila është nën kontroll të plotë të Beogradit, me ç’rast edhe votimi i kabinetit të tij të shtunën u vonua për disa orë për shkak se deputetët serbë kishin qenë në Beograd për ta marrë bekimin e Marko Gjuriqit, drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Aspak të lehtë Haradinaj nuk do ta ketë drejtimin e Qeverisë edhe me partnerët shqiptarë të koalicionit qeverisës, ku partia e tij me dhjetë deputetë në Kuvend është dashur t’i zvogëlojë ambiciet politike në drejtimin e vetëm dy ministrive për t’ia plotësuar atij dëshirën e kamotshme për t’u bërë sërish kryeministër.

Ndërsa AKR-ja e Behgjet Pacollit, që do t’i ketë vetëm dy vota në Kuvend, pasi ky i fundit merr post në ekzekutiv dhe deputeti Korab Sejdiu u largua nga AKR-ja, i mori katër top-ministri, duke përfshirë këtu Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Ministrinë e Mjedisit, si dhe shtatë poste të zëvendësministrave, përfshirë këtu edhe postin e presidentit pasi që presidentit aktual Hashim Thaçit, t’i përfundojë mandati pesëvjeçar.
Ndoshta kishte kalkulime politike se këtij të fundit mund t’i përfundojë mandati më herë nëse eventualisht Gjykata Speciale ngrit aktakuzë ndaj tij, mirëpo një gjë e tillë nuk është e sigurt, është vetëm në nivel të spekulimeve.

Partneri i madh i koalicionit, PDK-ja e Kadri Veselit, do t’i ketë shtatë poste në ekzekutiv, mes të cilave edhe Ministrinë e Inovacionit, ndonëse “inovacioni” i vetëm i ministrit Besim Beqajt në të kaluarën sa ishte ministër i Zhvillimit Ekonomik ka qenë shitja e distribucionit të energjisë për vetëm 26.3 milionë euro, fitime këto që kompania turke “Limak” i ka siguruar vetëm në vitin e parë të operimit me KEDS-in!

Në një shtet me bujqësi të pazhvilluar, ku arat bujqësore pothuajse janë betonizuar apo janë lënë djerrinë, ky sektor i është besuar ministrit nga radhët e Listës Serbe.
Ky i fundit i ka në kompetencë dhjetëra miliona euro në vit për subvencione bujqësore dhe nëse nuk i ndanë këto mjete për subvencionimin e fermerëve në Rrafshin e Dukagjinit, ku merren kryesisht me bujqësi, por i orienton diku tjetër dhe i mbesin miliona si suficit, atëherë indirekt stimulon importin, edhe ashtu të lartë të produkteve bujqësore nga Serbia.

***

Ramush Haradinaj në fushatën e fundit zgjedhore sa ishte kandidat i koalicionit PAN për kryeministër kishte premtuar se për tre muaj pasi të zgjidhet në krye të Qeverisë vendit do t’i hiqen vizat e Bashkimit Evropian.

Por për t’i hequr vizat koalicioni i tij duhet ta kalojë në Kuvend Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, të cilën gjë e ka të pamundur ta bëjë pasi i nevojiten 80 vota të deputetëve, të cilat nuk i ka, si dhe ta luftojë korrupsionin.

Edhe këtë fenomen negativ, si dhe njërin nga dy kushtet e BE-së për liberalizim të vizave e ka të vështirë ta luftojë, duke marrë parasysh “premtimin” e parë të ministrit të ri të Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili bëri një gabim trashanik në një status të tij në “Facebook”, ku shkroi se do të punojë në “forcimin e sundimit të së drejtës, krimit të organizuar dhe korrupsionit”. Pra, ky ministër i Drejtësisë, ndonëse gabimisht, premtoi forcimin e korrupsionit dhe jo luftimin e tij.

Duke marrë parasysh faktin se emrat e ministrave të rinj nuk ishin shumë premtues, kryeministri Haradinaj vështirë se do të arrijë t’ia heqë qytetarëve vizat për në BE, ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, ta zhvillojë bujqësinë dhe të hapë vende të reja të punës.
Edhe kjo Qeveri, sikur ato të mëparshmet, me shumë gjasë do të angazhohet për paga të larta dhe mëditje, punësime të familjarëve dhe bashkëpartiakëve, si dhe për shpërblimin me tenderë të bizneseve që i kanë financuar në fushatë zgjedhore.
Kjo situatë e pashpresë mund të ndryshojë vetëm nëse Ministria e Inovacionit e bën ndonjë zbulim të madh me të cilin do të identifikohet në të ardhmen Kosova: Nëse e zbulon “ujin e nxehtë”!

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
A prishet cilësia e gjumit nëse pini kafe në mbrëmje?
-Advertisement-

Të tjera