Entuziazmi nuk i shkon Edi Ramës
Autori: Gazeta inFokus 10:12 | 29 June 2017
Shkruan: Armand Shullaku
Ata që sot bërtasin fitore, nuk kanë arsye të ndihen krenarë. Edhe ata e dinë se si e arritën këtë fitore. Prandaj entuziazmi nuk i shkon Edi Ramës. Një ndeshje e trukuar kënaq vetëm fanatikët, të tjerët druhen se në një përballje të vërtetë mund të humbin gjithçka. Sot, Edi Rama ka të drejtë t’i gëzohet timonit, por nuk do të ndiejë asnjë kënaqësi t’i japë makinës
Edi Rama u ngjit sot në sheshin që ideoi dhe ndërtoi vetë, duke patur në mendje një ditë pikërisht si kjo. Në atë shesh (ku si kryetar bashkie fillimisht e më pas si kryeministër u kujdes të fshijë çdo gjurmë të historisë), ai pagëzoi tashmë historinë e re të pushtetit të tij vetmitar.
Me 74 mandate, që nuk është çudi të shtohen rrugës nga dezertorët e rëndomtë, kryeministri i rimandatuar mund të shpaloste përsëri triumfalizëm dhe eufori. Nga zemra e kryeqytetit ai kishte mundësinë e një “revanshi”, si një mesazh me zë dhe me figurë, se ai, timonieri i ri i Shqipërisë së Rilindur, është zgjedhja e vetme e shqiptarëve. Se përballë tij, kundërshtarët, kritikët, kazanët, otomanët, gjithë “fronti i së keqes”, dështuan rëndë dhe “e Mira”, e mishëruar tek ai, triumfoi.
E megjithatë Edi Rama po tregohet i përmbajtur. Po e bën këtë në shenjë respekti për të mos lënduar kundërshtarin e thyer keqas? Apo është sjellje e matur karshi përgjegjësisë së madhe që i ngarkuan votuesit dhe peshës së angazhimeve që ka marrë për të drejtuar i vetëm Shqipërinë? Përgjigja është jo, sepse Rama nuk shquhet për ndonjë sjellje kalorësiake ndaj kundërshtarëve edhe kur i sheh ata në ditën e tyre më të zezë dhe, sa i takon ndjenjës së përgjegjësisë, edhe kjo bie po të kihet parasysh lehtësia me të cilën ai i përcolli premtimet e pambajtura në katër vite dhe mosregjistrimi i asnjë premtimi të qenësishëm për katër vitet që do vinë, përveç sloganit “do bëjmë shtet”, që nënkupton nuk do bëjmë asgjë.
Edi Rama po tregohet i kujdesshëm në menaxhimin e fitores së tij, sepse ai e di se pavarësisht nga numrat, ajo është një fitore e brishtë. Një fitore e arritur jo mbi besimin, por mbi manipulimin. Pjesëmarrja e ulët në votime, bojkoti i më shumë se gjysmës së shqiptarëve, vërtet penalizoi opozitën, por është një shenjë dëshpërimi i përgjithshëm, rezultat i qeverisjes së tij në katër vite. Se mijëra vota që shënuan numrin 2, nuk ishin valë entuziazmi për mirëqenien që solli kryeministri në mandatin e parë, por zgjedhje e pashpresë për një grusht parash në tregun e mjerë të katundit tonë politik. Raportimet në ditën e votimit sollën një numër rekord shitblerje të votës dhe për herë të parë një parti e madhe u soll me votuesit në mënyrë të pastër pragmatiste, duke shfrytëzuar me një strategji cinike nevojat jetike në mungesë të besimit dhe shpresës.
Ajo që shumë vëzhgues patën parashikuar, madje edhe vetë opozita deri ditën e daljes nga çadra, u pa të ndodhte në 25 qershor. Makineria ekstraelektorale e partisë në pushtet u vu në lëvizje në perfeksion. Përqindjet nga milionat e koncesioneve, tenderëve e parave të tjera publike, që u shpërndanë në katër vite në mënyrë selektive, u vunë në shërbim të pushtetit direkt dhe indirekt për të devijuar vullnetin e zgjedhësve. Miliona të tjerë të derdhur për rilindjen urbane, shkuan përsëri në funksion të makinerisë së pushtetit. Efekti kanabis dhe miliardat për të cilat dha alarmin edhe OSBE, nuk u trembën nga ministri i Brendshëm teknik dhe e prodhuan “mrekullinë” e tyre në 25 qershor. Mbulimi mediatik që siguroi kryeministri ishte larg këtyre të vërtetave dhe për një muaj rresht u lanë në harresë skandalet e shumta të qeverisë dhe ajo që po ndodhte në terren, duke e zhvendosur vëmendjen nga problemet reale te telenovela me apo LSI, me apo PD, me apo pa partitë e vogla, me apo tuta…
Një rezultat i arritur në rrugë të tilla, e ftoh edhe euforinë e një kryeministri populist. Ai sigurisht është i vetëdijshëm se shqiptarët që nuk duartrokasin sot, edhe midis atyre që e kanë votuar, janë më të shumtë se ata që ngrenë flamujt aty ku dikur ishte statuja e Enver Hoxhës. Kjo është një fitore e pushtetit dhe jo e një projekti për ta bërë Shqipërinë më të mirë. Si e tillë, edhe liderin më vanitoz, do ta kishte të vështirë ta bënte të ndihej krenar.
Edi Rama nuk mund të jetë euforik sot edhe për faktin e qartë se ai luajti në një fushë, thuajse pa kundërshtarë, përballë një ekipi që nuk mendoi për fitore por për koeficientin e rezultatit. Ai fitoi përballë dikujt që kishte kundërshtuar ashpër rregullat e përçudnuar prej tij dhe papritur i pranoi ato pak minuta para fillimit të ndeshjes. E cila në fakt nuk ishte një ndeshje, por dalje në fushë për të legjitimuar një garë të trukuar. Ata qindra-mijëra mbështetës të Partisë Demokratike, ndihen sot dyfish zemërthyer, sepse nuk kanë mundësi të përjetojnë as dinjitetin e humbjes dhe as të ngrenë zërin për padrejtësinë, të cilën ekipi i tyre e amnistoi në minutën e fundit.
Por as ata që sot bërtasin fitore, nuk kanë arsye të ndihen krenarë. Edhe ata e dinë se si e arritën këtë fitore. Prandaj entuziazmi nuk i shkon Edi Ramës. Një ndeshje e trukuar kënaq vetëm fanatikët, të tjerët druhen se në një përballje të vërtetë mund të humbin gjithçka. Sot, Edi Rama ka të drejtë t’i gëzohet timonit, por nuk do të ndiejë asnjë kënaqësi t’i japë makinës. /Mapo.al
Të tjera
-
Mot më stabil në javën e fundit të nëntorit, temperaturat rriten përreth mesatareve
Java vijuese parashihet të dominohet nga kushte më stabile meteorologjike. ...
-
Peci del me një video-adresim, sulmon opozitën dhe mediat që ia publikuan skandalin për grantet
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka publikuar një video lidhur me lajmet...
-
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Profesori në Universitetin amerikan, Johns Hopkins, Daniel Serwer thotë se në...
-
Kamberi: Serbia po diskriminon shqiptarët e Luginës edhe me ndarjet buxhetore
Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se b...
-
Mungesa e sinjalizimit paraqet rrezikshmëri të lartë në trafik
Një i vdekur dhe më shumë se 360 të tjerë të lënduar në rrugën Prishtinë-Podu...
-
U bë virale nga videoja ku tregonte se këngëtarët duhet të paguajnë tatim edhe për bakshishe, kontabilistja rrëfen si e bëri profesionin e saj të “dhezë” edhe në Tik Tok
Kontabilistja e sukseshme Elvira Ibrahimi Hoti në emisionin “Gratë n’Fokus me...
-
“Ajo ka përgjegjësi direkte” – Befason deputeti i AAK-së, e kritikon Presidenten Vjosa Osmani për fjalimin kundër Albin Kurtit në Kuvend
Deputeti Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka reaguar për...
-
Haradinaj në “Darkën e Lamës”, në Deçan: Kjo darkë është kujtesë për rëndësinë e traditave, jemi dhe do të mbetemi gjithmonë një kombë i fortë e i bashkuar
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë, Ramush Haradinaj, ka marrur pjes...
-
Qytetarët ankohen për ngecje të punimeve në rrugën Prishtinë – Podujevë
Punimet për zgjerimin e rrugës Prishtinë – Podujevë janë duke vazhduar. Megji...
-
Parandalohet kontrabanda me mallra në Viti
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, kanë intensifikuar op...
-
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, javën e ardhshme mbahen katër seanca
Javën e ardhshme do të vijojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Ç...
-
Reagimi i Fahrije Hotit e avokatëve dhe përgjigja e Pecit, përfshihet edhe Pacolli: Runa zot nga ministra hajna, arroganta e gënjeshtarë
Lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli ka reaguar pasi Fahrije Hotit dhe dy avokatë...