Lajme

Riklasifikimi i veteranëve të UÇK bëhet gjatë muajit maj

Autori: Gazeta inFokus 18:38 | 25 April 2017

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kërkon të realizohen deri në fund të muajit maj masat e papërmbyllura të autoriteteve vendore-në veçanti Ligji për Invalidët e Luftës dhe riklasifikimi veteranëve.

Ky afat doli nga një takim i autoriteteve kosovare me menaxhmentin e lartë të FMN-së të zhvilluar në Washington.

“Është kritike që ky progres të vazhdojë dhe që autoritetet t’i realizojnë të gjitha masat e mbetura për të siguruar përmbyllje të suksesshme të programit. Në veçanti, kjo do të kërkojë riklasifikimin e veteranëve të luftës deri në fund të muajit maj, pas shpalljes nga Presidenti të Ligjit për Veteranët e Luftës, me ndryshime e plotësime”, thotë FMN-ja.

-Advertisement-

Drejtori i Zyrës së FMN-së për Kosovë Ruud Vermeulen, thotë se riklasifikimi i veteranëve të luftës duhet të bazohet në vlerësime të besueshme të kohëzgjatjes së shërbimit në luftë.

“Për ta ruajtur integritetin e procesit të pritur, riklasifikimi duhet të bazohet në vlerësime të besueshme të kohëzgjatjes së shërbimit të veteranëve gjatë luftës”, thuhet në deklaratën e FMN-së, shkruan Kallxo.com.

Në dhjetor të vitit të kaluar qeveria nisi procedurat për ndryshimin e ligjit për pensionet e veteranëve.

Kreu i FMN-së për Kosovë thotë që Ligji për Invalidët e Luftës duhet të jetë në përputhje me ligjet për aftësi të kufizuar civile.

“Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Invalidët e Luftës duhet të bëhet deri në mes të muajit maj, ashtu që kriteret për kualifikim për invaliditet të luftës të jenë në përputhje me ato të aftësisë së kufizuar civile. Harmonizimi i kritereve do të sigurojë paanshmëri dhe barazi në trajtim”, thotë deklarata.

Shpenzimet për veteranët i kishin shqetësuar vitin e kaluar zyrtarët e FMN-së.

Në deklaratë, Fondi Monetar Ndërkombëtar performancën e Kosovës në sektorin fiskal e konsideron të fuqishme.

“Performanca në kuadër të programit të mbështetur nga fondi vazhdon të jetë e fortë. Autoritetet i kanë përmbushur të gjitha caqet fiskale për fundin e muajit mars, si dhe janë të bindur se deficiti i buxhetit në vitin 2017 do të mbahet në kuadër të limiteve të rëna dakord”, sqaron FMN-ja.

Kjo organizatë sistemin bankar kosovar e konsideron të shëndoshë.

“Sistemi bankar është i shëndoshë, me nivel solid të kapitalit dhe likuiditetit, me kredi joperformuese në nivelin më të ulët historik, si dhe kanë shënuar fitime të qëndrueshme. Reformat strukturore në fushën e zbatimit të kontratave dhe prokurimit publik janë duke avancuar, gjë që do të ndihmojë në zhbllokimin e kredive bankare dhe do të përmirësojnë mjedisin e biznesit”, thuhet në deklaratë.

FMN thotë se në Washington është rënë dakord që veprimet të merren brenda periudhës së paraparë kohore meqë Programi Stand-By Arrangement SBA me Kosovën do të përfundojë pas pak muajsh.

Sipas FMN-së, përfundimi i suksesshëm i programit do t’i përforconte rezultatet e arritura me vështirësi përgjatë dy vjetëve të fundit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI
-Advertisement-

Të tjera